LAJMI I FUNDIT:

Përjetësia e dashurisë si mit i jetës së përditshme

Përjetësia e dashurisë si mit i jetës së përditshme

Rreth librit me poezi të Jahja Llukës, “Përjetësisht në dashuri”, poezi, 2021

Nga: Prend Buzhala


Diku thuhet që njerëzit që dashurojnë, janë më të mirët. Më shpirtmirët. Pikërisht për arsyen pse dashuria është ndjesi sublime, e pastër, me mirësi të pafund. Dhe, secili varg dashurie i Jahja Llukës pikon mirësi e dashuri, pastërti ndjesie e grishje për afrim shpirtrash të dashuruar. Fund e krye, ky vëllim përbëhet nga lirikat e dashurisë.

Nëse në dy ciklet e para (“Një fjalë nga ti” dhe “Kam frikë kohën pa ty”), ajo është ndjenjë qind për qind mbizotëruese, edhe te cikli i tretë (“Sikur të jetë dita e fundit mbi këtë botë”), kjo ndjenjë mbizotëron, sado që ka lirika refleksive për qenien njerëzore, apo për miqtë, apo ndonjë biografemë lirike që evokon burgun e lirisë (“Liria”), është folësi lirik i dashuruar. Kudo e kudo folësi lirik ligjëron për veten e tij: si ndjehet kur është i dashuruar, cilat janë situatat e dashurisë nëpër të cilat ai jepet pas lektisjes së saj, cilat janë kujtimet, ndarjet, përafrimet. Dhe, kur e ka pranë këtë qenie të gjinisë së kundërt, që e dashuron, te ai zgjohen ndjenjat e së bukurës, ka një zgjim ndjesish ndaj gjithçkaje të bukur në natyrë, që dhuron dritë, frymëmarrje, dritë, gëzim; apo zgjim përjetimesh në 93 çastet e lumtura, të gëzueshme, me gjithçka të mirë në jetë, duke e përqasur atë me imazhet e pamjet e natyrës e të çastit erotik-dashuror. Dhe e kundërta, si ndihet kur nuk e ka pranë të qenie, kur ndjehet i vetmuar, kur mbushullojnë heshtja e sidomos, zbrazëtia, një leksemë shpesh e përsëritur nëpër vargje.

Këtë vëllim po e kundrojmë në tri aspektet e saj: semantike, erotike e poetike.

1. Semantika: idealizimi i ndjenjës së dashurisë Libri mban titullin “Përjetësisht në dashuri”

Vërtet, a ekziston dashuria e përjetshme? A ekziston kjo ndjesi me përsosmërinë e pafund? Me qëndrueshmërinë e paanë të këtij emocioni të bukur? Poeti lutet e lektiset: “Eja dashuri / Të nisemi drejt yjeve / E në shkëlqimin e tyre / Dashuria të na përjetësojë”.

Kështu e gjakon dashurinë poeti:

“E të më thoshe mua / Se më do përjetësisht”!

Kështu dëshiron ta ndërtojë komunikimin e tij ideal me dashurinë. Ç’ është e vërteta, janë dy vetje që fund e krye këtij vëllimi kanë botën e vet, qiellin e vet, hapësirën e vet të ndjesisë dhe dashurisë: një unë që ligjëron në veten e parë, që merr rolin e folësit lirik, që dashuron pafundësisht e që i drejtohet një subjekti tjetër të dashuruar, një Ti, qenies-femër. “Bota e dashurisë sillet rreth dashurisë, i nënshtrohet dashurisë dhe hyn në dashuri”, thuhet e “Upanishadat” (III.6) e që janë tekste të moçme sanskrite indiane, të cilat janë edhe pjesë të vedave indiane.

Protagonisti lirik e përjeton amshueshëm një çast dashurie: “Sa doja që ato momente të zgjatnin përjetësisht. / Sa doja që ti të ishe e imja përherë”.

Të duket, pra, që kjo ndjesi është përgjithmonë e pa harxhuar: “Lutem për ne / Kjo dashuri nuk dua të mbarojë. / E paprekshme, porse rrathët e valët e kësaj ndjesie shpesh e shpesh lëkunden. / Nuk mund të ketë / E kujton ndonjëherë / Sa të lumtur ishim / Si dy mjellma / Përjetësisht në dashuri”.

Nuk mund të ketë mirëkuptim të përsosur, për shkak se moskuptimet janë pjesë e botës së brendshme të individit, kur ai as veten nuk e kupton: “Ne bijtë e Adamit, / të hedhur si fara e grurit nëpër planetë, / ndonjëherë dimë çfarë duam, ndonjëherë as veten s’e kuptojmë. / Larg ëndrrat tona shtrihen si oqeane të gjata e të pafundme. / Dashuritë si dhe urrejtjet zemrën na mbizotërojnë, / varet se kush triumfon. Moskuptimet janë edhe pjesë e kësaj ndjesie dialektike të jetës: “Kur njerëzit e dëgjojnë më shumë vetveten se tjetrin”. Porse folësi lirik sikur nuk dëshiron të çlirohet nga ky iluzion i kësaj përsosmërie, për shkak se ndjenja e tillë tingëllon si dashuri e pakushtëzuar, e magjishme, mrekullibërëse. Dashuri e idealizuar. Të përjetshme: “E bota është e vjetër / Aq sa nuk mund ta mendojmë / E bota është e bukur / Aq sa ti / Dhe kurrë dorën mos ma lësho / Nën hirin e Adamit dhe të Evës / Ku shpërfaqen trupat tanë”.

Poeti këmbëngul në këtë idealitet, nuk heq dorë. Kjo do të thotë që ky personazh lirik e çmon vetveten, i çmon virtytet e veta, i gatshëm edhe të ndryshojë për hir të dashurisë, vetëm e vetëm që me të t’i ndajë vlerat e jetës, pa e nënvlerësuar qenien tjetër, femrën që do. Është ndjesi që ka hopet e veta, rritjet, ngritjet po edhe rëniet e veta. E pra, dashuria e përjetshme nuk është vetëm mit romantik, por edhe realitet i jetës së përditshme. Rëndom, në lirikat e tilla, protagonistët kanë vetëm një botë, atë tyre, asgjë nuk shohin jashtë botës së tyre: ata e shohin vetëm vetveten. Ekzistojnë vetëm dy veta. “E, nëse ekzistojnë, / ata në lirie përmenden si ziliqarë. / Në këtë botë ka aq shumë njerëz ziliqarë / Që të bukurën s’duan ta shohin. / Ata përqeshin, flasin pas shpine”. Ose: “Bota na flet / Na e kanë zili dashurinë tonë”. Ose: “Bota nuk ndalon / Së foluri”. Ose: “Bota le të na ketë lakmi / Bota le të na ketë zili”.

Madje, në krahasim me universin e pafund të dashurisë, poeti pohon me përulje: “Bota është e vogël”. E, nëse ndonjëherë e hedh syrin jashtë, ai e përqas këtë ndjenjë, në formën e imazhit të paralelizmit figurativ (figurë edhe stilistike), me stinët dhe kohën dhe stinët (në këtë vëllim ka disa poezi përqasjesh të tilla me pranverën, verën, vjeshtën dhe dimrin) apo me orën, me matjet e saj dje, sot, nesër, përgjithmonë. E vë në përqasje edhe me hapësirën (afër, larg, askund, gjithkund). Në këtë kohë-hapësirë njeriu ose është fitues, ose humbës. Të duket si një lojë, e cila e shtyn individin për ta përqafuar mendimin se sa e madhe është dashuria, sa e madhërishme është e bukur, si kategori estetike, që lind nga dashuria: “Aq e bukur sa nuk mund ta imagjinoj / Portreti yt Madhështor / Dua të shkrihem nën hirin tënd”. E pra, bukuria më e paanë, lind nga dashuria. Ajo është bukuri-krijuese. Vetëm ata që janë ziliqarë, janë të verbër për të mos e parë këtë bukuri (“Në këtë botë ka aq shumë njerëz ziliqarë / Që të bukurën s’duan ta shohin”).

Poeti i shkruan vargjet me shpirt e zemër, me afshin që shpesh kufizon me lektisjen. Shkruan kësisoj, i bindur se për ekzistencën e kësaj bote, dashuria është edhe burim jete, edhe burim lumturie e kënaqësie. Janë vargje për fuqinë e dashurisë. Te e fundit, të gjithë njerëzit u krijuan nga dashuria dhe nga përhapja e saj, siç na ligjëron poezia e realizuar artistikisht “Sa është bota e vjetër”: “E bota është e bukur / Aq sa ti / Dhe kurrë dorën mos ma lësho / Nën hirin e Adamit dhe të Evës / Ku shpërfaqen trupat tanë, / Atje ku pasardhësit tanë, / Do ngjizen / Si shkëndijë / E do vijnë pas nesh / Si zogj të vegjël”.

Pothuajse, te shumica e lirikave ai e shfrytëzon çastin lirik për ta portretizuar të dashurën, për ta kënduar bukurinë shpirtërore e fizike të saj, po edhe për ta cilësuar vazhdimësinë e jetës si fryt i dashurisë. Lidhja e tillë e ngushtë shpesh në teori të letërsisë quhet edhe erotikë.

2. Erotika situatat e dashurisë

Të shumta janë situatat e dashurisë që na i vë në tryezën e lexim-përjetimit kjo lirikë. Personazhi lirik kalon nëpër shumë rrathë e faza të saj, në një shumësi marrëdhëniesh, gjithnjë me këmbënguljen se vetëm dashuria e fortë i kapërcen pengesat dhe situatat. Për më tepër, nuk janë të rralla situatat kur kjo erotikë e çon folësin lirik në gjendje melankolie e trazimi. Nëse besimi është i lëndueshëm, i brishtë, poeti herë mallkon, herë lutet: “Pa lamtumirë u largove / si s’pate frikë se do të zë mallkimi im”… ose: “Ndeza një qiri / Dhe në flakën e tij / Lutem për ne / Kjo dashuri nuk dua të mbarojë”.

Në këso çastesh, ajo është e bukur, e butë, shpesh edhe lozonjare, e kur ka braktisje. I vetëdijshëm se besimi është ndjesi e brishtë, që thërrmohet lehtë, e besa edhe e rrezikshme; protagonisti i dashuruar lirik përpiqet me të gjitha forcat, me durim e vullnet të madh t’i dalë në fund këtij besimi e mirëkuptimi. Ndryshe nga sugjerimet që t’i ofron jeta (për të mos vendosur qëllime të paarritshme, se jeta ka sfida), ai s’heq dorë: një joshje ndaj njëri-tjetrit duhet të qëndrojë përgjithnjë. Për më tepër, këto sfida shpesh e shpijnë njeriun në grindje, ndarje, përplasje, mosmarrëveshje… në dobësim të këtyre raporteve.

Të gjitha këto i shkruan e rishkruan, i këndon dhe i rikëndon Jahja Lluka te ky vëllim. Ndryshe nga poetët simbolistë, metafizikë apo ata të përsiatjeve 100 filozofike mbi dashurinë që jepen në kërkime të misterit të kësaj ndjesie; Jahja Lluka na e fron në botë tjetër, një ndjesi krejt konkrete, që përafron me lirikën popullore: “E bardhë si bora më je / E bora më kujton në ty / Ashtu shndrit si dritë e hënës”.

Vendin kryesor te tipi i tillë i këndimit e zë bota intime. Sado që poeti është në moshë të shtyrë; sado që për dashurinë thuhet se i ka ligjet e zhvillimit me stinët e saj; ai e shqipton të vërtetën e madhe se dashuria nuk i përket vetëm një kishe, asaj të rinisë, pra, nuk është njëdimensionale. Poeti e universalizon këtë botë intime. Madje, ai nuk e jep as hapësirën urbane apo rurale të ambientit, as atë shenjën etnografike siç e ka lirika popullore. Protagonistët lirikë, nuk kanë as emra. As emra vendbanimesh. Nga të gjitha merr vetëm atë detaj për ta intimizuar dhe e universalizuar, për ta shijuar, përjetuar apo vlerësuar këtë gjendje të brendshme kënaqësie apo pakënaqësie. Në këtë lirikë nuk kemi as akte fejesash apo martesash, rite me unaza apo vello. Aq më tepër, poeti nuk ndien nevojë as të mitologjizojë, a të përdorë leksikun mitik të Amorit apo Erosit antik, siç i hasim me bollëk te poetët tjerë.

E mira e kësaj lirike është se nuk bën diferencim mes asaj që quhet lirikë dashurie apo erotikë; erotika nuk kuptohet si argëtim i personit të dashurisë, as si aventurë ndjesish. Nëse në situatat e takimeve, kjo marrëdhënie dashurie është pasiononte, është e natyrshme që ky pasion më vonë bie. Por te kjo lirikë kjo nuk ndodh. Kemi, prandaj, një tension gjithnjë të ngritur emocional. Këtë tension e mbajnë të ngritur si ndjenja e kënaqësisë, si ajo e pakënaqësisë, si ajo e hidhërimit si ajo e lumturimit, si situatat e shqetësimeve, ashtu edhe ato të përafrimeve e ikjeve, ndarjeve e përqafimeve, heshtjeve e urrejtjeve, lamtumirave dhe takimeve. “Shkelja e besimit dhe e dashurisë / Po të urrej / Se shkele mbi dashurinë / Kur t’i puthja sytë / Ti më paske gënjyer”.

Protagonisti lirik jepet pas kërkimit të domosdoshëm të kësaj marrëdhënieje intime, sepse e di që ajo është burim lumturie e mirëqenieje personale. Është ai raport që i ndihmon për ta kapërcyer ndjenjën e vetmisë, heshtjes apo ndarjes. Kur poeti këndon për pasionin e takimet e këtij emocioni, atëherë kufijtë mes botës së jashtme e intimes rrafshohen, shkëputet nga bota që e rrethon, pothuajse pasioni kalon në irracionalizëm, domethënë në ndezje, deri në ekstazë, me ligjërim të gjetur metaforik, ku gjithçka përjetohet si një parajsë (poezia “Perëndesha ime”). Madje, ky pasion i ndërdijes krijon situata zbrazëtie apo dëshpërimi, për të cilat poeti përzgjedh fjalët urrejtje e zbrazëti: “Unë pa ty jam një asgjë. / Andaj eja me mua. / Mos më thuaj jo. / Se pa ty jeta më është e zbrazët. / Pa ty jeta më është mërzi”. Apo në situatat e pritjes: “Çdo sekondë pa ty më duket i zbrazët. / Tiktaket e orës sikur më thonë sa i kotë jam”.

E kur këndohen situatat e mungesës, mospranisë, atëherë poeti hidhet edhe në grimca përsiatjesh, siç është poezia “E zbrazët është jeta pa ty”: “Gjithë bota ishe për mua. / Ah…tani çdo gjë është e zbrazët. / Si do ta kuptosh? / Ti nuk e di që hija jote për mua ishte gjithçka. / Sikur Hëna që i mungon natës / ashtu dhe mua më mungon ti”. Herën tjetër, krijuesi lirik e sheh dashurinë në lëvizje me të bukurën, me përjetimin e një vallëzimi; vallëzimi gjithnjë, në të kaluarën, është ndërlidhur me kremten e kësaj ndjesie: “Sikur të vije këtë natë / Me një fustan ngjyrë vjollce / Sa do doja të vallëzojmë së bashku / Nën valsin e lumturisë”. Edhe në lirikën tonë popullore kënga dhe vallja shkojnë së bashku, sidomos te këngët e dasmës. Nga ana tjetër, te kjo lirikë, gjithnjë iniciativën për t’ u afruar e dashuruar, e merr mashkulli, në rolin e folësit lirik.

Motivet e takimeve manifestohen si përafrime e përgjërime: Kurse situatat e vetmisë shfaqen si monolog lirik i erotikut në vetmi: “Këtë dimër jam i mallkuar ta kaloj në vetmi. / Sa të desha shpirti im / Sa të desha”. Ose kur kjo situatë vetmie kalon në një psiko-lirikë të bukur: “Tretem në vetminë e ftohtë. / Sikur ta dije… ah një ofshamë më del nga shpirti. / Më vjen të qaj, por nuk mundem. / Jam dehur nga gjithë kjo pritje, si një pacient kronik”. Ose: “Po ta dije sa të dua, / Do harroje vetminë, / si një flutur krah thyer do vije tek unë”.

Kudo, nëpër të gjitha situatat e tilla emocionale, dashuria shfaqet si flakë që nuk shuhet asnjëherë, flakë e pashuar gjatë gjithë jetës. Sytë e tu që shohin botën e bota për ty jam unë. Dhe, gjithçka në flakë le të digjet. Apo: “Ky qiri shkrihet Në flakën e tij / Ashtu shpirti im Shkrihet për ty”.

3. Poetika: rrafshet e këndimit lirik

Këso vargjesh, që na vijnë te ky vëllim, janë jehona të gazmendeve të tilla, jehona ritesh festive, jehona këngësh e perceptimesh popullore. Kund e kund ka edhe ndonjë këndim elegjiak të këtij zhanri. Kjo do të thotë që Jahja Lluka e pasuron lirikën e tij me disa tipa lirikë; prej odeve lirike solemne të dashurisë e deri te elegjitë; prej përsiatjeve të herëpashershme e deri te ndërthurja e këngës me vallen, prej lirikave me frymë të ngritur lartësuese e deri te ato të psikolirikës së trazimit dhe mallkimit. Nga poezia në poezi shpaloset kjo botë e pasur emocionale, sado që të duket e thjeshtëzuar a e njëanshme.

Vërtet që lirika i takon rrafshit të parë të këndimit, siç janë përshkrimet e situatave emocionale, pa pretendime për të thënë diçka të thelluar. Mirëpo, e mira e kësaj krijimtarie është se poeti shpesh ngrihet në rrafshin e dytë (rrafshi figurativ, me figurat e drejtpërdrejta të krahasimit dhe epiteteve të tipit të vargut “Sytë e zi si ulli”). Për ta bërë edhe një hapë më tej, më i shpeshtë e më i realizuar është ligjërimi metaforik: e ku e tërë një poezi merr kësi orkestrimi, e sugjeruar përmes stinëve (poezitë “Ngjyrat e vjeshtës” apo “Këtë dimër”), me imazhe të ndjera lirike. Metaforikë që shfaqet edhe përmes luleve (Poezia “Lulja ime e majit”), gjelbërimit, krahasimit me perëndeshën, ullirin etj. Poeti nuk reshtet pas figurimeve e tematizimeve të tilla të idealeve estetike, siç quhen shpesh këto në estetikë. /Telegrafi/