LAJMI I FUNDIT:

Për udhëtime, banorët e Kosovës më shumë përdorin aeroplanin se trenin

Për udhëtime, banorët e Kosovës më shumë përdorin aeroplanin se trenin

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Statistikat e Transportit dhe Telekomunikacionit për tremujorin e tretë (TM3) 2016, me të dhëna mbi Transportin Ajror, Hekurudhor dhe Postë Telekomunikacionin.

Përmes këtij publikimi janë prezantuar të dhëna për territorin e Kosovës, si vijon: Gjithsej 333 kilometra binarë hekurudhorë për transport dhe 110 binarë hekurudhorë privatë. Ndërsa, qarkullojnë tetë lokomotiva dizel, të cilat bartin 27 vagonë: nëntë të udhëtarëve dhe 18 për bagazh.


Në tremujorin e tretë të vitit 2016, numri i pasagjerëve që kanë shfrytëzuar trenin si mjet udhëtimi është 70 mijë. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2016 është një ulje për 14.56 për qind të numrit të udhëtarëve.

Transporti i mallrave me tren, në tremujorin e tretë të vitit 2016 është 14 mijë tonë, ku në raport me tremujorin e dytë të vitit 2016, ka pasur ulje për 31.16 për qind.

Numri i fluturimeve, në tremujorin e tretë të vitit 2016, është 2174 ose 1.12 për qind më shumë se në tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM3 2015).

Numri i udhëtarëve, që kanë shfrytëzuar aeroplanin si mjet transporti është rreth 573 mijë, ku në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM3 2015) ka një rritje për 5.97 për qind. /Telegrafi/