Përzgjedhësi i Egjiptit shpjegon kuptimin e gjestit me shkronjën “X” – zbulon edhe fjalët e Messit


Përzgjedhësi i Egjiptit, Hossam Hassan, ka zbuluar më në fund arsyen pse bëri gjestin kontrovers me duart në formën e shkronjës "X" gjatë humbjes 3-2 ndaj Argjentinës në fazën e 1/8 së finales së Kupës së Botës.
Hassan shkaktoi reagime të shumta kur kryqëzoi krahët dhe e drejtoi gjestin drejt arbitrit Francois Letexier në minutën e 98-të të takimit.
Egjipti kishte krijuar epërsi prej 2-0 ndaj kampionëve në fuqi të botës, por Argjentina realizoi një rikthim spektakolar, duke shënuar me Cristian Romero, Lionel Messi dhe Enzo Fernandez brenda vetëm 13 minutave.
Egjiptianët mbetën të pakënaqur me vendimet e gjyqtarit, veçanërisht pas anulimit të golit të Mostafa Zikos. Ata pretenduan gjithashtu se Mohamed Salah ishte penguar me faull në aksionin që parapriu golin e fitores të shënuar nga Enzo Fernandez në minutën e 93-të.

Në momentet e tensionuara të fundit të ndeshjes u përfshi edhe Lionel Messi.
Gjesti "X" zakonisht përdoret në futboll si sinjal për të raportuar raste të dyshuara të abuzimit racist dhe ishte parë edhe në përballjen mes Benficas dhe Real Madridit në Ligën e Kampionëve në fillim të këtij viti.
Megjithatë, më shumë se një javë pas eliminimit, Hassan ka sqaruar se gjesti i tij nuk kishte lidhje me racizmin dhe ka treguar edhe çfarë ndodhi në përballjen me Messin.
"Ai gjest nuk kishte të bënte me racizmin. Po i thosha gjyqtarit: 'Nuk po tregon drejtësi'", deklaroi Hassan për The Sun.
Ai zbuloi se Messi iu afrua menjëherë pas incidentit.
"Messi erdhi tek unë dhe më tha: 'Pse? Pse?' Nuk e di çfarë tjetër tha. Ishte një nga rastet e rralla kur Messi u përfshi në debate gjatë një ndeshjeje”.
“Në fund ai përfundoi duke qarë, sepse po e përjetonte emocionalisht atë që po ndodhte. Ne ishim një ekip shumë i fortë dhe i vumë në vështirësi”.
“Unë vendosa të mos i përgjigjesha dhe të shmangia çdo përplasje verbale me të, nga respekti për karrierën e tij", përfundoi Hassan./Telegrafi/












































