LAJMI I FUNDIT:

BE: “Non-paper” për marrëveshjen Kosovë-Serbi nuk paraqet qëndrimin tonë

BE: “Non-paper” për marrëveshjen Kosovë-Serbi nuk paraqet qëndrimin tonë
Foto: Arkiv/Ilustrim

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Peter Stano, ka mohuar të martën se blloku evropian ndan qëndrimet e përmendura në një “non-paper” të supozuar, të botuar nga disa media në Kosovë.

“Si rregull i përgjithshëm ne nuk e komentojmë asnjë non-paper të supozuar apo dokumente që pretendohet të jenë non-paper, që paraqiten në media të ndryshme. Në rastin në fjalë, dokumenti i supozuar nuk paraqet pozicionin e BE-së dhe atë nuk e kanë marrë as Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së e as Përfaqësuesi i lartë”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të BE-së, transmeton REL.


“Non-paper”, është një term që përdoret në BE lidhur me pikat e diskutimeve që ndahen në mënyrë konfidenciale ndërmjet qeverive dhe institucioneve.

Gazeta “Koha Ditore” e ka publikuar këtë dokument, i cili është thënë të jetë hartuar nga Gjermania dhe Franca, si iniciativë për rinisjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, dhe përmbylljen e këtij procesi me një marrëveshje përfundimtare.

Gazeta ka shkruar se nuk ka mundur të konfirmojë vërtetësinë e këtij dokumenti, “por disa diplomatë me të cilët ka kontaktuar gazeta, pak a shumë kanë konfirmuar se pikat që përmenden në të janë në përputhje me ato që pritet të diskutohen në dialog”.

Ambasadori gjerman: Dokumenti i publikuar rreth njohjes Kosovë-Serbi, nuk është i vërtetë
Lexo po ashtu Ambasadori gjerman: Dokumenti i publikuar rreth njohjes Kosovë-Serbi, nuk është i vërtetë

Gjermania e ka hedhur poshtë vërtetësinë e “non-paper” që u tha se është hartuar nga ajo dhe Franca.

“Ky dokument nuk është i vërtetë dhe nuk reflekton në asnjë mënyrë pozicionet e Gjermanisë dhe Francës”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës gjermane, dhënë Radios Evropa e Lirë.

Në Qeverinë e Kosovës, kanë refuzuar të komentojnë informacionet që përmban ky “non-paper” i ri.

Në BE pohojnë se janë në përgatitje të një takimi të nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Madje Përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borrell ka përmendur edhe datën 11 maj si datë të caktuar për dialog, ndonëse një datë e tillë nuk është konfirmuar nga Qeveria e Kosovës.

Mirëpo zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë më 26 prill se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ka marrë kurrfarë ftese as njoftimi për takim në këtë datë.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti të enjten do të ketë takime me zyrtarë të lartë të BE-së ku dialogu, sikur edhe përgatitjet për takimin e tij me presidentin e Serbisë, do të jenë ndër temat e diskutimeve.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ka nisur më 2011.