LAJMI I FUNDIT:

Me paratë e pensionistëve blihen letra me vlerë në Maqedoni

Me paratë e pensionistëve blihen letra me vlerë në Maqedoni

Dy fondet private të shtyllës së dytë pensionale ruajnë rreth 580 milionë euro para të pensionistëve të ardhshëm, ndërsa nga ana tjetër, vlera e përgjithshme e mjeteve të disponueshme që kanë këto dy fonde, arrin shifrën prej 745 milionë euro, shkruan gazeta KOHA.

Sipas të dhënave të Bankës Popullore të Maqedonisë (BPM), deri në muajin shtator të vitit 2016, për periudhën një vjeçare, nga muaji shtator i vitit 2015 e deri në muajin shtator 2016, vlera e pagesave të kontributeve për sigurim pensional në fondet private është rritur për 5.5 miliardë denarë, gjegjësisht rreth 90 milionë euro.


Të dhënat zyrtare statistikore tregojnë se nga fillimi i vitit 2014 e deri në muajin shtator të vitit të kaluar, vlera e fondeve private pensionale është rritur për 12.71 miliardë denarë ose 206 milionë euro që i bie që për periudhë prej dy vite e gjysmë, vlera e fondeve pensionale private do të rritet për 55 për qind. Vlera e përgjithshme në dy fondet private pensionale, deri në fund të muajit shator të vitit 2016 shënon shifrën prej 46.12 miliardë denarë apo 747.5 milionë euro dhe krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015 i bie që brenda një viti vlera e përgjithshme mjeteve në fondet të rritet për 7.83 miliardë denarë euro, gjegjësisht 126.9 milionë euro. Mirëpo, cila është struktura e mjeteve me të cilat disponojnë fondet.

E para, struktura e të dyja fondeve private pensionale, sipas faqes zyrtare te BPM-së, rezulton se fondet me parat e pensionistëve më së shumti investojnë në letra me vlerë që i emeton shteti. Kështu, deri në fund të muajit shtator të vitit 2016, letra shtetërore me vlerë ruan 27.44 miliardë denarë apo rreth 450 milionë euro. Nga fillimi i vitit të kaluar e deri në fund të muajit shtator të dyja fondet private pensionale në obligacione shtetërore kanë investuar 3.62 miliardë denarë, gjegjësisht 60 milionë euro. Sipas të dhënave statistikore, nga fillimi i vitit 2014 e deri në fund të muajit shator të viti 2016, investimet në letra me vlerë janë rritur nga 16.95 miliardë denarë në 27.44 miliardë denarë. Kjo rritje është për 10.48 miliardë denarë, që është e përafërt për 170 milionë euro, gjegjësisht rritje prej 62 për qind. Parat e pensionistëve të ardhshëm, të dyja fondet private pensionale gjithashtu i investojnë në aksione, ku dominojnë investimet në valuta të huaja si aksione në kompani të huaja multinacionale jo rezidente.

Deri në fund të muajit shtator të vitit të kaluar, të dyja fondet private pensionale të shtyllës së dytë si aksione ruajnë 12.55 miliardë denarë apo 250 milionë euro dhe krahasuar me vitin 2014, kjo shifër është dyfishuar. Gjithashtu fondet pensionale të shtyllës së dytë me një pjesë të parave të pensionistëve të ardhshëm tregtojnë në Bursën e Maqedonisë dhe vitin e kaluar kanë investuar 1.39 miliardë denarë apo 22.5 milionë euro.

Po ashtu fondet private pensionale, një pjesë të parave që qytetarët i kanë paguar si kontribute për sigurim pensional i investojnë në valuta dhe depozita në bankat komerciale, dhe kjo vlerë arrin shifrën prej 3.75 miliardë denarë, ku dominojnë kursimet në denarë, gjegjësisht 3.4 miliardë denarë, ndërsa vlera e kursimeve në valuta të huaja kap shifrën prej 87 milionë denarë.