0Shares

Në radhë të parë llogarisni koston e blerjes së qenit dhe të aksesorëve. Pastaj vazhdoni me sterilizimin/kastrimin dhe identifikimin. Së fundmi, por jo nga rëndësia, llogariten shpenzimet vjetore rutinë.

Përkujdesja rutinë

Ditore: Shëtitja, pastrimi i tasit të ushqimit/ujit, krehja, kontrollet për sjelljen, rripin, etj.
Mujore: Trajtimet antiparazitare, kontrolli për pleshta dhe ecurinë shëndetësore të qenit
Vjetore: Vaksinimet dhe kontrollin veterinar

Fëmijët dhe qeni

Fëmijët duhet të mësohen ta respektojnë qenin dhe të sillen me të në mënyrë korrekte. Qentë janë shumë tolerantë me fëmijët, por kjo gjë nuk duhet testuar kurrë. Mësojini fëmijës që të mos e ngacmojë qenin, ndërsa ai ha dhe pushon. Mirë është që fëmijët të mos lihen kurrë vetëm me një qen, transmeton Telegrafi.

Përkujdesja për veshët

Nëse qeni ka veshë, në dukje të pisët, dhe i kruan ato, hapi i parë është vizita tek mjeku për trajtim për morra ose infeksione. Nëse veshët janë të shëndetshëm, por të pisët, ju mund të merreni vetë me pastrimin e tyre.

Veprohet sipas udhëzimeve të veterinerit. Me anë të një pambuku, të lyer me substancën pastruese, të rekomanduar nga mjeku, pastrohet pjesa e vrimës së jashtme të veshit. Forca që ushtrohet duhet të jetë e lehtë. Ju duhet të vazhdoni të pastroni deri në pikën ku gishti futet lirshëm, pra jo më thellë.

Qeskat anale

Këto qeska, të vendosura anash unazës anale, prodhojnë një lëndë kafe, me erë të rëndë, të yndyrshme. Një sasi e vogël lëngu zbrazet gjatë defekimit. Nëse për ndonjë arsye lëngu në qeska trashet, është më e vështirë për ta evakuuar dhe, si pasojë, tejmbushja shkakton irritim dhe/ose dhembje.

Kur ndodh kjo, qeskat duhen zbrazur tek mjeku. Kjo gjendje mund të dallohet kur qeni i kushton shumë vëmendje pjesës së prapme të tij, ose kur ai zvarritet përgjatë dyshemesë.

Si mund të veprojmë me feçet në ambientin e jashtëm?

Është e nevojshme që feçet të mblidhen nga pronari në gazeta apo në materiale të biodegradueshme dhe të hidhen në koshat e plehrave. Qëllimi është që të parandalohen përhapjet e sëmundjeve (si krimbat apo viruse) dhe se askush nuk e do një ambient të ndotur.

Këshilla praktike:

* Në kohë të ftohtë është e rekomandueshme që qenve në moshë dhe racave të vogla t’u vishni një rrobë për t’i mbajtur ata ngrohtë.

* Mos i jepni asnjëherë qenit ilaçe për përdorim njerëzor. /Telegrafi/

Të Ngjajshme
Shfaq Komentet (0)