Peja i jep leksion Sigal Prishtinës

Në palestrën “Karagaçi” në Pejë ishin mbledhur më shumë se 2000 tifozë të Shqiponjave të cilët krijuan një atmosferë impozante gjatë gjithë takimit.
Pejanët e nisën vrullshëm çerekun e parë dhe luajtën mbrojtje shumë të fortë duke i shtyrë kështu prishtinasit të bënin shumë gabime në sulm. Vendasit krijuan një epërsi prej katër pikëve në fund të këtij çereku, 15-11.
Edhe në çerekun e dytë Prishtina nuk arriti të lirohej assesi nga presioni i ushtruar nga vendasit dhe kështu vazhduan me gabimet e tyre në sulm, teksa në anën tjetër pejanët ishin të pagabueshëm në aksionet e tyre dhe si rezultat krijuan një epërsi vërtetë të lartë prej 17 pikëve, 40-23.
Pejanët vazhduan dominimin e tyre edhe në çerekun e tretë dhe nuk e lejonin asnjëherë Sigal Prishtinën ta luajë lojën e saj. Epërsia u ngrit në 20 pikë, 51-31.
Çereku i katërt u zhvillua vetëm sa për prestigj sepse Peja tashmë e kishte siguruar fitoren e saj dhe vetëm se e shtoi epërsinë e saj në 27 pikë, 71-44.
Nuk mbahet mend që nga periudha e pasluftës që Sigal Prishtina të ketë shënuar kaq pakë pikë brenda një takimi, teksa interesant është fakti se në këtë ndeshje Samir Shaptahoviq nuk shënoi asnjë pikë.
| Koshashënuesit më të mirë të Pejës | ||
| 1 | Dardan Berisha | 17 pikë |
| 2 | Gerti Shima | 12 pikë |
| 3 | Ersid Luca | 11 pikë |
| 4 | Cyril Awere | 10 pikë |
| Koshashënuesit më të mirë të Sigal Prishtinës | ||
| 1 | Akida McLain | 9 pikë |
| 2 | Granit Rugova | 8 pikë |
| 3 | Fisnik Rugova | 7 pikë |
| 4 | Edmond Azemi | 5 pikë |
/Telegrafi/













































