Nga: Christopher Hale / Newsweek
Përkthimi: Telegrafi.com

Të dielën në mbrëmje, në bordin e [aeroplanit presidencial] Air Force One, presidenti Donald Trump ndoqi emisionin 60 Minutes teksa intervistonte tre kardinalë të lartë amerikanë pranë Papa Leos XIV.


Transmetimi ishte intervista e parë e përbashkët televizive e kardinalëve Blase Cupich nga Çikago, Robert McElroy nga Uashingtoni dhe Joseph Tobin nga Njuarku, dhe ishte një akuzë të metodike katolike ndaj luftës së administratës me Iranin dhe zbatimit të saj të politikave të emigracionit. Kur pjesa mbaroi, presidenti nuk mundi më ta përmbante zemërimin e vet.

Për javë të tëra, gazetarët kishin bërë presion ndaj Trumpit - në takime me media - rreth kundërshtimit të Papa Leos ndaj bombardimit ShBA-Izrael të Iranit, dhe presidenti refuzoi të angazhohej. Diçka e theu digën në shikimin e tre kardinalëve amerikanë - në programin më të ndjekur të lajmeve në vend - duke i dhënë meritë papës së parë amerikan për inkurajimin e qartësisë së tyre morale. Që nga nata e së dielës, Trumpi e ka sulmuar Leon gjashtë herë në më pak se 72 orë.

Kushtoni vëmendje, me kujdes, renditjes së asaj që Trumpi bëri më pas dhe cilat postime mbetën dhe cilat u hoqën.

Të dielën vonë, disa minuta pasi transmetimi përfundoi, Trumpi publikoi një tiradë në Truth Social duke e quajtur Papën Leo “TË DOBËT ndaj krimit, dhe të tmerrshëm për politikën e jashtme”, dhe duke i akuzuar kardinalët për zgjedhjen e një pape amerikan vetëm “për t’u marrë me” të [Trumpin]. Disa minuta pas kësaj, ai postoi një imazh të vetes - të gjeneruar nga inteligjenca artificiale - i veshur si Krisht duke shëruar një person të sëmurë.

Udhëheqësit evangjelistë shpërthyen ndaj imazhit të Krishtit. Brenda orësh, ai u zhduk. Sulmi ndaj Papa Leos - postimi që zemëroi katolikët amerikanë - mbetet i afishuar në profilin [feed] e presidentit

Ekziston vetëm një mënyrë e ndershme për ta lexuar këtë zgjedhje editoriale. Katolikët e MAGA-s [Make America Great Again] kanë zero ndikim mbi këtë president. Gjysma evangjeliste e koalicionit mund të sigurojë fshirjen [e një postimi] brenda një cikli të vetëm lajmesh, ndërkohë që pakënaqësia katolike nuk fiton asgjë tjetër veçse talljen e hapur ndaj papës së tyre që vazhdon të jetë liveTruth Social teksa shkruaj këto rreshta. Një koalicion që nuk do të mbrojë një papë kur kostoja është e vogël, nuk do ta mbrojë kurrë Kishën për asgjë që ka rëndësi.

Presidenti nuk do ta thotë kurrë arsyen reale për sjelljen e tij. Ne të tjerët mundemi.

Në CNN gjatë kësaj jave, analisti i të dhënave, Harry Enten, shpërfaqi realitetin politik përmes shifrave aq të njëanshme, saqë ato shpjegojnë çdo gjë. Papa Leoni gëzon një mbështetje neto prej plus 34 pikësh te publiku amerikan. Trumpi qëndron në minus 12. Kjo është një diferencë prej gati 50 pikësh në favor të Papës.

Sondazhet e veçanta të NBC News-it e testuan Leon kundrejt çdo figure tjetër të madhe publike në vend, dhe Papa rezultoi si njeriu më popullor në Amerikë. “Besoj se presidenti po bën një gabim kolosal”, përfundoi Enten, “duke sulmuar njeriun më të dashur në Amerikë”.

Pastaj, Enteni u kthye te numri të cilin Shtëpia e Bardhë duhet në fakt ta ketë frikë. Në nëntor 2024, Trumpi e mundi Kamala Harrisin mes katolikëve të ShBA-së me 20 pikë. Në një vit në mandatin e tij të dytë, miratimi i tij neto me katolikët ka rënë në minus katër.

Një rënie prej 24 pikësh mes votuesve që e rikthyen në Zyrën Ovale nuk është periudhë e vështirë; është emergjencë politike. Sulmi ndaj Leos nuk do ta kthejë këtë rënie, dhe çdo postim shtesë e shtyn numrin edhe më poshtë.

Diagnoza fillon me xhelozinë, por xhelozia shpjegon vetëm një pjesë të asaj që po ndodh. Pjesa tjetër vjen nga një pushtet të cilin Trumpi nuk ka autoritet ta prekë.

Papa Leo udhëheq një institucion më të vjetër se Shtetet e Bashkuara me 1750 vjet, me 1.4 miliardë ndjekës dhe një shtet sovran të njohur nga pothuajse çdo qeveri në Tokë. Ai është gjithashtu amerikan. Kjo asimetri është ajo ndaj së cilës Zyra Ovale nuk mund ta përgjigjet. Një president nuk ka pushtet të shkarkojë papën, ta padisë atë, t’i vendosë tarifë, apo ta dëbojë nga Vatikani. Foltorja e Leos arrin afërsisht 17 mijë famulli katolike në këtë vend çdo të diele dhe Shtëpia e Bardhë nuk ka mekanizëm për ta ndalur atë.

Kështu që presidenti bërtet dhe zëvendëspresidenti ofron mbulesën teologjike. JD Vance ka kaluar javën e kaluar në Fox News dhe në një tubim të TPUSA-s [Turning Point USA] në Xhorxhia duke argumentuar se peshkopët katolikë që kundërshtojnë zbatimin e emigracionit të administratës dhe bombardimin e Iranit po dalin jashtë fushës së tyre.

Në ngjarjen e TPUSA-s, Vance shkoi edhe më tej, duke i thënë vetë Papa Leos XIV që të jetë më i kujdesshëm kur jep mendime mbi teologjinë. Sinjali për bazën MAGA është mjaft i qartë: ortodoksia e re konservatore lejon armiqësi të hapur ndaj Romës sa herë që Roma i krijon vështirësi regjimit.

Katolikët amerikanë duhet ta kuptojnë se çfarë po bën Vance, sepse ai synon të kandidojë për president në vitin 2028 dhe elektorati primar evangjelist që i duhet nuk ka qenë kurrë rehat me Romën. Një zëvendëspresident që pretendon fenë katolike ndërsa publikisht minon papën katolik, po bën provë për një koalicion që e trajton identitetin katolik si barrë që duhet menaxhuar.

Katolikët konservatorë duhet ta dëgjojnë këtë drejtpërdrejt. Burrat të cilëve u besuat për të mbrojtur Kishën brenda kësaj administrate, tashmë kanë bërë një zgjedhje dhe zgjedhja nuk është Kisha.

Papa Leo sheh atë që Trumpi nuk mund ta zhbëjë. Ai e ka vëmendjen morale të më shumë amerikanëve se çdo zyrtar i zgjedhur në vend, dhe po e përdor atë foltore për të thënë të vërtetën për bombardimet ajrore, deportimin masiv dhe dinjitetin e personit njerëzor. Kjo është e papranueshme për një president, autoriteti i të cilit varet nga të qenit zëri më i zhurmshëm në çdo dhomë.

Katolikët amerikanë janë blloku më i madh fetar në këtë vend. Ata duhet të kujtojnë çdo sulm ndaj papës së tyre - në çdo ceremoni nënshkrimi, në çdo ngjarje në Kopshtin e Trëndafilave [të Shtëpisë së Bardhë], në çdo tubim dhe çdo kuti votimi nga tani e deri në vitin 2028.

Shtëpia e Bardhë nuk mund ta prekë fronin e Pjetrit. Ajo që mund të humbasë është vota katolike që e vuri aty - dhe llogaridhënia fillon tani. /Telegrafi/