Përfaqësuesja e Iranit në futboll ka mbërritur të hënën në Turqi, ku do të zhvillojë një kamp stërvitor përpara udhëtimit të planifikuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kupën e Botës.

Skuadra e Iranit është vendosur në Antalia, ndërsa lojtarët dhe zyrtarët kanë dalë nga aeroporti të veshur me uniforma të zeza dhe kanë udhëtuar drejt hotelit të tyre në zonën e Belekut, e cila shpesh është përdorur si bazë stërvitore nga kombëtare të ndryshme.


Pjesëmarrja e Iranit në turneun që zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik mbetet ende e pasigurt, pas përshkallëzimit të tensioneve ndërmjet SHBA-së, Izraelit dhe Iranit në fund të shkurtit.

Sipas planit aktual, ndeshjet e grupit të Iranit duhet të zhvillohen në territorin amerikan.

Sekretari i Përgjithshëm i FIFA-s, Mattias Grafstrom, ka deklaruar se ka zhvilluar një takim “konstruktiv dhe pozitiv” me presidentin e Federatës Iraniane të Futbollit, Mehdi Taj, duke shprehur optimizëm për pjesëmarrjen e Iranit në turne.

Megjithatë, procesi i pajisjes me viza për delegacionin iranian mbetet një pikë kyçe e pasigurisë.

Sipas raportimeve, aplikimet për viza pritet të trajtohen në Turqi. Tensionet janë shtuar edhe pas rastit kur kreut të federatës iraniane i ishte refuzuar hyrja në Kanada për një kongres të FIFA-s, për shkak të lidhjeve të tij të dyshuara me Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), e cila është e cilësuar si organizatë e ndaluar nga SHBA dhe Kanadaja.

Ndërkohë, zyrtarët amerikanë dhe kanadezë kanë bërë të qartë se personat e lidhur me IRGC nuk do të lejohen të hyjnë në territorin e tyre gjatë turneut.

Irani kishte kërkuar që ndeshjet e tij të zhvendoseshin në Meksikë, por presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka këmbëngulur që të gjitha takimet të zhvillohen në stadiumet e përcaktuara fillimisht.

Sipas planit të organizimit, kombëtarja iraniane pritet të vendoset në bazën e saj në Tucson, Arizona, në fillim të qershorit.

Në fazën e grupeve, Irani do të përballet me Zelandën e Re në Los Angeles më 15 qershor, si dhe me Belgjikën dhe Egjiptin në ndeshjet e tjera të Grupit G. /Telegrafi/

telegrafi sport app