Cristhian Mosquera ka zbuluar se qasja personale e Mikel Artetës e bindi të bashkohej me Arsenalin këtë verë, pavarësisht konkurrencës së fortë nga dyshen e qëndrueshme të mbrojtjes, William Saliba dhe Gabriel Magalhaes.

Transferimi prej 13 milionë eurosh nga Valencia është cilësuar tashmë si një nga goditjet më të zgjuara të Arsenalit gjatë merkatos së verës, me 21-vjeçarin që ka lënë përshtypje pozitive në Londrën Veriore.


Arsenali finalizoi blerjen e Mosqueras gjatë afatit kalimtar veror, duke e sjellë atë për të shtuar thellësi dhe konkurrencë në prapavijë, një repart që tashmë përfshin një nga dyshet më të forta të Premier League, Saliba dhe Gabriel.

“Ndjehem shumë mirë në klub dhe në qytet. Që nga momenti i parë që Arteta foli me mua, nuk kisha asnjë dyshim për t’u bashkuar me Arsenalin”.

“Ka një grup lojtarësh të jashtëzakonshëm. Për më tepër, ka shumë folës të gjuhës spanjolle që më kanë ndihmuar të përshtatem”.

“Kur nënshkrova, e dija që do të përballesha me ta [Gabriel dhe Saliba], dy yje të nivelit botëror, por kjo ishte ideja e klubit, të kemi konkurrencë për çdo pozicion për të arritur sa më larg”, ka thënë Mosquera.

Transferimi i Mosqueras është vlerësuar si një lëvizje brilante për Arsenalin, jo vetëm në aspektin e përforcimit të skuadrës, por edhe për vlerën që ai ofron.

Me një çmim prej vetëm 13 milionë eurosh, spanjolli konsiderohet si një nga marrëveshjet më të mira të verës dhe paraqitjet e tij e kanë justifikuar këtë vlerësim.

Kur Saliba pësoi një dëmtim të lehtë kundër Liverpoolit, Arteta iu drejtua menjëherë Mosqueras, një vendim që dha rezultat, me të riun që zhvilloi një paraqitje të qetë dhe të sigurt./Telegrafi/

telegrafi sport app