LAJMI I FUNDIT:

Për kujtimet, vetminë dhe artin

Për kujtimet, vetminë dhe artin
Ilustrim

Edison Çeraj

Vetmia më e trishtë është kur je me ata të cilët nuk janë pjesë e kujtimeve të tua.


Mesa duket, ka një prirje në rritje për t’u ndarë nga ata të cilët janë pjesë e kujtimeve tona, me të cilët kemi ndarë të shkuarën tonë ose një pjesë të madhe të saj.

Ka dy mënyra mbizotëruese ose kryesore se si ndodh ky fenomen: e para lidhet me emigrimin e brendshëm, kurse e dyta ka të bëjë me emigrimin e jashtëm, jashtë atdheut.

Ka edhe një formë tjetër emigrimi që ka të bëjë me turizmin, një fenomen masiv në rritje, ku gjithnjë e më shumë njerëz zgjedhin të jenë vazhdimisht në lëvizje, në një kërkim që në pamje të parë lidhet me dëshirën për të vizituar vende dhe kultura të ndryshme, por që, në thelb, është nevoja ontologjike për pafundësinë, për një përjetësi të papërcaktueshme që gëlon nga përvojat e reja, që na bën të harrojmë e të harrohemi, ngjashëm me përvojën që ndërkallin narkotikë të caktuar; një nevojë e heshtur për një arratisje të zhurmshme nga realiteti.

Nën peshën e një gjysmë miti si “për një jetë më mirë”, numri i atyre që zhvendosen nga vendlindja sa vjen dhe rritet. Bashkë me këtë rritet ajo që njihet si vetmi me njerëz, rrjedhojë e natyrshme e faktit se njerëzit e rinj me të cilët takohemi nuk janë pjesë e kujtimeve tona.

Kur dikush ndan kujtime të caktuara me ne, nuk i ndan me pritshmërinë qe ne t’i bëjmë një analizë kritike ose ndonjë zbërthim psiko-sociologjik, por sepse thjesht nuk bën dot ndryshe, sepse kujtimet janë bërë edhe për t’u ndarë, për të mos harruar cilët jemi; për ta çmuar vazhdimisht shenjtërinë e së shkuarës sonë, e kujtesës, cilado qoftë ajo. Ne jemi e shkuara jonë, sepse të ardhmen nuk e kemi akoma, ndërsa e tashmja na rrëshqet prej duarve si rërë.

Kujtesa është e shenjtë, ngaqë nuk i nënshtrohet gjykimit, ashtu si çdo shenjtëri tjetër që e tejkalon gjykimin.

Kujtimet tona kërkojnë kujtimet e tjetrit, në kuptimin që një kujtim që ne ndajmë mund të “gjykohet” vetëm përmes një kujtimi që presim; sepse kujtimet nuk bëjnë dot pa ndjekur njëri-tjetrin. Ky është komunikimi i qenësishëm, sepse e vendos në qendër të qenurit në (këtë) botë. Ndërsa ajo që nënkuptohet masivisht me komunikim sot e vendos në qendër aktualen (info të ndryshme ose thashetheme), lëkurën e së tashmes, të zhveshur nga kurmi që mbulon.

Vetmia (jo të qenurit vetëm) kurohet dhe mënjanohet vetëm atëherë kur jemi me dikë me të cilin/cilën mund të ndajmë më shumë sesa aktualen, që përbën pjesën më tunduese në trupin e së tashmes.

Pastaj, natyrshëm sa më s’ka, vetmia shfaqet prore, dihet. Por, edhe kujtimet aty janë, me ne, e nuk na mbetet tjetër veçse t’i shkëmbejmë.

Forma më sublime që ka trashëguar njeriu për të përballuar vetminë dhe peshën e kujtimeve është arti. Ndër të tjera, marrëdhënia dhe përvoja me një vepër arti, sidomos me letërsinë, është edhe shkëmbim kujtimesh nga ana e autorit me lexuesin. Veçse është fjala për ajkën e kujtimeve dhe jo për ato kujtime që nënkuptohen në përgjithësi, pavarësisht se çdo kujtim ka rëndësinë e vet.

Kështu që, koha që ne i kushtojmë një vepre arti mbetet një kohë cilësore, ku vetëdija farkëtohet dhe pasurohet për të shfaqur më të mirën tonë; për ta përballuar aktualen duke depërtuar poshtë lëkurës së saj llamburitëse.

Besoj se diçka të kësaj natyre ka për qëllim Borges-i kur shkruan se “detyra e artit është të shndërrojë gjithçka që na ndodh, ta shndërrojë gjithçka në simbol, në muzikë; të shndërrojë gjithçka në diçka që mund të jetojë në kujtesën e njeriut. Kjo është detyra jonë. Nëse nuk e përmbushim, hidhërohemi. Shkrimtari ose artisti e ka detyrën e gëzueshme ta shndërrojë gjithçka në simbole. Këto simbole mund të jenë ngjyra, forma ose tinguj. Për poetin simbolet janë tinguj dhe fjalë, fabula, histori, poezi. Puna e poetit nuk mbaron kurrë. Nuk ka të bëjë hiç me orët e punës. Ti gjithmonë merr diçka nga bota e jashtme. Diçka duhet të shndërrohet dhe, në fund të fundit, ajo do të shndërrohet. Ky zbulim mund të shfaqet kurdo. Poeti nuk pushon asnjëherë. Ai është gjithnjë në veprim e sipër, madje edhe kur ëndërron. Përtej jetës së shkrimtarit ndodhet një vetmitar. Ti mendon se je vetëm dhe, me kalimin e viteve, nëse yjet janë me ty, mund të zbulosh se je qendra e një rrethi të madh miqsh të padukshëm, të cilët të duan, por ti nuk do t’i njohësh kurrë. Dhe, ky është një shpërblim i mrekullueshëm”.

Arti është ngushëllimi më i paanshëm për ta përballuar përkohësinë.

Në trend Kultura

Më shumë
“Një autograf për nipin tim - skllavin tuaj”!

“Një autograf për nipin tim - skllavin tuaj”!

Kulture
Karnavalet, origjina dhe domethënia

Karnavalet, origjina dhe domethënia

Kulture
Biznesi i filmave ... mbaroi!

Biznesi i filmave ... mbaroi!

Kulture
Kanti dhe çështja për paqen

Kanti dhe çështja për paqen

Analiza
QYSH ATËHERË KJO VAKI PAT MBARUAR

QYSH ATËHERË KJO VAKI PAT MBARUAR

Poezi
Realizmi magjik

Realizmi magjik

Analiza
Kalo në kategori