eksperti ad

Ajo që duket si lodhje pas lojës në plazh, ndonjëherë mund të fshehë një problem më serioz për kafshën tuaj

Pronarët e qenve që jetojnë në vende bregdetare kanë mundësi të shëtisin në plazh me kafshët e tyre sa herë që dëshirojnë. Megjithatë, shumë prej tyre kanë dilema: a dinë të gjithë qentë të notojnë në det dhe a është uji i kripur i dëmshëm për stomakun e tyre?


Uji i detit mund të jetë burim rreziku për qentë, ndërsa noti në det dallon nga noti në liqene, lumenj apo pellgje.

A dinë të gjithë qentë të notojnë?

Jo të gjithë qentë kanë prirje natyrale për not. Qentë me kraharor të gjerë, si pitbulli, mund ta kenë më të vështirë të notojnë. E njëjta vlen edhe për qentë me trup të gjatë dhe këmbë të shkurtra, si jazaviçari dhe korgi. Qentë me turinj të sheshtë e të gjerë, si bulldogu, mund të kenë vështirësi në frymëmarrje, ndërsa qentë e vegjël, si terrierët, lodhen shpejt gjatë notit.

Racat që shpesh mund të kenë probleme me notin janë: bokseri, baseti, mopsi, bulldogu, bull terrieri, jazaviçari, korgi, pekinezi, maltezi, chow chow, shar pei, shih tzu, terrieri skocez dhe racat xhuxhe.

Megjithatë, edhe nëse keni një qen që i përket njërës prej këtyre racave, kjo nuk do të thotë se ai nuk mund të notojë fare. Por do të thotë se pronari duhet të jetë gjithmonë pranë tij dhe se qeni duhet të mbajë jelek shpëtimi.

Aftësinë e qenit për not duhet ta testoni në ujë të cekët dhe të sigurt, pa rryma, ku ai mund të hyjë dhe të dalë lehtë. Mësojeni qenin me ujin që në moshë të hershme, fillimisht në një pishinë të vogël, e më pas gradualisht në hapësira më të mëdha ujore. Nëse plazhi do të jetë pjesë e përditshmërisë suaj, është mirë që kafsha të mësohet me ujin sa më herët, transmeton Telegrafi.

A mund të notojnë qentë në det?

Qentë mund të notojnë në det, por vetëm me masa të duhura kujdesi. Disa nga rreziqet që lidhen me notin në det janë: valët, kripa dhe gjallesat detare.

1. Shmangni ujin e trazuar

Kushtojini vëmendje baticës, rrymave nënujore dhe kushteve të momentit. Mos e lejoni qenin të hyjë në valë të larta, edhe nëse është mësuar me detin.

2. Mos e lejoni qenin të pijë ujë deti

Gjatë notit dhe lojës në plazh, qeni mund të ketë etje, por nuk duhet të pijë ujë deti. Uji i kripur mund të shkaktojë dehidratim dhe diarre.

3. Kujdes nga gjallesat detare

Në sipërfaqen e detit qeni mund të argëtohet shumë, por nën ujë mund të fshihen rreziqe. Mos e lejoni qenin të lëpijë ose të hajë kandilë deti, guaska, yje deti apo iriqë deti, sepse disa prej tyre mund të përmbajnë toksina të dëmshme për kafshën. Edhe algat e kuqe mund të jenë shumë të rrezikshme, si për qentë, ashtu edhe për njerëzit.

4. Vëzhgoni frymëmarrjen, të vjellat dhe kruarjen

Pas notit në det, kushtojini vëmendje frymëmarrjes së çrregullt, të vjellave ose kruarjes së vazhdueshme. Këto mund të tregojnë se qeni është lodhur tepër, ka gëlltitur ujë të kripur ose ka pasur kontakt me ndonjë gjallesë detare.

Sa gjatë duhet të notojë qeni në det?

Edhe nëse qeni juaj nuk dëshiron të dalë nga uji, bëjini disa pauza. Valët mund ta lodhin shpejt dhe t’ia vështirësojnë kthimin në breg.

Nëse qeni kollitet pas notit, mund të ketë gëlltitur shumë ujë. Diarreja është një tjetër shenjë e mundshme e pirjes së ujit të kripur. Nëse shfaqen këto simptoma, kontaktoni veterinarin.

Qeni nuk ndalet së kruari pas notit

A mund të kenë qentë kruarje pas notit? Po, disa qen mund të kruhen vazhdimisht pasi kanë notuar në det. Shkaku më i zakonshëm është i thjeshtë: shumë rërë dhe kripë në gëzof.

Për këtë arsye, pas kthimit nga plazhi është e rëndësishme ta shpëlani mirë qenin, mundësisht me një shampo të butë që qetëson irritimin e lëkurës. Nëse kruarja vazhdon, mund të bëhet fjalë për alergji ose reagim ndaj ndonjë gjallese detare, prandaj këshillohuni me veterinarin. /Telegrafi/