LAJMI I FUNDIT:

Njeriu i mërgatës, patrioti e guximtari – vlerësohet lartë figura e Agim Ramadanit në 25-vjetorin e rënies

Njeriu i mërgatës, patrioti e guximtari – vlerësohet lartë figura e Agim Ramadanit në 25-vjetorin e rënies

Sot bëhen 25 vjet nga rënia e luftëtarit dhe heroit Agim Ramadani, ndërkaq udhëheqës të shtetit e liderë partiakë vlerësuan lartë figurën e tij.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani thekson se Agim Ramadani nuk ishte thjesht vetëm ushtarak, por një gërshetim i luftëtarit, poetit e piktorit, respektivisht një personalitet poliedrik i shndërruar në hero.


“Ai është njeriu i mërgatës, patrioti e guximtari që ëndrrën për lirinë e bëri realitet duke iu bashkuar UÇK-së dhe duke u përjetësuar në heroin emblematik të shembjes së kufirit ndërmjet Kosovës e Shqipërisë.

Ai dhe bashkëluftëtarët i dhanë jetë ëndrrave dhe aspiratave të popullit tonë për të qenë i lirë. Heroizmi dhe trashëgimia e Agimit do të vazhdojnë t`i frymëzojë brezat që do të vijnë. Qoftë i përjetshëm kujtimi për heroin Agim Ramadanin!”, shkruan presidentja.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka shkruar se sot, kujtojmë piktorin dhe shkrimtarin Agim Ramadani, që përmes vargjeve i dha jetë, luftës e lirisë.

“Në historinë tonë të lavdishme; të papërsëritshme, janë disa ditë që aq sa na pikëllojnë, na bëjnë edhe më shumë krenar. Ditë të tilla janë këto të prillit, kur në majet e larta nën udhëheqjen e strategëve të luftës për liri, Agim Ramadani “Katana” dhe Sali Çekaj, u thye kufiri shqiptaro-shqiptar me Betejën e Koshares, atë më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në agimin e 11 prillit, në vend se t’i gëzoheshim rrugëtimit drejt çlirimit të Kosovës, lufta na e mori strategun më të mirë të kohës, luftëtarin e Heroin e Kosovës, Agim Ramadani, atje skaj bjeshkëve të ashpra ku edhe pushon përjetësisht trupi i tij. Kumti i trishtueshëm që në vijat e para të frontit në Koshare, ra Agim Ramadani; nuk i ligështoi shokët e luftës. Ata tashmë kishin motivin për të vazhduar deri në çlirim. Kosova e pavarur, ishte ëndrra e të 114 dëshmorëve të Brigadës 138 të udhëhequr nga Agim Ramadani që tashmë po shkruanin me sakrificën e tyre njërën prej rrëfimeve më të madhërishme të luftës për liri e pavarësi”, ka shkruar Abdixhiku.

Kreu i LDK-së ka shtuar se në kohët më të vështira, kur lëshoj zë kushtrimi i atdheut, Agimi, si gjithmonë ishte në krye të detyrës, ndërsa vetë ai i paepur për liri e çlirim nuk ndihej i përmbushur pa sakrificën më sublime edhe me vet jetën e tij.

“Në këtë përvjetor ne nderojmë përjetësisht figurën shumëdimensionale, unike e të papërsëritshme të Agim Ramadanit; nderojmë dhe kontributin e gjurmët e tij të pashlyeshme në rrugëtimin për liri e shtet-ndërtim. Lavdi e përjetshme, Heroit Agim Ramadani dhe të gjithë dëshmorëve të rënë për liri!”, u shpreh Abdixhiku.

Në 25-vjetorin e rënies së heroit Ramadani shkroi edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kryetari i AAK-së theksoi se ndër protagonistët kryesorë të Betejës së Koshares gjithsesi është emri i një luftëtari të vërtetë e me virtyte të larta.

“Agim Ramadani, strategu që shkuli gurin e kufirit që ndante shqiptarët, emër ky që u bë tmerr për armikun. Shumë luftëtarë ranë në fushën e nderit nën emrin e brigadës që barti emrin e tij e shumë të tjerë i lanë gjymtyrët në kufirin shqiptaro-shqiptar. Agimi nga Zhegra e Gjilanit, e nderoi Dukagjinin, Kosovën e mbarë kombin shqiptar”, shkruan ai. /Telegrafi/