Ferati–Rokas: Bashkëpunimi me BE-në për zhvillim të barabartë dhe institucione më të forta

Ministri i Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, sot priti në takim ambasadorin e Bashkimit Evropian, Michalis Rokas, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
"Gjatë takimit u diskutua për avancimin e procesit të integrimit evropian dhe rëndësinë e marrëdhënieve të mira ndërmjet bashkësive si një nga shtyllat themelore për ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe të qëndrueshme.
Vëmendje e veçantë iu kushtua përfshirjes aktive të të rinjve në proceset vendimmarrëse dhe krijimit të mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët, si bazë për ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse.
Ministri Ferati dhe ambasadori Rokas folën edhe për forcimin e kapaciteteve institucionale të ministrisë së Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive, me qëllim rritjen e efikasitetit në hartimin dhe zbatimin e politikave që kontribuojnë në kohezionin shoqëror.
Dy bashkëbiseduesit vlerësuan mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për projektet që kontribuojnë në zhvillimin e barabartë të rajoneve dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve", thuhet në njoftim.
Nga atje thonë se Ferati shprehu mirënjohjen për partneritetin me Bashkimin Evropian, duke theksuar gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në iniciativa që forcojnë bashkëjetesën, zhvillimin institucional dhe perspektivën evropiane të vendit./Telegrafi/







































