LAJMI I FUNDIT:

Periudha janar-maj, sivjet më shumë aksidente trafiku se vitin e kaluar

Në bazë të një raporti nga Policia e Kosovës, në pesë mujorin e parë të këtij viti janë shënuar 6878 raste të aksidenteve në trafik. Ky numër është më i lartë krahasuar me pesë mujorin e parë të vitit 2015, kur ishin shënuar 6064 raste.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se Policia e Kosovës, referuar numrit të aksidenteve të trafikut ka marrë masa për përforcimin e shërbimeve të Policisë së Komunikacionit rrugor në të gjitha akset rrugorë.


Sipas tij, aksidente fatale në pesë mujorin e parë të vitit 2015 kanë qenë 37, ndërsa në pesë mujorin e këtij viti, 36 aksidente me fatalitet.

“Persona të vdekur në këtë pesë mujor janë 39, ndërsa në pesë mujorin e parë të vitit 2015, 40 persona”, tha Kelani për Telegrafin.

Policia e Kosovës sipas tij, kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e në veçanti nga drejtuesit e automjeteve, që të respektojnë shenjat e komunikacionit rrugor si dhe t’u përshtaten kushteve të rrugës në mënyrë që të kemi një siguri më të madhe në trafik. /Telegrafi/