LAJMI I FUNDIT:

Numër i vogël i qytetarëve protestojnë kundër taksës së RTK-së

Numër i vogël i qytetarëve protestojnë kundër taksës së RTK-së

Një numër i vogël i qytetarëve së bashku me sindikalistë, kanë protestuar sot para Kuvendit të Kosovës, në shenjë pakënaqësie për të kundërshtuar taksën e RTK-së, për të cilën sipas tyre supozohet t’iu faturohet qytetarëve përmes faturave të energjisë elektrike.

Rashit Gashi, punëtor i KEDS-it, e dikur punëtor i distribucionit Elektro Kosova, tha se si qytetar i Kosovës nuk do të lejojë një gjë të tillë.


“Si aktivist sindikal dhe si qytetar i këtij vendi sot kam dal në shenjë pakënaqësie dhe në shenjë proteste si akt simbolik kundër taksës së RTK-së, e cila prentendohet dhe supozohet të faturohet përmes faturave të energjisë elektrike. Unë si ish-punëtor i distribucionit të Elektro Kosovës dhe tash punëtor i KEDS-it, e kundërshtoj këtë taksë përmes faturave të energjisë. Dhe sot kam dalur këtu të shprehi revoltën time në lidhje me këtë taksë. Kjo është në shenjë pakënaqësie për gjithë faturim qe do i faturohet edhe pulave, lopëve, shtallave të lopëve, koletecëve të pulave, gjithashtu xhamiave, kishave, plantacioneve të pemëve dhe kudo tjetër ku ka njësor të energjisë elektrike”, tha ai.

Pavarësisht numrit të vogël të pjesëmarrësve në këtë protestë, Gashi thotë se njoftimi është bërë përmes rrjeteve sociale, për çka nuk kanë pritur numër më të madh të protestuesve. Ai ka treguar se si do të veprojnë në rast se nuk merrën parasysh shqetësimet e tyre.

“Kjo është një shenjë vetëdijësimi për të gjithë konsumatorët edhe qytetarëve, po ashtu edhe deputetë të nderuar të kenë me dije se çfarë takse duan tua faturojnë qytetarëve… në rast se nuk merrën parasysh shqetësimet tona, unë se bashku me disa kolegë të mi me të cilët do të dal, si punëtorë të KEDS-it dhe të distribacionit do ta kundërshtojmë këtë taksë dhe do të kërkojmë të na bashkëngjiten të gjithë qytetarët”, tha mes tjerash ai.

Nënkryetari i Sindikatës së KEK-ut, Nexhat Llumnica thotë se me këtë taksë, dëmtohen edhe punëtorët e KEDS-it.

“Edhe unë si sindikalist i KEDS-it besoj që punëtorit e KEDS-it, dëmtohen me taksën e RTK-së, ashtu siç janë dëmtuar më parë edhe në të kaluarën kur kanë punëtor të Korporatës Energjetike të Kosovës. Janë inkasu mjete për replikim në çdo vend edhe në vendet ku nuk ka pasur shanse të ketë televizione. Unë vlerësoj se televizioni nuk është publik dhe nuk duhet t-i përgjigjen qytetarët fare. Unë nuk edi çfarë mendojnë deputetët e Kuvendit të Kosovës për këtë arsyeje, kur e shkel deputeti kushtetutën, atëherë qytetarët çfarë do të bëjnë”, tha Llumnica. /KP/