Perez thërret zgjedhje të jashtëzakonshme: Kush po më kritikon, le të kandidojë kundër meje

Klubi mbretëror spanjoll njoftoi të martën pasdite se presidenti Florentino Perez do të paraqitej në konferencë për media nga ora 18:00, pas mbledhjes së bordit të drejtorëve, pa sqaruar paraprakisht temën e paraqitjes.
Në konferencë, Perez hodhi poshtë zërat për dorëheqje dhe njoftoi se ka thirrur zgjedhje të reja në klub, tri vjet më herët sesa parashihej mandati i tij aktual, i cili duhej të zgjaste deri në vitin 2029.
“Unë nuk do të jap dorëheqje, po thërras zgjedhje. Ka fushata kundër meje. Por unë jam ende këtu dhe jam president. Njerëzit thanë se kam kancer, kjo është krejt e sajuar. Nuk jam i lodhur”, theksoi ai.
Presidenti i Real Madridit sulmoi edhe raportimet në media, duke përmendur konkretisht ABC-në, ndërsa kërkoi të dijë nëse gazetari që kishte shkruar artikullin ishte i pranishëm në sallë.
“Do t’ju tregoj tani çka më treguan mua para disa minutash. ABC ka shkruar se jam i lodhur… si mund ta thoni këtë? A është ky gazetar këtu?”, u shpreh Perez.
Ai insistoi se vazhdon të punojë me intensitet të lartë dhe se nuk ka ndërmend të tërhiqet.

“Unë punoj ditë e natë si kafshë. Me mua president, kemi fituar 76 tituj. Ndoshta duhet t’jua kujtoj. Po, këtë vit s’kemi fituar asgjë, por mos harroni”, deklaroi ai.
Në të njëjtën linjë, ai bëri të ditur se bordi aktual, me të në krye, do të kandidojë në këto zgjedhje, ndërsa u drejtua ashpër ndaj kritikëve.
“Po thërras zgjedhje të reja për bordin, dhe ky bord, me mua në krye, do të garojë në këto zgjedhje. Kushdo që po na kritikon dhe po i shpërndan këto thashetheme për mua, mund të garojë kundër meje në këto zgjedhje. Kushdo që do të dalë, le të dalë. Ndalni së vepruari nga prapa”, u shpreh Perez.
Ai i mohoi zërat se situata në klub është jashtë kontrollit, duke insistuar se po përhapet një narrativë e rreme për krizë dhe kaos brenda Real Madridit.
“Po thonë se Real Madridi është në rrëmujë, se është kaos, se është katastrofë, janë të gjitha gënjeshtra. Ky është klubi më prestigjioz në botë”, deklaroi ai.
Në fund, Perez u kthye sërish te numri i titujve të fituar nën drejtimin e tij dhe tha se zgjedhjet po i thërret për të mbrojtur interesat e anëtarëve të klubit, duke theksuar se nuk do të frikësohet.
“Unë jam i pari që dua t’i fitoj të gjitha. Me mua president, kemi fituar 37 tituj në futboll dhe 29 në basketboll. Dua të flas për të gjithë këta njerëz që po bëjnë fushatë prapa skenave”.
“Do të organizoj zgjedhje për të mbrojtur interesat e anëtarëve të Real Madridit. Nuk do të më frikësojnë. Madje, më japin shumë energji”, përfundoi ai./Telegrafi/






















































