LAJMI I FUNDIT:

Përse Donald Trump e largoi Rex Tillersonin?

Përse Donald Trump e largoi Rex Tillersonin?

Nuk ka asnjëherë një moment të mërzitshëm, në Shtëpinë e Bardhë të Donald Trumpit.

Trump e ka tronditur me themel ekipin e tij të sigurisë kombëtare, vetëm pak ditë pasi shpalli një sipërmarrje diplomatike me përmasa historike me Korenë e Veriut. Të martën në mëngjes, presidenti largoi pa shumë ceremoni Sekretarin e Shtetit Rex Tillerson (që thuhet se e mësoi shkarkimin prej postimit të Trumpit në Tuiter), duke e zëvendësuar atë me drejtorin besnik të CIA-s, Mike Pompeo. Trumpi po promovon edhe Gina Haspelin, zëvendës drejtore e CIA-s, duke e vënë në krye të agjencisë. Ajo do të jetë e para grua që merr frenat e agjencisë 70-vjeçare të spiunazhit. Të dy pozicionet duhet që të marrin konfirmimin në Senat, por gjasat janë që Pompeo dhe Haspel të konfirmohen (edhe pse dëgjesa për Pompeon mund të jetë pak më e vështirë).


Po pyetja është: Përse largohet Tillerson? Çfarë e shkaktoi këtë shkundje të madhe në sigurinë kombëtare?

Gjithçka mund ta dallosh në vlerësimin që Presidenti i bëri Pompeos: “Shumë energji, shumë intelekt. Ne jemi gjithmonë në të njëjtën gjatësi vale. Marrëdhënia ka qenë shumë e mirë, dhe këtë kam nevojë unë nga një Sekretar Shteti”.

Jemi në të njëjtën gjatësi vale. Kjo është kyçe. Që nga dita e parë, refuzimi i Pompeos për t’u ndarë publikisht nga Trumpi, gatishmëria e tij për të dalë garant për informacionet dhe besueshmërinë shpesh të dyshimtë të shefit të tij, e kanë bërë Trumpin të mendojë se mos Pompeo, i cili e informon Trumpin përditë dhe e takon më shpesh se sa Sekretari i Shtetit, do të ishte më mirë si kryediplomat i tij?

Pompeo është tipi që i përshtatet Trumpit. Ai do e mbrojë shefin me çdo kusht. Kjo lloj besnikërie ka qenë gjithmonë absolutisht kritike për Trumpin.

Tillerson, sigurisht, nuk ishte i tillë.

Ish Drejtori i Përgjithshëm i ExxonMobil e ka quajtur presidentin “moron”, pas një mbledhje verën e kaluar – dhe më pas nuk e mohoi. Që nga ajo kohë, ai i ka kaluar gjashtë muajt e fundit duke luajtur një pjesë shumë të vogël në procesin e politikave egocentrike të presidentit. Tillerson e kundërshtonte Trumpin për gjëra të mëdha e të vogla. Sa për një shembull, pak orë përpara se të shkarkohej, Tillerson u duk se u distancua nga presidenti duke fajësuar Rusinë për një sulm me gaz nervor në Angli.

Gjëra të tilla zor se i shpëtojnë vëmendjes së Trumpit. “Marrëveshja e Iranit. Ai mendonte se ishte në rregull. Nuk mendonim njësoj”, tha presidenti.

Por le të jemi të sinqertë. Në të vërtetë ka qenë ajo shprehja “moron”. Ai ishte fillimi i fundit. Nëse ka një gjë që komandanti ynë i përgjithshëm “gjeni shumë i qëndrueshëm” nuk e duron dot, është që të fyhet dhe të pengohet. Nuk kish shanse që Tillersoni të zgjaste. Në disa drejtime, është e habitshme që zgjati edhe kaq shumë.

Dhe tani Amerika do të ketë një tjetër Sekretar Shteti, më besnik.

Si do të jetë Departamenti i Shtetit i Pompeos? Kur të jetë përballë komitetit të marrëdhënieve me jashtë në Senat, ai me siguri do të merret në pyetje nga demokratët dhe republikanët, nëse do ta ribëjë departamentin, i cili është dobësuar nën TIllersonin. Megjithatë, çfarëdo që ai të thotë, nuk do të jetë shumë pengesë. Senati do të dojë që Trumpi të ketë një ekip të plotë përpara fillimit të negociatave serioze me Korenë e Veriut. Ata gjithashtu mund ta shohin Pompeon si dikë që mund ta shtyjë Trumpin të bëjë një hap prapa, kur flitet për luftën tregtare.

Ndërkohë, Haspel, një njeri i respektuar në CIA, do të përballet me pyetje në lidhje me njohuritë e saj për politikat e CIA-s për ndalimin, marrjen në pyetje si dhe gatishmërinë për të thënë të vërtetën para presidentit, sidomos kur flitet për Rusinë. Ajo do të mbikëqyrë reagimin e fshehtë të Amerikës ndaj ndërhyrjeve ruse në zgjedhje, dhe në fund të fundit, njohuria e saj është më e thellë se e Pompeos. Gjasat janë që Trumpi të lëvdohet nga profesionistët e sigurisë kombëtare për këtë zgjedhje.

Mësimet e largimit të Tillerson duhet të jenë të qartë për anëtarët e ekipit të Trumpit: Don’t cross the boss! (Mos ia zër rrugën shefit). Ai thjesht nuk e duron dot. /Bota.al/