“Ky titull ka një peshë më të madhe se trofetë”, Drilon Hajrizi me reagim pasi Trepça u shpall kampion

Kapiteni i KB Trepça, Drilon Hajrizi, ka reaguar me një mesazh emocional pas titullit të tretë radhazi kampion i Kosovës, duke treguar se ky sukses ka një domethënie shumë më të madhe sesa vetëm trofeu.
Në një postim prekës, Hajrizi rikujtoi vitet e vështira të klubit, duke përmendur periudhën e vitit 2012 kur, sipas tij, Trepça kishte talent dhe ëndrra të mëdha, por jo kushtet dhe bazamentin e nevojshëm për ta mbajtur klubin në majë.
Ai theksoi se rikthimi i Trepçës në elitë erdhi në një kohë kur vullneti ishte më i madh sesa mundësitë, ndërsa sot klubi ka ndërtuar organizim, mentalitet fitues dhe një kulturë që synon të zgjasë për shumë vite.
Postimi pa ndërhyrje i Hajrizit
Tri vite radhazi kampion
Por ky titull ka një peshë më të madhe se trofetë.
Sot, kur e shoh KB Trepçën në maje, më rikthehet në mendje viti 2012. Atëherë kishim talent, kishim zemër, kishim ëndërr… por jo bazamentin që e mban një klub gjallë në kohë. Kushtet ishin më të vështira dhe shpeshherë vetëm përkrahja e familjes na mbante në këmbë.
Në fakt, ne e rikthyem Trepçën në majë në një kohë kur vullneti ishte më i fortë se mundësitë!
Sot, kjo është ajo që më gëzon më shumë:
Mitrovica nuk ka vetëm lojtarë të mirë. Ka organizim. Ka mentalitet fitues. Ka vizion. Ka një brez që po rritet duke besuar se cilësia duhet të sundojë.
Ka ardhë koha e ndërtimit të një kulture që do të zgjasë. Faleminderit të gjithë atyre që janë pjesë e këtij rrugëtimi.
Urime,
12-shi juaj
/Telegrafi/












































