LAJMI I FUNDIT:

Po ec apo po ngec, karvani?

Po ec apo po ngec, karvani?

“Qentë e të bijtë e qenve” lehin, e karvani ecëm! Deri kur do të ec karvani qeveritar, e tashmë edhe presidencial? Kështu mund të riformulohet thënia e moçme, e përshtatur me politikën tonë ditore.
A po ec në të vërtetë karvani i Qeverisë, apo vetëm pluhuri i shkretëtirës së quajtur Kosovë, i ngritur nga aferat publike po na e jep idenë se diçka po lëvizë?

E pra, nuk kishte përse të eskalonte kaq shumë situata. Krejt ky ishte veç një konflikt i zakonshëm i Qeverisë me popullin, apo thënë më saktë me përfaqësuesit e popullit dhe nuk kishte pse të eskalonte kaq skajshëm në një konflikt të Qeverisë me gazetarët. Aq më tepër që gazetarët po mbaheshin goxha neutralë, sidomos mediat proqeveritare, të cilat janë edhe shumicë dhe më të fuqishmet. Ata deri tash vetëm po transmetonin “live” atë që po ndodhte nëpër sheshe dhe Parlament. Por, kështu paska qenë e shkruar… diku nëpër skenarët e “Olimpit” politik!


Të kuptohemi qysh në fillim, për të mos pasur keqkuptime qoftë me ligjin, qoftë me politikën tonë idhnake, edhe pse nuk kam qare pa u solidarizuar me kolegun i cili duke u përpjekur të bëjë lajmin e meritoi titullin më të lartë në gazetarinë kosovare, të cilin e jep vet Qeveria: Titullin “Qen bir qeni”!
Tash nuk është se edhe vet nuk jam një… i tillë, por ndryshe kur këtë titull ia jep vetes e ndryshe kur të “nderon” vet kryeministri. Tash, kolegu ynë nuk e përballoi lehtë këtë nder dhe e paditi në Polici kryeministrin. Të shohim se çfarë po ndodhë!

Pra, po e shihni se unë po spekuloj. Është krejt çështje hipotetike puna e këtij skenari. Mund të jetë edhe çështje demokracie dhe përgjegjësie, por a nuk janë këto një luks për Kosovën në kohën kur demokracia jonë rënkon publikisht në shtratin e vdekjes?

Pra, a është i mundur një skenar i tillë në një vend demokratik siç është Kosova dhe për të cilën Qeveria bën BE se i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave? A është i mundur skenari sipas të cilit në shtëpinë e kryeministrit të vendit të shkojë ftesa për me u paraqit në gjykatë me datën kaq e kaq lidhur me padinë penale të ngritur nga gazetari i cili akuzon kryeministrin e vendit se e ka thirrur në telefon, me “viber”, dhe se e ka ofenduar, e madje edhe e ka kërcënuar se “ka me pagua shtrenjtë”?

A mund të ndodhë që kryeministri (në tekstin e mëtejmë vetëm KM) të mos i përgjigjet ftesës? A mund të ndodhë që gjykata të urdhërojë sjelljen e detyruar të KM në seancë dhe këtë të e bëjnë prestarët e Policisë së Kosovës e cila hyn në kuadër të Ministrisë e cila udhëhiqet nga një ministër i partisë së KM?

Për me e nxjerr një përfundim, duhet marrë parasysh edhe fakti se stafi komandues i Policisë janë të zgjedhur nga Qeveria e kaluar, nga partneri tjetër i koalicionit. Pra, nuk i dihet?

Këtu vijmë deri te pyetja më e rëndësishme, me të cilën po ka kokëçarje edhe vet BE-ja, pra: i kujt është pushteti në fakt? I institucioneve apo individëve dhe grupeve? Po të ishte i institucioneve nuk do të kishte kurrfarë pengese që me një urdhër nga prokurori apo gjykata të sillet në gjykatë, apo të arrestohet edhe vet kreu i Ekzekutivit, madje edhe vet presidenti. Por, nuk funksionon kështu. Kjo vlen për vendet ku pushtetet janë të ndara dhe ligji është mbi të gjithë.

Po të ishte ashtu, konflikti qeveri-gazetarët do të pasohej me një kërkimfalje dhe me një dorëheqje, por KM e di se ne ende jemi nën ligjin, ndërkohë që koalicioni kapardiset mbi të!

Kur jemi te koalicioni, e kam thënë edhe herëve të tjera se pas instalimit të presidentit të vendit dhe marrëveshjeve të arritura, plus kalimin e Gjykatës Speciale në Parlament, PDK nuk ka më asnjë interes real nga ky koalicion. Tashmë ka ndodhur, gjatë kësaj bashkëqeverisjeje, edhe shkrirja e grupeve të interesit brenda dy partive, në nivel qendror dhe lokal, sa më nuk është i domosdoshëm as kreu i LDK-së për të funksionuar koalicioni . Tashmë të gjithë e puthin një dorë.

E, me komunikimin e “sofistikuar” dhe idhnak të kryeministrit, sidomos përmes Facebook-ut, kjo nuk do të jetë e vështirë. Mllefi të cilin njeriu i parë i Ekzekutivit e zbraz në mënyrë aq të hapur dhe të papërmbajtur, e bën atë kundërshtarin më serioz të vetvetes. Por, sidoqoftë, të presim e të shohim. Përderisa Isa nuk është Liza, Kosova është definitivisht vendi i çudirave.

Tash, të bëjmë një vështrim të ndershëm edhe për gazetarin i cili meritoi titullin e nderit “Qen i biri qenit” nga Ekzekutivi. Kush është ai? Ka shumë gjasa që kryeministri i Kosovës nuk është i pari as i vetmi i cili e ka quajtur me këtë titull nderi! Pra, atë e kanë sharë edhe më herët kështu, sidomos kolegët e tij të cilëve çdo vit ua rrëmbente para hundësh shpërblimet për gazetari hulumtuese, për zbulim të aferave etj. Çka kanë mundur të thonë tjetër kolegët pos: “Prapë e mori ai qen bir qeni” . Nuk i dukej mjaftë, por hapi edhe portalin e vet, me mision për të… “zemëruar KM-në”!

Tash tregimin e dimë të gjithë. Njëri vëlla, për shkaqe shëndetësore kërkon azil në një vend të madh evropian, në kohën që vëllai tjetër është kryetar i Ekzekutivit. Pra, është (bashkë)përgjegjës edhe për gjendjen e mjeruar në shëndetësinë publike. Me dhjetëra mega-klinika private kontrollojnë shëndetësinë në vend dhe bëjnë Qeverinë e vërtetë. Shëndeti nuk është vlerë, por biznes i madh nga i cili duket se ka përfitim edhe vet Ekzekutivi. Përndryshe, nuk do të lejonte që pajisjet e shtrenjta dhe mjekët më të mirë nëpër klinikat publike të punojnë për qytetarët vetëm atëherë kur lejon biznesi privat. Nejse, temë tjetër kjo, por ne të përmbyllim temën e sotme.

Pra, se kryeministri kishte probleme me zemër, në kuptimin e parë të fjalës, ky ishte një fakt i njohur botërisht dhe ishte për keqardhje njerëzore. Për keqardhje është edhe fakti se ky duket të jetë një problem shëndetësor i trashëguar në familje. Por, ajo çka është edhe më shumë për keqardhje publike është ngutia e të parit të Ekzekutivit, temperamenti dhe gjuha e vrazhdë e komunikimit të tij edhe për tema delikate. siç janë liria e shtypit apo deklaratat për deputetet që “kanë kullotur” fonde… apo edhe deklarata të tjera të famshme! Nga kjo gjuhë, po kuptohet se KM jo vetëm se po e imiton presidentin e ri, por se ka edhe ambicie të njëjta. Kjo varet nga skenari…!

Por, lëre fare, se gazetarët e pakënaqur nga “nderi” i kreut të Ekzekutivit, kanë thirrur protestë te sheshi! Atë që nuk e bëri dot opozita me gaz lotsjellës, si duket Isa ia bëri vetes me gjuhën e pakontrolluar…! Ndoshta edhe jam gabim, ndoshta edhe kësaj radhe veç po kontrabandohet diçka krejt tjetër pas kësaj zhurme!

Të “lehura” publike ka shumë, jo vetëm nga gazetarët, sa që po duket se Qeverinë askush nuk e do! Kështu është kur kruhesh me gazetarë! Derisa kruhej me popull, askush nuk e bënte aq të madhe.
Pra, të shohim ditët në vijim, a do të marrim vesh: po ec apo po ngec karvani?