LAJMI I FUNDIT:

Partia Demokratike nuk humbet asnjë shans për të humbur një shans

Partia Demokratike nuk humbet asnjë shans për të humbur një shans

Konventa e Partisë Demokratike, në vend që të shërbente si një dëshmi që kjo parti ringrehet në këmbë kur rrëzohet, dhe se di të rigjenerohet për t’iu dhënë qytetarëve ofertën më të mirë politike në vend, la një shije të hidhur të ngjashme me garën e ngutshme për kryetar. Konventa qe një shans për të rikthyer besimin e munguar të shumë shqiptarëve dhe për të bërë një diferencë të qartë morale me partinë-shtet që sundon në Shqipëri. Pra, do të duhej të nxirreshin mësime nga pësimet. Mësimi kryesor nga këto zgjedhje të humbura, duhej të ishte që Edi Rama nuk mund të mundet me armët e tij dhe në terrenin e tij ku ka epërsi, përvojë e talent, por me të kundërtat. Terreni dhe armët që mund ta mundin Ramën dhe Partinë Socialiste janë demokracia, transparenca, meritokracia, përgjegjësia, vizioni, patriotizmi, idealizmi të cilat duhet të kishin ardhur në konventë nëpërmjet reformimit të statutit, programit dhe përzgjedhjes se kuadrove.

Në Shqipëri nuk tregon ndonjë guxim të madh apo fisnikëri kur kritikon opozitën, sidomos kur ajo përballet me një qeveri abuzive dhe me tendenca autoritare. Gjëja më e lehtë dhe më e palavdishme që mund të bësh është të godasësh të dobëtin, sidomos kur nuk ke takat të kritikosh më të fortin. Shoqëria civile, bota akademike, mediat e forcat e tjera të gjalla kanë për detyrë që të vënë para përgjegjësisë dhe kërkojnë llogari ndaj qeverisë sepse ajo i ka fatet e vendit në dorë dhe menaxhon me taksat tona dhe pronën tonë publike. Shumë si unë mbyllën sytë e hundën ndaj shumë problemeve që kishte PD-ja, pikërisht sepse besonim sinqerisht që pavarësisht të metave, një rrotacion i pushtetit ishte shumë i dobishëm për Shqipërinë për t’i dhënë një frymëmarrje demokracisë shqiptare.


Megjithatë, nëse para zgjedhjeve kritikat ndaj PD-së do të ishin të dëmshme sepse rrezikonin rezultatin e zgjedhjeve, pas zgjedhjeve ato janë shumë të dobishme sepse do të nxisnin ato reforma të brendshme që do ta bënin PD-në fitimtare në betejat e ardhshme. Për me tepër, PD-ja i ka humbur tashmë goxha shanse sikurse qe ai i pjesëmarrjes në ndarjen administrative që do të pengonte gerimanderingun, humbja e shansit për të marrë pjesë në zgjedhje lokale gjë që do ndalte betonizimin e pushtetit të PS-së edhe në nivel lokal apo humbja e shansin për të penguar në parlament atë reformë elektorale që dëmtoi rëndë opozitën. Në kushtet kur Partia Demokratike është e vetmja mundësi e zbehtë për një kthesë, atëherë është e pashmangshme që mos të flasësh ndonjëherë edhe për të. Si organizata që mban mbi kurriz barrën e rëndë së shpresës për ndryshim të këtij vendi do duhej që të shqetësohemi për shëndetin e saj.

Prandaj, konventa ishte shqetësuese sepse në përgjithësi ngjasonte me të ashtuquajturën “Dhomë të Jehonës”, një term ky i shkencave sociale që përdoret shpesh si metaforë për të përshkruar një situatë në të cilën bindjet apo qëndrimet përforcohen nga komunikimi i përsëritur brenda një sistemi të mbyllur e të izoluar prej mendimeve alternative apo opinioneve ndryshe. Një dhomë jehone nënkupton që anëtarët dëgjojnë vetëm jehonën e zërit të tyre që është kthyer prapa, pasi është përplasur brenda mureve të dhomës. Kështu bunkerizohen në psikologjinë e grupit, duke e trajtuar jehonën e zërit të tyre si rikonfirmim apo vërtetim të opininit që kanë shprehur. Besimi për personat e tjerë të brendshëm fillon të rritet në mënyrë të pakontrolluar. Njëherazi fillojnë gjithnjë e më shumë të mos besojnë tek të gjithë ata që ndodhen jashtë kësaj dhome (pra që flasin ndryshe), edhe kur janë dashamirë, sikurse është autori i këtij shkrimi

I vetmi që ia shpëtoi disi fytyrën konventës ishte Mark Marku. i cili u shpreh hapur, me kurajo qytetare e ndershmëri intelektuale. Shumë të tjerë që mendonin si Marku dhe që kritikojnë kur janë në tavolina private heshtën, duke u konformuar me shumicën. Mirëpo ajo që e bëri akoma më të habitshme konventën ishte mungesa e një fjalimi të rastit prej dy kandidatëve të garës së brendshme për kryetar, Shehaj dhe Harxhi. Ata si sfidantë ua kishin borxh sidomos mbështetësve të tyre por edhe mbarë anëtarësisë dhe opinionit publik, që të shpreheshin e deklaroheshin për qëndrimet e tyre dhe të ardhmen e partisë.

Me pak fjalë, konventa ishte një mundësi e humbur për të bërë diferencën apo kontrastin e qartë moral me Partinë Socialiste duke dëshmuar se PD-ja ka vlera të qënësishme të përbrendësuara të cilat do t’i aplikojë nëse vjen në pushtet. PD-ja mund të rikthehet fitimtare përkundrejt tendencave autoritare të Ramës duke mishëruar thellësisht brenda saj vlerat të demokracisë së brendshme që nënkuptojnë ndikimin e anëtarësisë dhe strukturave në vendim-marrje, respektimin e ligjit dhe statutit, kultivimin e debatit të hapur të brendshëm, garën e shëndetshme dhe të ndershme si dhe formalizimin e fraksioneve të ndryshme brenda partisë. Prandaj PD-ja do duhej të sillte në konventë një statut të ri të përditësuar që të përqafonte normat dhe praktikat më të avancuara demokratike të partive perëndimore duke e bërë sërish një model pararoje në vend.

Formalizimi i fraksioneve të ndryshme të partisë mund të ishte një ndër mjetet kryesore me anë të cilit do të sigurohet që të shmangen skizmat apo largimet e dëmshme që kanë ndodhur në periudhat e kaluara por edhe do të mundësonte hyrjen në parti të figurave apo grupimeve të reja që aty do të gjenin një ambient të përshtatshëm mikpritës për të bërë jetën politike. Gjithashtu një ndër elementet thelbësore që do duhej të mishërojë PD-ja tek statuti i saj është fryma e mundësisë. PD do duhet të ishte partia e mundësive e hapur për prurje të reja, ku ka shanse të shumta për çdo aktivist të zotë, të dedikuar apo të suksesshëm që të bëj karrierë. Kjo do të thotë së pari që të largohen ata funksionarë partie, që tashmë kanë pasur disa mundësi për ta dëshmuar veten, duke hapur rrugën për figura të reja të pakompromentuara e të pashantazhueshme. Madje edhe të krijonte një qeveri në hije, një praktikë karakteristike e sistemeve partiake të dominuara nga dy parti, për t’u projektuar gradualisht tek qytetari si një alternativë e besueshme qeverisëse. `

Po ashtu, kjo reformë nënkupton edhe ndërtimin e një sistemi që bën të mundur garimin, konkurrencën e ndershme, monitorimin, matjen e vlerësimin transparent e të ndershëm të punës së secilit anëtar. Kjo lloj reforme jo vetëm që rrit efikasitetin dhe mobilizimin e anëtarësisë, duke rritur për rrjedhojë edhe suksesin, por edhe përmirëson imazhin e PD-së tek elektorati si një parti me integritet që ofron mundësi meritokratike, Kjo gjë i shtyn votuesit të besojnë se meritokracia do të reflektohet edhe në qeverisje. Prandaj në rrethana të tilla, do të duhej që statuti i reformuar të garantonte rregulla te qarta të konkurrimit të brendshëm si dhe që të mundësonte maksimumin e meritokracisë në karrierën e aktivistëve të saj. Pra do duhej që t’i jepnin fund nepotizmit dhe të mundësonin që brenda partisë të avancojnë anëtarët që kanë më shumë talent, përkushtim apo rezultate.

Gjithashtu konventa do duhej që të propozonte e nxirrte një program të ri të freskuar politik. Sot nevojitet hartimi i programit të ri të PD-së që siguron orientim të qartë ideologjik, dhe shpalosje të qartë të identitetit dhe vlerave të PD-së. Qytetarët janë gjithnjë e më të zhgënjyer e të neveritur ndaj pragmatizmit dhe oportunizmit politik të skajshëm që mbizotëron tek ne. Kjo situatë bën që qytetarët t’i konsiderojnë të gjitha partitë njësoj jo-parimore e jo-koherente. Thënë më shkoqur, qytetarët nuk besojnë tek politikanët që përkulin e spërdredhin idealet apo qëndrimet e tyre sa herë që iu leverdis. Madje ky ka qenë një ndër shpjegimet kryesore të studiuesve për valën e partive ekstremiste populiste që u shfaqën në mënyrë të suksesshme anembanë Evropës para pak vitesh dhe që lanë në hije partitë tradicionale që dukeshin gjithnjë e më shumë si njëra tjetra.

Në rastin tonë, ky besoj ka qenë edhe një ndër arsyet që shpjegon fenomenin masiv të blerjes së votës, tek qytetarët e varfër që mendojnë se partitë politike nuk dallojnë nga njëra tjetra e nuk do sjellin ndonjë ndryshim thelbësor në jetën e tyre nëse ka rotacion. Në një situatë të tillë atëherë thjesht përpiqen të sigurojnë ndonjë përfitim imediate materiale në shkëmbim të votës sepse nuk besojnë që vota e tyre mund të sjelli ndonjë ndryshim tjetër më cilësor për jetët e tyre. Unë jam i bindur që shumica e atyre që kanë shituar votën, kanë menduar se rrotacioni nuk sjell ndonjë shkëputje radikale nga e kaluara. E kanë konsideruar ardhjen e opozitës në pushtet jo si një lojë të re, por si vazhdim të skenarit të mëparshëm që kësaj radhe do të luhej me aktorë të tjerë që pjesërisht janë provuar tashmë në të kaluarën. Rrjedhimisht mendoj se për të rikthyer besimin e qytetarëve cinik tek PD-ja, ajo duhet të japë një ofertë të qartë programore parimore dhe të përfaqësohet me personalitete të panjollosur më parë nga pushteti.

Një program i ri nënkupton gjithashtu ballafaqimin me kurajo të problemeve më të mëdha therëse të Shqipërisë si varfëria, papunësia, korrupsioni, emigracioni, kriminalizimi etj. duke nxjerrë ofertë konkrete përmbajtjesore të frymëzuar nga orientimi ideologjik i partisë. Konkretisht oferta programore do duhej të nxirrte në pah parimet konservatore të qendrës së djathtë që nga ana sociale promovojnë mbrojtjen dhe kultivimin e krenarisë kombëtare, çuarjes përpara të çështjes së pazgjidhur kombëtare, konservimin e traditës ,folklorit, natyrës e monumenteve, vlerave historike dhe figurave si dhe të institucioneve karakteristike shqiptare si familja, kleri, besa etj.

Nga ana tjetër do duhej të kishte të bënte me një ekonomi të lirë të tregut që funksionon në kuadër të sundimit të ligjit dhe të institucioneve demokratike të cilat ndërhyjnë aq pak sa të jetë e domosdoshme në ekonomi. Po ashtu këtu do të pritej nga PD-ja që të tregonte se synon rritjen ekonomike dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të nëpërmjet derregullimit, decentralizimit, privatizimit, konkurrencës së lirë, hapjes ndaj tregtisë ndërkombëtare , mbrojtjes së pronës, garantimit të kontratës dhe nxitjes së sipërmarrjes private. Për të dëshmuar gjithashtu që kjo parti e djathtë ecën në hap me kohën do të ishte me rëndësi që në një program të ri përfshiheshin edhe zgjidhje konkrete të djathta për tema të rëndësishme bashkëkohore sikurse janë ambientalizmi , barazia gjinore apo kujdesi për kafshët. Të gjitha këto, por edhe më shumë ndryshime të tjera në statut, program, strukturë kuadri, do duhej të ndërmerreshin në një konventë dinjitoze të hapur e inovatore të Partisë Demokratike për ta rikthyer atë fitimtarë nëpërmjet rrugëve institucionale.

Në trend

Më shumë
Skandal në Eurovision: Televizioni publik RAI zbulon votat e Italisë - afro 40 për qind prej tyre shkuan vetëm për Izraelin?

Skandal në Eurovision: Televizioni publik RAI zbulon votat e Italisë - afro 40 për qind prej tyre shkuan vetëm për Izraelin?

Magazina
Kurti fton në takim liderët e tri partive opozitare, tregon për çka do të bisedojnë

Kurti fton në takim liderët e tri partive opozitare, tregon për çka do të bisedojnë

Lajme
Mësohet arsyeja pse nuk ndërhyri VAR-i te goli i anuluar i Bayern Munichut ndaj Real Madridit

Mësohet arsyeja pse nuk ndërhyri VAR-i te goli i anuluar i Bayern Munichut ndaj Real Madridit

Liga e Kampionëve
Como është ngjitur në Serie A pas 21 vitesh, Fabregas dhe Henyr kanë arsye për festë

Como është ngjitur në Serie A pas 21 vitesh, Fabregas dhe Henyr kanë arsye për festë

Serie A
Bayern Munich e ka gjetur trajnerin e ri, Flick rikthehet dhe për ndihmës do ta ketë legjendën gjermane

Bayern Munich e ka gjetur trajnerin e ri, Flick rikthehet dhe për ndihmës do ta ketë legjendën gjermane

Bundesliga

"Deri dje, nuk isha i sigurt se kush ishte lojtari më i mirë në botë, tani e di" - De Ligt me fjalë të mëdha për yllin e Realit

Liga e Kampionëve
Kalo në kategori