LAJMI I FUNDIT:

Pandemia COVID-19 shfrytëzohet për lidhjen e kontratave emergjente – keqpërdoret paraja publike

Pandemia COVID-19 shfrytëzohet për lidhjen e kontratave emergjente – keqpërdoret paraja publike

Pandemia COVID-19 për gjatë kësaj kohe ka shërbyer si pretekst për lidhjen emergjente të kontratave në prokurim publik.

Rastet e para me coronavirus në vendin tonë ishin paraqitur gjatë muajit mars të vitit 2020, ndërsa që nga ajo kohë institucionet në vend kanë filluar me blerjen e materialeve mbrojtëse, dezinfektimin e hapësirave në përpjekje për ta luftuar COVID-19.


Pas rasteve që ishin konfirmuar në atë kohë, Komisioni Rregullativ për Prokurimin Publik (KRPP), kishte lëshuar njoftim për t’i lejuar autoritetet kontraktuese (AK) që t’i aplikojnë procedurat emergjente për blerje të materialeve që kanë të bëjnë me pandeminë. Përmes këtij njoftimi, operatorët ishin liruar edhe prej disa kërkesave tjera, siç janë vërtetimi i gjykatës, vërtetimi i ATK-së dhe sigurimi i tenderit.

Ky vendim ka qenë në fuqi deri me 12 qershor 2020 kur edhe është shfuqizuar nga KRPP. Pavarësisht shfuqizimit të këtij vendimi dhe duke pasur parasysh që pandemia COVID-19 nuk është më emergjencë, Autoriteti Kontraktues (AK) kanë vazhduar të lidhin kontrata të prokurimit me procedurë të negociuar. Duke pasur parasysh që çmimet e ofruara përmes kësaj procedure kanë dëshmuar që janë shumë më të larta, përdorimi i mëtutjeshëm i tyre është veprim që shkon në dëm të parasë publike.

Demokracia PLUS ka analizuar dhjetë tenderë që janë dhënë, ku vihen në pah shkelje të shumta që janë bërë.

Autorja e raportit, Arbelina Dedushaj në një deklaratë për Telegrafin ka thënë se në kohën e pandemisë kanë gjetur shkelje të shumta në kontratat që janë lidhur.

“Ne si organizatë që e bëjmë monitorimin e prokurimit publik në Kosovë, në kohën e pandemisë kemi gjetur shumë shkelje ligjore sidomos në lidhjen e kontratave me procedurë të negocimit, të cilat kanë gjetur përdorim të gjerë në muajt e parë të pandemisë COVID-19.

Lidhur me përdorimin e kësaj procedure, vendim kishte marrë edhe Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, ku i lejonte autoritetet kontraktuese ta përdorin si procedurë për shkak të situatës që u krijua me këtë virus. I njëjti vendim ishte shfuqizuar pas tre muajsh, mirëpo ritmi i përdorimit të së njëjtës procedurë kishte vazhduar edhe shumë kohë më pas”, ka thënë ajo.

Arbelina Dedushaj (Demokracia Plus)

Dedushaj ka bërë të ditur se kontratat që janë lidhur kanë qenë me çmime jashtëzakonisht të larta.

“Si Demokraci Plus kemi evidentuar faktin që negocimi është përdorur me të madhe dhe çmimet me të cilat janë lidhur kontratat kanë qenë jashtëzakonisht të larta. Sigurisht, kjo procedurë është e lejuar me Ligjin për Prokurimin Publik, mirëpo ka kushte se kur mund të përdoret e njëjta. Arsyetimi i autoriteteve kontraktuese në përdorimin e saj, gjithmonë ka qenë emergjenca për t’u furnizuar dhe për të marrë shërbime në kuadër të luftës kundër COVID-19, mirëpo si arsyetim është goxha i pabazë nëse përdoret edhe pas më shumë se një viti bashkëjetese po me këtë pandemi”, theksoi ajo.

Tutje, ajo shtoi “në publikimet tona, e kemi kritikuar faktin që çmimet me të cilat institucionet i kanë blerë mallrat, shërbimet apo punët përmes kësaj procedure, kanë qenë shumëfish më të larta krahasimisht me ato autoritete kontraktuese që kanë shkuar përmes procedurës së hapur”.

“Në ligj thuhet që, AK-të duhet të kenë rol aktiv për përcaktimin e kushteve të kontratës, veçanërisht te pjesa e çmimeve. Me këtë nënkuptohet që, duhet të negociohet çmimi dhe të tentohet të ulet, në mënyrë që të ruhet buxheti i shtetit, mirëpo në këtë drejtim kemi evidentuar jo shumë raste të tilla. Sigurisht ka pasur edhe raste kur janë zhvilluar negociatat dhe si rezultat, vlera totale e kontratave ishte ulur, apo edhe raste kur negociatat nuk kishin rezultuar të suksesshme, me ç’rast kompanitë nuk kishin pranuar ta ulnin çmimin e ofertës financiare”, sqaroi Dedushaj.

Ajo bëri të ditur se është dëmtuar konkurrenca, duke lidhur kontrata me procedurë të negocimit.

“Vlen të theksohet që, përdorimi i panevojshëm i procedurës me negocim ka bërë që të dëmtohet konkurrenca, si një prej parimeve bazë të prokurimit publik, pasi ka qenë në diskrecion të AK-ve të vendosin se cilat kompani të ftohen. Për shkak të kësaj mundësie të hapur, shumë operatorë ekonomikë janë gjetur të përjashtuar me apo pa dashje”, tha ndër tjera Dedushaj.

Në raportin e Demokracia Plus ku edhe janë dhënë disa rekomandime thuhet që “në bazë të situatës së përshkruar më sipër, mund të përfundohet që autoritetet kontraktuese kanë përdorur në
masë të madhe pandeminë si arsyetim për përdorim të procedurave urgjente në prokurim publik”.

'Gjykata e Tenderëve' vazhdon të mbetet jofunksionale, bllokohen me qindra projekte kapitale
Lexo po ashtu 'Gjykata e Tenderëve' vazhdon të mbetet jofunksionale, bllokohen me qindra projekte kapitale

“Nëpunësit civil në zyrat e prokurimit të autoriteteve kontraktuese (në nivel qendror dhe lokal) nuk i kanë zbatuar rregullat e prokurimit publik ashtu siç kërkohet me ligj. Në këtë mënyrë, kjo ka rezultuar në menaxhim të keq të procedurave të prokurimit publik dhe për pasojë shpenzim jo të duhur të parasë publike”, thuhet mes tjerash në raport.

Pra, në bazë të këtij përfundimi por edhe të tërë situatës së përshkruar në raport, Demokraci Plus (D+) ka këto rekomandime për autoritetet kontraktuese:

1. Procedura e negociuar të përdoret nga autoritetet kontraktuese vetëm në rastet e parapara me ligj dhe të emergjencave;

2. Mos të vendosen kërkesa të panevojshme, sidomos ISO-ve, të cilat nuk përkojnë me natyrën e tenderëve dhe që dëmtojnë konkurrencën;

3. Çdo kërkesë që listohet në dosje të tenderëve, duhet të respektohet dhe të dorëzohen dëshmi përkatëse, gjë që komisionet vlerësuese duhet t’i analizojnë dhe ta shpërblejnë me kontratë vetëm operatorin e përgjegjshëm;

4. Autoritetet kontraktuese nuk duhet të vendosin kërkesa minimale ndaj operatorëve ekonomikë në rastet kur tenderët janë me vlerë të lartë, të ndërlikuar për nga natyra dhe që kërkojnë profesionalizëm dhe eksperiencë,

5. Të bëhet hulumtimi i tregut për çdo mall që blihet apo për çfarëdo shërbimi apo pune që kërkohet më herët se sa shpallet tenderi në mënyrë që të ketë menaxhim më të mirë në shpenzim të parasë publike;

6. Të evidentohen çmimet jonormalisht të ulëta dhe të kërkohen sqarime me shkrim nga operatorët ekonomikë përkatës për çmimet e ofruara, në mënyrë që të eliminohen problemet gjatë implementimit të kontratës;

7. Personat përgjegjës për menaxhim të kontratës të jenë më të përgjegjshëm dhe të kujdesshëm në mbikëqyrje të OE-ve.

Raportin e plotë të Demokracia Plus mund ta gjeni duke klikuar KËTU. /Telegrafi/