LAJMI I FUNDIT:

Përjetësimi letrar

Përjetësimi letrar
Ilustrim

Nga: Violeta Allmuça

Krijuesi, qysh kur ka filluar të shkruajë një libër, ka zbuluar brenda botës së madhe edhe një botë tjetër, që quhet bota e tij e artit për ta publikuar në botën njerëzore. Mendimit për të sjellë një vepër artistike, poezi apo roman, me synimin e rrëfimit të vetes, hapësirës dhe kohës së jetës së krijuesit, i përgjigjen sistematikisht disa pyetje të vështira. A e ka zhvilluar ky libër majën e thurjes së mendimit e vlerësimit? A e ka ky libër rrjedhën e vështrimit dhe studimit kritik? A janë disa rezultate në pajtim ose mospajtim me shkrimin e një libri që lidhen si një tërësi rezultatesh apo një vizion dhe fantazi e shkrimtarit? Çfarë ndodh me rivlerësimin e të tjerëve, për atë që i paraqet lexuesit? Letërsia e mirëfilltë, si gjithmonë për të qenë objekt i mendimit artistik, duhet pranuar që duke pasur koherencën letrare, t’i shpallë lidhjet pa komplekse të dialektikës mes krijimit dhe mendimit. Po ashtu, koncepti i interpretimit dhe shqyrtimit duhet kuptuar si një veprim letrar dhe ndërveprim studiuesish.


Veçantitë e shkrimit të një libri mbështeten në çështjet e tërësores dhe shpirtërores, ku dëshmohet veprimi i fushës së ekzistimit të një vepre po aq letrare, sa edhe mendimi për realizimin e sistemit analitik dhe estetik. Tërësia e strukturës së një vepre letrare mund të kuptohet nëse lënda e krijimit përmbush kuptimin e drejtë të shkrimit. Në fund të fundit pyesim: A e pranojnë shkrimtarët se kanë nisur të bëjnë një vepër letrare me një kombinim të përbashkët krijues dhe studiues? A duhet të bashkohet dokumenti i krijuesit me veprimin hulumtues dhe kritik? Studimet e mëtejshme në kohët e sotme, ndërsa e ngritin lart funksionin e krijimit artistik, i kujtojnë autorit të mos harrojë edhe funksionin estetik apo mendimin letrar, në radhë të parë, të lexuesit që strukturën e asaj çka lexojnë duan ta ndiejnë në tërësinë e tyre shpirtërore. Letërsia e Rilindjes Kombëtare jo vetëm që shkruhej shqip me idenë e çlirimit kombëtar, jo vetëm i mëshonte bashkimit kombëtar, por ajo pati jehonë në epokën e saj, megjithëse momenti artistik, veçanërisht në poezi, nuk ishte dominues. Formësimi si art letrar shfaqet pas viteve ’30, ndërsa pas vitit ’45 arti dhe krijimi u kthyen në përkrahës të ideve ideologjike gjatë rendit shoqëror të kohës, ku spikati edhe letërsia, e disidentëve të regjimit, si Kasem Trebeshina, Visar Zhiti, Bujar Xhaferri etj., veprat e të cilëve morën edhe vëmendjen e kritikës dhe studimeve letrare që i quajti edhe “disidentë” estetikë.

Botëkuptimi mbi artin dhe letërsinë pas viteve ’90 nxiti prodhimin artistik dhe mori hov, përkundër heroizmit të lirisë, ndërsa ra në sy numri i madh i krijuesve në shoqërinë shqiptare të kohës. Ndryshimi i dukshëm i strukturës krijuese me ndërrimin e mendimit, reflektimit mendor dhe shpirtëror, kërkoi të ishte i qenësishëm në tërësinë krijuese dhe pak e pohuar në sferën e mendimit kritik. Sot kemi një tip tjetër krijuesi që sjell një formë të re, një stil të ri, që kemi pasur privilegj ta konstatojmë si një përvojë të re.

Sot gjithçka letrare ose joletrare lejohet, mu siç edhe pritej, sepse edhe liria ishte qëllim në vetvete. Jetët dhe fatet njerëzore në mënyrë të vetëdijshme po sjellin sot edhe krijuesit e socrealizmit në veprat letrare si përsëritje të rrëfimit në kuptimin e kohës së re. Po ashtu, edhe krijuesit e pas viteve ’90 kanë rritur sasinë e botimeve, duke pasur si kuptim vetëm iluzionin e të qenit vepër letrare, sipas frymës estetike. Mendimi kritik çuditërisht ende mungon. Tipi i krijuesit të sotëm që ka thyer zinxhirët e së shkuarës në diktaturën komuniste, i cili synon shpalimin estetik nëpërmjet gjuhës artistike, vijon ta rikrijojë lëndën e tij, jashtë konceptit dhe përvojës që ka ekzistuar, në zbulimin e heroit dialektik dhe ligjeve të mohimit të “heroit” të shkuar, si “antiheroi” i sotëm. Por, ashtu si jeta njerëzore shkon në vazhdimësi, edhe fjala artistike ndjek rrugën e vet. Shkrimtari i sotëm e vendos prototipin letrar si një objekt mohues, dobia e të cilit, meqë nuk ka përligjur lirinë, e kthen në tendencë jashtëkohore. Letërsisë që i thyhen prangat shpirtërore me ndërgjegjen e lirisë e bën dukshëm të arsyeshëm ndjeshmërinë e krijuesit që lëshohet vrullshëm sipas përvojës së tij morale, estetike dhe artistike. Tipari i krijuesit të sotëm, meqenëse në art duhet të mbizotërojë estetikja, e ka kthyer interpretimin e veprës letrare në rrafshin e “vetëreklamës” duke e menduar librin si një “kryevepër” të tij, pa mendimin kritik dhe studimor, nëse ajo është dhe do të mbetet një vepër letrare e vërtetë.

Veprat e Naim Frashërit, Jeronim de Radës, Ndre Mjedës, Asdrenit etj., me theks romantik gjithherë përmes poezisë, sollën libra me tematikë kombëtare dhe identitet kombëtar. Ndaj veprat e tyre, përvoja krijuese, hulumtimi i gjatë, përfshirë edhe mendimin kritik të mëvonshëm, siç bëri Konica edhe si kritik letrar, Fishta, Çajupi, Fan Noli etj., tërhoqën vëmendjen e lexuesit. Lasgush Poradeci vjen me poezinë lirike moderne shqiptare duke vlerësuar edhe anën estetike të veprës letrare. Ai ka arritur në nivelin e vetëdijes deri te lexuesit e sotëm, edhe pse nuk shkroi me metodën e realizmit socialist. Veprat e shkrimtarëve të Rilindjes Kombëtare (1836-1912) mbeten edhe pas 183 vjetësh gjithnjë të lexueshme deri në ditët e sotme, pasi duket se e kanë arritur përjetësimin letrar.

Letërsia pas vitit ‘45, për afër gjysmë shekulli si pasqyruese e një kohe letrare, ishte në shërbim të ideologjisë së realizmit socialist. Me misionin e artit “popullor”, me parimin e letërsisë së partisë, në aspektin bashkëkohës, krijuesin intelektual apo të “klasës” punëtore e shtynte në dhënien e një interpretimi anësor që i shërbente dhe ishte i përshtatshëm për regjimin. Veprat e Dhimitër Shuteriqit, Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit e të tjerëve, edhe pse kishin afër kritikën e kohës, si reflektim që e plotësonte këtë mision, kjo letërsi nën totalitarizëm nuk do të ishte e lirë. Lënda shpirtërore dhe liria e krijuesit ishin “vdekjeprurëse” në aspektin e krijimit dhe inter¬pretimit të veprës ashtu siç u rrënua edhe fjala hyjnore. Ndaj kjo letërsi, me përjashtim të pak krijuesve, nuk arriti të shfaqet si letërsi përjetësuese. Kujtojmë këtu se vepra e Kadaresë u ekuilibrua pas suksesit universal edhe në letërsinë shqipe. Dritëro Agolli mbeti shkrimtari më origjinal që iu qas lexuesit popullor me veprën e tij. Çështja e atëhershme mbetej të mos përulej sistemi. Jo të gjithë shkrimtarët ndoqën metodën e socrealizmit siç ishin: Jakov Xoxa, Frederik Rreshpja, Zija Çela e të tjerë, të cilët sollën vepra me elemente realistë e ndjeshmëri moderne në poezi e prozë. Kritika letrare e kohës e shënjoi këtë moment si një përshkallëzim vlerash në krijimtarinë me frymën e kohës. Regjimi me misionin e tij mundi ta gjymtonte lirinë e çdo krijuesi që nuk i shërbente historisë së monizmit. Megjithatë letërsia e realizmit socialist me prurjet në poezi e prozë duhet studiuar me vëmendje për vlerat dhe antivlerat letrare, dhe jo vlerat ideologjike. Vlera përbëjnë ato vepra që lexohen edhe sot, që do të lexohen nesër dhe në të ardhmen si një letërsi e mirëfilltë.

Pluralizmi i ideve pas viteve ‘90 krijoi një letërsi ku dominoi përpjekja për ta sublimuar lirinë me vepra polivalente. Shkrimtarë të njohur si Fatos Kongoli, Luljeta Lleshanaku, Ervin Hatibi, Fate Velaj e të tjerë kanë sjellë vepra të reja ku frymon plotësisht liria e munguar, një letërsi moderne, drejt një stili individual, ku shihen vlerat estetike, liria shpirtërore, një formë e re dhe një përvojë universale.

Sot botohen libra pafund. Për fat të keq, nga të ashtuquajturit “kritikë” shkruhet përgjithësisht për çdo vepër letrare, duke lënë në hije edhe ndonjë krijues të vërtetë. Shumë pseudoshkrimtarë e kanë kthyer fushën e letrave në një duel, ku veshjes artistike dhe lëndës letrare nuk i vishet mendimi kritik dhe estetik. Hulumtimi i faktorëve sa artistikë dhe estetikë, mendimi mbi veprën apo vlerën e një libri, mjeshtëria e shprehjes artistike e të tjera, kur letërsia merr vlerën e artit, vetëm studimet letrare dhe rrjedha kritike mbeten një argumentim përbërës që çon në përjetësinë e veprës letrare. Ndoshta do të duhet shumë kohë të evidentohen vlerat artistike dhe estetike të letërsisë së sotme që dallohet nga letërsia shqiptare e mëparshme. /Revista “Akademia”/Telegrafi/