LAJMI I FUNDIT:

Oda e Afarizmit: Riinegocimi i CEFTA-së do të shmangte problemet me ndërkombëtarët

Oda e Afarizmit: Riinegocimi i CEFTA-së do të shmangte problemet me ndërkombëtarët

Ndikimi i taksës 100 për qind me Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën dhe klima e të bërit biznes ishin ndër çështjet kryesore të diskutimit në takimin e përfaqësuesve të OAK-së me Liburn Aliun, deputet i Kuvendit të Kosovës.

Sipas komunikatës për media nga Oda, Aliu përgëzoi odën për punën e bërë deri më tani dhe shtoi që kërkon të informohet për qëndrimin e OAK-së lidhur me ndikimin e taksës 100 për qind në bizneset dhe ekonominë e vendit.


Kryetari i Bordit, Skënder Krasniqi tha që OAK është pro taksës, mirëpo tash e sa vite ka dhënë një alternativë e cila do të evitonte taksën dhe do bënte që Kosova të mos ketë probleme me ndërkombëtarët.

“Rinegociimi i marrëveshjes së CEFTA-së dhe hyrja e Kosovës në CEFTA si shtet konsiderohet i domosdoshëm, sepse pjesë e saj jemi si UNMIK gjë e cila shkel Kushtetutën e Kosovës”, shtoi Krasniqi.

Nënkryetari Arsim Selmonmusaj, theksoi që rinegociimi i CEFTA-së do t’i vendoste vendet e rajonit para dy alternativave: të na pranojnë si Republikë e Kosovës ose në të kundërt do t’i vendosin vetes barriera me ne, situatë e cila do të krijonte pikë pozitive për Kosovën tek ndërkombëtarët.

Sekretari i Bordit, Diamant Elshani, shtoi që momentalisht komunikimi ndërmjet institucioneve dhe bizneseve është në minimum dhe se ligjet ekzistuese po i largojnë investitorët e huaj pasi që shpeshherë janë edhe në kundërshtim me njëri-tjetrin.

Aliu shtoi që këtë takim e konsideroi frytdhënës në mënyrë që të marrë inputet drejtpërdrejtë nga bizneset dhe të lobojë në shqyerjen përpara të tyre. /Telegrafi/