“Zjarri i Lirisë” ndizet edhe në Zonën Operative të Nerodimes: Liri për çlirimtarët, nderim për UÇK-në

Edhe Zona Operative e Nerodimes, si pjesë e 7 zonave, i është bashkuar aktivitetit “Zjarri i Lirisë”, në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Ish-ushtarë dhe bashkëluftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veteranë, familje të dëshmorëve dhe qytetarë u bashkuan për të përcjellë një mesazh të përbashkët: lufta e UÇK-së ishte luftë për liri dhe historia e saj duhet të mbrohet me dinjitet.
Sipas njoftimit, nga Zona Operative e Nerodimes u kërkua drejtësi dhe liri për ish-krerët e UÇK-së që ndodhen në Hagë, ndërsa u ritheksua mbështetja për sakrificën, luftën dhe vlerat mbi të cilat është ndërtuar liria e Kosovës.
“Zjarri i Lirisë” po bashkon, nga njëra zonë operative në tjetrën, bashkëluftëtarë dhe qytetarë rreth kujtesës, solidaritetit dhe kërkesës për drejtësi.
“Nga Nerodimja, mesazhi është i qartë: Liri për çlirimtarët, nderim për UÇK-në”, thuhet në njoftim.
Aktivitetet vazhdojnë drejt Marshit për Liri, që do të mbahet më 12 shtator, nga ora 14:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.





































