Haradinaj: Shkuarja në zgjedhje është skenar i Kurtit, afatet janë zvarritur qëllimisht

Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se shkuarja e vendit sërish në zgjedhje është një skenar i përgatitur prej kohësh nga kryeministri Albin Kurti.
Në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Haradinaj tha se zhvillimet e fundit politike, sipas tij, janë përdorur vetëm për të arritur datën e zgjedhjeve që i përshtatet Kurtit.
Ai rikujtoi se edhe kryetari aktual i AAK-së, Ardian Gjini, kishte paralajmëruar më herët një skenar të tillë.
“Kryetari Gjini herët e ka bërë të ditur se është skenar i Kurtit shkuarja prapë në zgjedhje, të gjitha zhvillimet tjera janë ndihmëse për Kurtin me mbërri datën që ai synon”, tha Haradinaj.
Sipas tij, votat për të dërguar vendin në zgjedhje kanë ekzistuar që nga 9 korriku, por procesi është zvarritur gjatë muajve gusht dhe shtator.
“Zgjedhjet që po vijnë, për me ditë që jemi në zgjedhje, këto vota i kanë pas me 9 korrik. Nuk e kanë bë me 9 korrik, nuk e kanë bë me 9 gusht as me 9 shtator. Ku mbeti afati 30 ditësh?”, tha ai.
Haradinaj pretendoi se qëllimi është që data e zgjedhjeve të përcaktohet në mënyrën që i përshtatet Kurtit.
“Po ndodh që data me u zgjedh prej Albulenës, data që i konvenon Kurtit. Kjo është bardhë e zi, të gjitha tjerat janë mbulesë”, deklaroi ai.
Ai shtoi se mazhoranca i ka pasur mbi 60 vota dhe se, sipas tij, askush nuk ka pasur mundësi ta bllokojë procesin.
“Kërkush s’ka mujtë me e blloku se i ka votat shumicë, 60 plus, ai i bllokoi kandidatët për nënkryetarë. Janë humb dy muaj, janë konsumuar afatet ligjore, tani jemi në paqartësi që duhet me i zgjidh Gjykata Kushtetuese”, tha Haradinaj.
Sipas tij, edhe ftesat për takime politike kanë qenë vetëm formale, pasi Kurti “e ka nda mendjen” për zgjedhje.
Haradinaj paralajmëroi se zhvillimet aktuale mund të kenë pasoja të mëdha për vendin dhe për vetë kryeministrin.
“Këto vendime kanë pasoja të mëdha për vendin, po do të ketë pasoja edhe për të”, tha Haradinaj.





































