“Ishte premtuar se Maqedonia e Veriut në rast të nënshkrimit dhe ratifikimit të Marrëveshjes së Prespës, në qershor të këtij viti do të marrë dritë të gjelbër për fillimin e negociatave, por kjo nuk ndodhi. Sllovenia do të dëshironte, si edhe në bisedimet me miqtë nga RMV-ja, si edhe në bisedimet me miqtë tanë në Bashkimin Evropian, në familjen evropiane, të thotë se kjo nuk është në rregull, nuk është mirë dhe se Samiti ardhshëm i liderëve të BE-së është mundësi që ky gabim të përmirësohet”.

Këtë e deklaroi presidenti slloven Borut Pahor, në takimin e sotëm me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ai, në takimin në Lubjanë, që u mbajt gjatë vizitës zyrtare të Pendarovskit në Slloveni, theksoi se Maqedonia e Veriut ka bërë hapa të jashtëzakonshëm, mahnitës, me të vërtetë hapa të rëndë, që t’i përmbushë pritjet e larta të Greqisë dhe të bashkësisë ndërkombëtare, që të mund të vazhdojë në rrugën e integrimeve euroatlantike.

“Maqedonia e Veriut mund të mbështetet në Slloveninë, se për negociatat në Bashkimin Evropian do të bëjë gjithçka që të mundet të bindet Evropa që të fillojë me negociatat, si për paqen dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor, kështu edhe për premtimet të cilat i ishin dhënë popullatës së RMV-së, si dhe për perspektivat e Bashkimit Evropian në kornizë pak më të gjerë kohore”, theksoi Pahor.

I pyetur për alternativa të mundshme në lidhje me zgjerimin e BE-së, presidenti Pahor tha se qëndrimin e Pendarovskit për atë çështje mirë e kupton dhe e mbështet.

“Nëse e shihni hartën e botës, Ballkani Perëndimor është i rrethuar me shtete të Bashkimit Evropian dhe një rrugë natyrore për zgjerimin është zgjerimi drejtë Ballkanit Perëndimor. Unë nuk kam ndonjë perspektivë tjetër për këto shtete dhe atë që do të dëshiroja ta thosha, është siç u them miqve dhe kolegëve evropianë, se shtyrja e strategjisë do të mund të kthejë jostabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, tha Pahor.

Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, i pyetur se a pret vështirësi me Qeverinë e re greke në lidhje me Marrëveshjen e Prespës, u përgjigj se angazhimet e deklaruara publikisht të Qeverisë së re janë se do ta respektojnë Marrëveshjen e Prespës dhe se gjatë kësaj do të angazhohen për zbatimin e saj në mënyrë strikte dhe rigide.

“Nga oponenti ynë më i madh në rrugën euroatlantike, Republika e Greqisë sot është aleati ynë më stabil dhe mbështetësi më i madh. Presim që kështu të mbetet, krejt e parëndësishme është që kanë Qeveri të re në Athinë, sepse parimet në të cilat është vendosur Marrëveshja e Prespës janë, sipas bindjes sonë të thellë korrekte, të balancuara dhe janë në interes të dy popujve dhe të dy shteteve”, tha Pendarovski.

Në pyetjen, se çka pret nga Komisioni i ri Evropian dhe a frikohet nga vazhdimi i mëtutjeshëm i procedurave në lidhje me zgjerimin e Bashkimit Evropian, gjegjësisht të mos marrim datë në vjeshtë, presidenti tha se të gjithë në Maqedoninë e Veriut janë të dëshpëruar që BE-ja nuk e ka ofruar atë që e ka premtuar në Samitin e vitit të kaluar në Sofje, kur në mënyrë decide ishin marrë vesh që në qershor të marrim datë menjëherë pas zgjedhjeve evropiane.

Në takimin e presidentëve Pendarovski dhe Pahor, kumtuan nga kabineti presidencial, ishin konfirmuar marrëdhëniet e afërta tradicionale dhe shkalla e lartë e mirëkuptimit dhe besimit mes të të dyjave vendeve.

Sonte, Pendarovski do të ketë ligjëratë në Institutin Ndërkombëtar për Studime Ballkanike dhe të Lindjes së Mesme (IFIMES) në temën “E ardhmja e Maqedonisë së Veriut – Si të përshpejtohet integrimi në BE”, ndërsa nesër në Lubjanë do të realizojë takime me kryetarin e Asamblesë Shtetërorë të Republikës së Sllovenisë, Dejan Zhidan dhe me kryetarin e Qeverisë së Republikës së Sllovenisë, Marjan Sharec./Telegrafi/