Papa Leo i XIV i ka akorduar Mohammad Hossein Mokhtarit, ambasadorit të Iranit pranë Selisë së Shenjtë, dekoratën kalorësiake “Kryqi i Madh i Urdhrit Papnor të Piut IX”, sipas certifikatës së datës 8 maj.

Bëhet fjalë për një nga nivelet më të larta të një prej dekoratave më të larta aktive papnore, e cila është themeluar në vitin 1847 nga Papa Piu IX dhe sot u jepet kryesisht diplomatëve të lartë dhe krerëve të shteteve.


Në tekst theksohet se një çmim i tillë nuk është i pazakontë, pasi sipas praktikës së Vatikanit, ambasadorëve rezidentë pranë Selisë së Shenjtë shpesh u jepet pas rreth dy vitesh shërbimi.

Mokhtari i kishte dorëzuar letrat kredenciale Papa Françeskut në dhjetor të vitit 2023, ndërsa certifikata e 8 majit është nënshkruar nga kardinali Pietro Parolin, sekretari i shtetit i Vatikanit.

Mediat shtetërore iraniane, përfshirë PressTV dhe West Asia News Agency, këtë veprim nuk e paraqesin si një vlerësim rutinë diplomatik, por si një sinjal politik nga papa amerikan për presidentin amerikan, Donal Trump në kohë lufte dhe tensionesh mes Uashingtonit dhe Teheranit.

Autori thekson se disa konservatorë amerikanë e kanë kritikuar vendimin në rrjetet sociale. Në të njëjtën kohë, përmendet se Trump më herët ka ashpërsuar retorikën ndaj Iranit, duke e vlerësuar armëpushimin me këtë vend si të paqëndrueshëm dhe duke lënë të hapur mundësinë e veprimeve të reja ushtarake.

Në tekst gjithashtu theksohet se Vatikani nuk po jep mbështetje politike apo morale për Republikën Islamike. Papa Leoni i XIV më herët ka dënuar vrasjen e protestuesve në Iran dhe ka deklaruar: “Kur një regjim, kur një vend, merr vendime që u marrin jetën padrejtësisht njerëzve, atëherë kjo është diçka që duhet dënuar”.

Sipas të njëjtit burim, diplomacia e Vatikanit e interpreton këtë dekoratë si pjesë të gjuhës së dialogut dhe ruajtjes së kanaleve të hapura të komunikimit, dhe jo si miratim të politikave të Teheranit. /Telegrafi/