Një shqetësim në gju i yllit të skuadrës, shqetëson Argjentinën para Kampionatit Botëror

Como i mbajti gjallë shpresat për një vend në Ligën e Kampionëve me një fitore të ngushtë ndaj Parmës, të siguruar nga goli i Alberto Morenos. Skuadra e drejtuar nga Cesc Fàbregas, me këtë triumf, ka siguruar historikisht pjesëmarrjen e parë në garat evropiane, pavarësisht se çfarë do të ndodhë në xhiron e fundit të sezonit.
Megjithatë, ndeshja nuk ishte e lehtë për Comon, edhe për shkak të mungesës së njërit prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës, Nico Paz.
Mesfushori argjentinas pësoi një goditje të fortë në gju gjatë javës, çka e detyroi të mungojë ndaj Parmës. Dëmtimi i tij ka ngritur shqetësim edhe te Argjentina, në prag të Kupës së Botës që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Edhe pse Paz mund të ecë normalisht, ai ende ndjen dhimbje gjatë sforcimeve të mëdha fizike. Situata po monitorohet nga stafi mjekësor i klubit, ndërsa sinjalet fillestare janë pozitive.
Raportohet se lëndimi nuk pritet të përkeqësohet dhe argjentinasi pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen e radhës në kampionat kundër Cremoneses.
Megjithatë, Shoqata Argjentinase e Futbollit po e ndjek nga afër gjendjen e tij, për t’u siguruar që ai do të jetë 100 për qind i gatshëm për Botërorin nën drejtimin e trajnerit Lionel Scaloni.
Nico Paz ka qenë një nga figurat kryesore të Comos këtë sezon, me 40 paraqitje në të gjitha garat, 13 gola dhe tetë asistime.

Sipas Transfermarkt, vlera e tij në treg vlerësohet rreth 65 milionë euro, ndërsa raportohet se ai pritet t’i bashkohet Real Madridit sezonin e ardhshëm. /Telegrafi/

















































