“Nuk kam sharë, ma ktheni borxhin prej 15 mijë eurove”, Drilon Hajrizi reagon pas akuzave të KB Pejës

Basketbollisti Drilon Hajrizi thotë se nuk e ka sharë askënd pas akuzave të KB Pejës.
Ai përmes një shkrimi në “Facebook”, thotë se klubi pejan po dëshiron ta zhvendosë vëmendjen, duke iu kërkuar “borxhin prej 15 mijë eurove”.
Postimi i plotë pa ndërhyrje:
“Të dashur dhe të respektuar qytetarë,
Nuk kam sharë, nuk është në natyrën time! Është e vërtetë se e kam ofenduar në shenjë revolte njërin prej orkestruesëve të sharjeve në kor ndaj meje në Pejë, por assesi lojtarët e aq më pak klubin.
Kontributi im për KB Pejën është i madh. Atë e dijnë tifozët e vjetër, Shqiponjat e vërteta. Këta që janë vërsulur ndaj meje, duan që kështu të zhvendosin vëmendjen dhe të fshehin palarat e tyre. Në vend se të merreni me këto marrina ma ktheni borxhin prej 15,000 Eurove!
Ja sharjet e orkestruara në kor ndaj meje. Paramendoni, ndaj njeriut që dha aq shumë për klubin e KB Pejës!”, shkroi ai.
Ndërkohë, të shtunën do të zhvillohet gjysmëfinalja e katërt mes Pejës dhe Trepçës./Telegrafi/





















































