LAJMI I FUNDIT:

OKB bën thirrje për plan konkret veprimi ndaj klimës

OKB bën thirrje për plan konkret veprimi ndaj klimës

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, u bëri thirrje vendeve të ndryshme të hartojnë një plan konkret veprimi përpara samitit të ardhshëm të klimës.

Ai e tha këto kur lëshoi një raport mbi gjendjen botërore të klimës nga Organizata Botërore Meteorologjike.


Guterres po bën thirrje që samiti i planifikuar për në 23 shtator të shërbejë për shtimin e vullnetit politik mbi ndryshimet klimatike.

“Kjo vërteton atë që kemi përsëritur shpesh se ndryshimi i klimës po ecën më shpejt se përpjekjet tona në adresim të tij dhe kjo është arsyeja e Samitit të Veprimit Klimatik që do të kemi këtu në New Jork më 23 shtator. Është shumë e rëndësishme që ta trajtojmë ndryshimin e klimës me ambicie më të madhe dhe po u them udhëheqësve mos ejani me një fjalim, ejani me një plan”, tha Guterres.

Ai shtoi se raporti i mbi klimën është një zile zgjimi dhe bëri thirrje për një pakësim të lëshimit të gazit serrë prej 45 për qind gjatë 10 viteve të ardhshme dhe për arritjen e shkarkimeve zero në nivel global deri në vitin 2050.

“Nëse nuk e bëjmë këtë, do të ketë pasoja të pakthyeshme, nëse nuk jemi në gjendje të përmbushim synimet e kërkuara në Paris. Jemi shumë pranë momentit ku nuk është më e mundur të vijmë drejt fundit të shekullit me vetëm 1.5 gradë. Na kanë ngelur shumë pak vite të përmbysim këto prirje”, shtoi ai.

Raporti i klimës reflekton se viti i kaluar ishte viti i katërt më i nxehtë në histori dhe se vitet 2015-2018 ishin më të nxehtat të regjistruara ndonjëherë.

Temperatura mesatare botërore arriti rreth 1 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale. /Telegrafi/