LAJMI I FUNDIT:

“Përmbledhje shkrimesh” të Jahja Llukës

“Përmbledhje shkrimesh” të Jahja Llukës
Jahja Lluka
Çështja shqiptare dhe strategjia kombëtare
Lexo po ashtu Çështja shqiptare dhe strategjia kombëtare

Nga: Flori Bruqi

Në mesin e vargut të shkrimeve publicistiko-historike në Kosovë, është edhe vepra e publicistit e shkrimtarit pejan, Jahja Lluka, me titull “Përmbledhje shkrimesh”, që është botuar në “Akademinë e Shkencave dhe Arteve Shqiptaro-Amerikane”, në Nju-Jork, ndërsa është shtypur nga “Dukagjini”,


Në librin në fjalë janë hulumtuar mjaftë mirë marrëdhëniet shqiptaro-osmane: shqiptaro-serbo-malazeze; ruso-osmane-serbe e të tjera, duke fillua nga shekulli XV-të, deri te Rilindja kombëtare si dhe historia më e re e shqiptarëve në Republikën e Kosovës.

Ky libër është i shkruar me gjuhën e fakteve për kolonizimin e Kosovës nga serbo-malazezët si dhe shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet stërgjyshore. Eksode masive, vrasje, dhunime, burgosje, tortura të papara nuk u ndalën përgjatë më shumë së një shekull. Sidomos, regjimi serb donte t’i çrrënjoste shqiptarët. Planet e tyre kanë qenë sa më shumë krime e më pas të asgjësohen argumentet.

Është ky një libër për të gjithë ata që dëshirojnë të mësojnë më shumë për historinë e dhembshme të popullit shqiptar. Kur është fjala te kontestimi i Jugosllavisë së atëhershme që Kosovën e mbante peng, ngjarjet s’mund të trajtohen ndryshe pos si një shpërthim i llavës së pakënaqësisë që ishte akumuluar. Zërit të atdheut, thotë autori i librit, iu përgjigjën të gjithë shqiptarët. Nuk mund të rrinin në një bashkësi më të cilën nuk kishin asgjë të përbashkët – as gjuhën, as traditat, as etnitetin. Ata nuk mund të rrinin në kuadër të një bashkësie padronësh dhe të nënshkruarish. Prandaj, si të gjitha kombet e qytetëruara, edhe shqiptarët menduan për çlirimin e tyre. Atë e bëri populli dhe pjesëtarët trima të UÇK-së, bashkë më NATO-n.

Vlen të thuhet se ky është libër për të gjithë ata që dëshirojnë të mësojnë më shumë për historinë e dhembshme, por krenare të popullit shqiptar deri në ditët e sotme. Shumë fakte kishte filluar t’i mbulojë pluhuri i harresës historiografie. Por, Lluka me këtë libër lë gjurmë në ruajtjen e traditës historike e kombëtare, gjithnjë duke u bazuar në të dhëna faktike, dokumentare e gojore rreth të kaluarës dhe të tashmes së shtetit më të ri në botë. Sigurisht që puna e autorit do t’i shërbejë gjurmueseve dhe studiueseve të Kosovës, si një nismë e mbarë për ta ndriçuar në mënyrë të gjithanshme vërtetësinë etnike shqiptare, për të paraqitur realisht luftërat dhe mbijetesën.

Është meritë e veçantë e autorit që problemet e shtjelluara në këtë vepër me peshë janë të shpjeguara me një stil të rrjedhshëm që të mban të lidhur nga një pjesë në tjetrën.