Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka përkujtuar 27-vjetorin e rënies së Driton Veliut, duke vlerësuar kontributin e tij në luftën për çlirimin e Kosovës.

Në një postim në Facebook, Peci ka rikujtuar ngjarjet e 21 prillit 1999, duke e cilësuar atë si një nga përballjet më të ashpra në Mitrovicë ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe.


“27 vite që kur Driton Veliu ia fali jetën Kosovës”, ka shkruar ai.

Sipas tij, Veliu ishte i përfshirë që në fazat e hershme të organizimit të rezistencës së armatosur në qytet.

“Kontributi i tij i çmuar për çlirim fillon qysh në organizimet e para të rezistencës së armatosur në Mitrovicë, ku shtëpia e tij u kthye në shtab për UÇK-në, për të filluar përgatitjet e para për luftimet që më pas u zhvilluan në këtë anë”, ka theksuar Peci.

Në fund të reagimit të tij, ai ka nderuar figurën e Driton Veliut.

“Lavdi jetës dhe veprës së tij”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/