Presidenti amerikan, Donald Trump ka përfunduar vizitën e tij zyrtare në Pekin, ku u takua me presidentin kinez, Xi Jinping. Takimi u karakterizua nga tone të buta dhe deklarata për përmirësim të marrëdhënieve mes dy fuqive të mëdha.

Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara kanë arritur “marrëveshje fantastike tregtare” me Kinën, duke e cilësuar takimin si të suksesshëm.


Ai gjithashtu e quajti sërish Xi Jinping “mik”, duke theksuar se të dy njihen prej gati 12 vitesh dhe se ai ka “respekt të madh” për liderin kinez.

Gjatë bisedimeve, të dy liderët diskutuan edhe për situatën në Iran. Trump tha se SHBA dhe Kina ndajnë “qëndrime shumë të ngjashme” për çështjen dhe se synojnë stabilitetin e rrugëve detare dhe furnizimin me naftë, duke theksuar se “nuk duam që ata të kenë armë bërthamore”.

Në një moment simbolik të vizitës, presidenti kinez, Xi Jinping i dhuroi Trump-it fara trëndafilash gjatë një shëtitjeje në rezidencë.

Nga ana e saj, Ministria e Jashtme e Kinës i bëri thirrje SHBA-së dhe Iranit që të përshpejtojnë përpjekjet diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje, ndërsa Pekini vlerësoi se takimi ka ndihmuar në forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe “kontribuon në stabilitetin global”.

Vizita u mbyll me një atmosferë të qetë dhe mesazhe pajtimi, duke lënë përshtypjen e një afrimi të ri mes Uashingtonit dhe Pekinit pas periudhave tensionesh tregtare. /Telegrafi/