Korporata Amerikane Private e Investimit (OPIC), është nënvizuar si një ndër financuesit potencial të projektit “Kosova e Re”. Këtë e kishte konfirmuar edhe ministri Lluka, gjatë një interviste. E njëjta ishte konfirmuar edhe nga Contour Global.

Përveç OPIC-ut, diskutimet për financimin e ndërtimit të “Kosova e Re” vazhdojnë edhe me bankën ndërkombëtare të Japonisë dhe me banka zhvillimore të shteteve të ndryshme.

“Ne e kemi vazhduar punën edhe me institucione të ndryshme financiare. Kemi qenë në diskutime të ndryshme me OPIC-un Amerikan, bankën ndërkombëtare Japoneze dhe me banka zhvillimore të shteteve të ndryshme”, kishte thënë ministri Lluka gjatë një intervistë.

OPIC është përfolur mjaft shumë kohëve të fundit në mediat ndërkombëtare, kjo pasi që Senati Amerikan kishte miratuar projektligjin që do të përshpejtojë zgjerimin dhe ri-disejnimin e kësaj agjencie. Projektligji i ri do të lejojë OPIC të zgjerojë portofolin e saj të investimit deri në 60 miliardë dollarë Amerikanë, nga 29.5 miliardë sa ishte më herët.

“Një OPIC i fuqizuar do të ofronte alternativë të fuqishme kundrejt iniciativave të drejtuara nga shteti i Kinës, që la shumë vende në zhvillim në borxhe të mëdha”, theksoi Ray Washburne, president i OPIC-ut, teksa po komentonte aprovimin e këtij Projektligji.

Dispozitat kryesore të projektligjit do të lejojnë Agjencinë të merr pjesë në sigurimin e kapitalit për projekte duke ndikuar kështu në nxitjen e investimeve private në tregjet në zhvillim, ku konkurrenca nga ndërmarrjet shtetërore kineze është bërë veçanërisht e ashpër.

Vetëm në Serbi, projektet investuese të Kinës tejkalojnë 5.5 miliardë euro, pjesa më e madhe e të cilave janë të dedikuara për energji dhe infrastrukturë, kishte theksuar Zorana Mihajlovic, ministre për Ndërtim, Transport dhe Infrastrukturë në Serbi. E njëjta ka njoftuar se këto investime pritet të zgjerohen.

Mediat në Kinë raportojnë se përmes këtyre aktiviteteve Kina me përkrahje të Rusisë, po tenton të shtrijë ndikimin politik edhe në Ballkan, përmes investimit në projekte të mëdha, si ato të ndërtimit të termocentraleve në Serbi dhe Bosnjë, të paralajmëruara nga qeveritë e këtyre dy vendeve.

Ndryshe, në fund të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane Contour Global, për ndërtimin e këtij termocentrali me kapacitet 500 megavat, që në Kosovë do të sjellë 1.3 miliard euro investime. /Telegrafi/