LAJMI I FUNDIT:

Një shpurë shkrimtarësh me vepër shumë të dyshimtë, kontrollojnë gjithçka në “doganat” e letrave shqipe

Një shpurë shkrimtarësh me vepër shumë të dyshimtë, kontrollojnë gjithçka në “doganat” e letrave shqipe

Intervistë me shkrimtaren: Flutura Açka
Intervistoi: Mark Simoni

Duke qenë se ka shumë pika të pasqaruara dhe të pastudiuara mirë nga Letërsia e viteve ‘30-të, a mund të ketë lexuesi një mendim dhe qëndrim tuajin?


Kur flasim për letërsinë e viteve 30-të, duket se është e paqartë nëse Migjeni përfshihet në të apo jo. Vitet 30-të janë një fashë e artë në historinë e letërsisë shqipe, por jo vetëm në letrat shqipe. Sa për Migjenin, i përfshirë ose jo, ai mund të qëndrojë fort qoftë i vetmuar si yll më vete. Gjeniu jetëshkurtër, ishte krijesa letrare që vrau drojën për te letërsia e madhe. Në vitet ‘30-të ne kemi figurat më emblematike të letrave shqipe, jo vetëm për dendurinë e tyre në kohën kur jetuan, por edhe me veprën që lanë.

Kurrë ndonjëherë pas kësaj, shkrimtarët nuk janë përfshirë me gjithsej në jetën publike, atëbotë shkrimtarët ishin të urtët, patriotët, publicistët, përkthyesit, politikanët, ideatorët e kohës, nuk ishin thjesht shkrimtarë për shkrimtarë, kishin në ta edhe dimensionin historik, një ndjesi përgjegjësie të kohës kur jetonin, ose e thënë më qartë, si njerëz të fjalës, flisnin, nuk heshtnin. Pas tyre erdhën shkrimtarët e realizmit socialist, roli i të cilëve tashmë është i ditur. Me ndonjë përjashtim të rrallë, pjesa më e madhe e veprave të tyre, ishte thjesht duartrokitje për regjimin. As sot shkrimtarët shqiptarë, edhe pse liria u garanton hapësirat e nevojshme, nuk kanë mundur t’i afrohen fuqisë së brezit të viteve ‘30-të.

Me përjashtime të pakta, shkrimtarët e sotëm janë heshtakë, të shkujdesur ndaj çështjeve të ditës, as nuk e duartrokasin të keqen e ulur këmbëkryq në trojet tona, por as nuk e sfidojnë atë. Janë korrektë me rolin e tyre, ndaj pak prej tyre iu afrohen zonës së të urtëve, për të cilët kombet kanë një kënd të veçantë te holli i nderimit. Ndaj, letërsia e viteve ‘30-të, edhe pse jo plotësisht e studiuar, mbetet padyshim në fronin e hierarkisë sonë letrare.

Cilat janë marrëdhëniet dhe rrethanat e para me letërsinë, zhvillimet e veçanta të raporteve me librin?

E mbaj mend veten fare fëmijë që u flisja luleve në lehet e shtëpisë ku jam rritur në Elbasan, u tregoja historira, si të isha në kërkim të ndonjë publiku, i cili nuk dinte të qortonte. Të gjithë të tjerët qortonin: mamaja, se e harruar në cep të shtëpisë pas librave, ia digjja gjellën; mësueset, ngaqë isha vajzë kryeneçe; shoqet, sepse nuk u kushtoja kohë të luanim cinglash. Vetmia ka filluar të bëhet vesi im qysh herët.

Pothuajse shumë e re, sapo i kisha kaluar dhjetë vjetët, kur i kujtoj shkarravinat e mia të para në vargje, të cilat më vonë, diku pa i mbushur katërmbëdhjetë vjetët, do të ishin një poemë e gjatë futuriste e ndikuar tmerrësisht nga Majakovski, që do ta kuturisnin time më nëpër redaksitë e “Dritës” dhe të “Nëntorit” në kërkim të botimit të saj. Aty takova miq të mrekullueshëm, që do të më këshillonin të kujdesesha të rritesha më parë, pa e ditur se ata do të ishin shpejt kolegë të mi.

Studimet e forcuara për ekonomi, duket e shembën ëndrrën time, por liria i superon gjithçka, dhe unë jam shkrimtare falë lirisë. Besoj se shkrimtari lind dhe koshienca ime më thotë se jam shkrimtare e lindur, por intuita më ka shtyrë gjithnjë jashtë çdo dembelimi që të jep ndjesia e sigurisë. Kur lexon mjeshtra të mëdhenj, përveç lundrimit nëpër botë të reja të mahnitëse, ti mëson edhe se si të kërkosh më shumë nga vetja, si të ndjehesh modeste. Mendoj se nëse jam një shkrimtare produktive, kjo vjen sepse unë punoj vazhdimisht, nuk ia jap lehtë vetes luksin e kafeneve, përsosjes së rrethit të miqve që kushedi kur të duhen për qokat alla shqiptare.

Kjo punë, të shkruarit, ka qenë e vetmja tragë për të lumturia ime, sado që shpesh me shihni si grua të fortë, unë jam një qenie tejet e trishtuar (e mbindjeshme, mund të lexohet), dhe letërsia është e vetmja mbrojtje nga shtypja e këtyre viteve të vrullshme, por edhe kaotike, ku po jetojmë. Nuk e di në është frikë apo nevojë për një botë më të madhe, më të sigurt, paralele me atë ku jetoj si qenie biologjike, e ku nuk ndihem e plotë si qenie letrare.

Libri është mënyra se si marr frymë. Tani kjo është më akute se kurrë, po të mos jetë libri, nuk e di se çfarë dua ende në këtë botë të gjallë, të frikshme. Mund të tingëllojë fataliste, por fundja, kjo ështe jeta ime tani. Një shkrimtare jofataliste (lexoni veprën time!) me një jetë fatale!

Mund t’i thuash lexuesit diçka nga letërsia juaj dhe planet për të ardhmen, mbasi është i interesuar të dijë më shumë?

Nuk kam shkruar fare për muaj të tërë; tani po u kthehem ngadalë fletëve dhe ekranit. Kam disa libra nëpër duar, fragmente të tyre, që po përpiqem t’i shtroj e t’u jap formë, në prozë më së shumti. Jam ende e pasigurt se si duhet ta lidh vjegën me lexuesin pas kësaj shkëputjeje. Kurrë më shume se tani ajo fleta e bardhë nuk ka qenë “rruga e Zotit për të treguar se sa e pamundur është të jesh Zot”, siç thotë S. Sheldon. A ta ndaj letërsinë time nga fati im? A do t’ia dal dot? A ia kanë dalë të tjerë para meje? Nuk e di. Por, mbase një libër me fat-pafatësinë time do të më ndihmonte të thyeja drojën. Besoj se po punoj, se po rri në këmbë, lexuesin tim personal që më ndjek prej vitesh ky pohim do ta qetësonte. Ndoshta në pranverën e ardhshme do të vij me një libër të ri, por nuk mund të bëj plane, as mund të shpall ende tituj.

A ka shenja dhe gjeste për të thënë se ne kemi letërsi të mirë sot?

Ka padyshim letërsi të mirë bashkëkohore shqipe, që nuk është e thënë të shkruhet e gjitha në Shqipëri. Por, një pjesë të saj ne nuk e njohim, nuk e kemi zbuluar, nuk na ka rëne ende në dorë. Letërsinë e spikatur e gjykon kritika dhe ia rekomandon lexuesit, ky është trendi në Evropë. Kritika serioze e shpëton lexuesin nga bjerraditja dhe median nga kotësia e shpalljes si vlerë të letërsisë së dobët. Kam keqardhje për rolin e vakët të kritikës sot në Shqipëri, jo e gjitha për faj të saj. Por, edhe për faj të saj, ajo ende nuk është çliruar nga hegjemonia e njëshit, mentalitet që trashëgoi nga diktatura, ajo nuk po e pranon letërsinë si rrjedhë nëpër të cilën ajo duhet të zgjedhë letërsinë e mirë.

Letërsia e re shqipe është në vështirësi të mëdha, ajo është në periferi të ëemendjes së shtetit. Shihni çmimet kombëtare, ende nuk po e marrin dot veten nga një periudhë e shëmtuar qokash dhe shitblerjeje, që u ndoqi me vite të tëra, duke ia zbritur në pikiatë vlerën çmimeve letrare, por edhe vetë letërsisë shqipe para lexuesit. Duke rekomanduar letërsi të dyshmtë, këtë çmime, për vite të tëra krijuan një hendek me lexuesin, i cili, në grackën e publicitetit të rremë dhe ndikimit të “klubit të miqve”, krijoi një mospëlqim të frikshëm ndaj letërsisë shqipe.

Çfarë mendoni se do ta bënte të lexueshme letërsinë tone jashtë?

Gjëja e parë që na duhet përpos letërsisë së mirë, dhe shumë të mirë, është një kastë përkthyesish të talentuar, që të mund ta bëjnë letërsinë shqipe të flasë në gjuhë të huaj e padeformuar. Tani, pas tridhjetë vjetësh të lëvizjeve të shqiptarëve në botë, ne duhet ta kishin krijuar këtë shpurë përkthyesish. Ose të kishim bërë më të thjeshtën dhe më të mundshmen, të joshnim së paku përkthyesit e njohur nga shqipja në gjuhë të huaj. Askush nuk i ka në protokolle, askush nuk i vlerëson, nuk i fton, nuk i paguan, nuk i stimulon që të jenë më pranë Shqipërisë dhe letrave të saj.

Çfarë pret lexuesi i huaj nga letërsia e vendeve të vogla?

Lesuesi i huaj nuk është në pritje, botohet aq shumë, ka aq shumë yje që shfaqen përditë. Dy ditë më parë një profesoreshë ruse më rekomandoi të lexoja dy shkrimtarë bashkëkohorë rusë, dofarë Çehovi a Tolstoi të rinj, që nuk i njeh kush përtej lexuesit rus. Letërsi e madhe që venitet nga koha.

Letërsia shqiptare duhet t’i imponohet me vlerë tregut të huaj. Çdo vend ka fondacione dhe organizata që merren ekskluzivisht me letërsinë e vet kombëtare; ato janë krijesa me frymë patriotike që dinë se sa rëndësi ka promovimi i letërsisë së mirë jashtë kufijve të gjuhës së tyre. Të pakta mundësi që janë hedhur në tregun shqiptar, të pakta fonde shtetërore që janë shitur si politika kombëtare, kanë qenë në rreth të mbyllur, të shpallur dhe të mbyllur në pak ditë, enkas në shërbim të miqve dhe të mikesha. Ka një shpurë shkrimtarësh me vepër shumë të dyshimtë, por që kontrollojnë gjithçka në “doganat” e letrave shqipe. A mund të dilet nga ky rreth që paracakton fatet e shkrimtarëve? Aq sa shpresë ka të ndreqet edhe tjetërkund plaga, në politikë, ekonomi, media, aq mundësi ka të ndreqet edhe në letërsi e në politikat kulturore.

Por, letërsia ka një fat të madh, duke qenë një akt individual krijimi; shkrimtari, ndryshe nga mediumet e tjera mund të prodhojë e të krijojë i pavarur nga hegjemonira të tilla. Fundja, vepra mbetet dhe lexuesi, edhe në tregun e brishtë shqiptar, arrin të krijojë simpatitë e tij dhe t’i ndjekë me besnikëri autorët me të cilët ka kimi. Unë jam prej atyre krijuesve që me shqisën time të gjashtë, ia kam dalë ta krijoj dhe ta konsolidoj me vite këtë lidhje të mrekullueshme. Por, natyrisht, shpesh jam trajtuar si “outsider”, edhe ngaqë vepra ime e ka përshkuar shtegun e famës shumë më shpejt se ç’ta jep ecja kërmillore në terrenin shqiptar, shpesh aspak miqësor.

Ç’lloj letërsie mund ta kalojë kufirin tone për të shkuar diku tjetër?

Është e vështirë të bësh përcaktime, siç thotë Niçe, sepse e kufizon gjënë. Por gjithsesi, ecja në tehun mes lokales dhe lokales, është një nga raportet nga varet kapërcimi i murit të ftohtë shqiptar. Çfarë dua të them me këtë? Letërsia shqiptare nuk ka pse të ketë drojë nga temat e saj “lokale”, fundja lexuesi i huaj dëshiron të dijë se ç’bëhet me shqiptarët, çfarë është ndryshe ndër shqiptarë, nga ajo që ai ndesh përditë. Por, njëherësh, një shkrimtar shqiptar nuk duhet të ketë mendësi lokale, ai duhet të shkruajë si evropian, të jetë i hapur, të mos lexojë vetëm veten dhe të kënaqet me historitë e klubit ku pi kafen edhe rakinë mëngjeseve e darkave. Në asnjë rresht të tij Orhan Pamuk nuk është përpjekur të shitet joturk, por ai është një shkrimtar joturk në modernitetin e tij. A shkroi ndonjë gjë përtej Francës së sotme Michel Houellebecq? Jo. A është lokale vepra e tij? Jo! Ky është një raport shumë i brishtë dhe autorët shqiptarë e kanë patur të vështirë ta ndërtojnë.

Cilat vende janë më të hapura për të pritur letërsi të huaj?

Për shkak të atyre politikave që shpjegova, nuk është krijuar një trend i letërsisë shqipe, që gjërat të vijnë natyrshëm dhe lexuesi evropian t’i jetë rrahur veshi me autorë shqiptarë. Ky është një debat shumë i gjatë, dhe konkluzioni është i thjeshtë: në letrat shqipe kolegu nuk e rekomandon kolegun, për të thënë më të voglën. Dhe kemi mbetur para botës me një letërsi fare të varfër, për të mos thëne fare pa autorë për t’u prezantuar me dinjitet, a thua se në këtë vend vetëm tregtohet drogë, mbillet kanabis, pillen politikanë të korruptuar dhe rriten të rinj që kanë vetëm një refren: Ik! Me këtë shoshë letrare të biruar keq dhe primitivisht, ne po shkojmë në Evropë. Ja se si po shkojmë, pra!

A mendon se shqipja ka patur aq shkrimtarë të plotë që e kanë pasuruar leksikun?

Ndryshe nga media që e ka “pasuruar” shqipen me fjalë të huaja të përshtatura shqip, shkrimtarët shqiptarë, veçma të tridhjetë viteve të fundit, e kanë pasuruar gjuhën. Pasurimi i gjuhës nuk është qëllim; për shkrimtarin gjuha që ai njeh është një xhaketë që i rri ngushtë. Unë kështu e kam ndier; kjo të ndodh vetishëm. Në një studim të botuar në Prishtinë, sipas kërkimeve të një studiuesi, unë personalisht i kam sjellë gjuhës shqipe rreth 100 fjalë dhe fjalëformime të reja. Sikur kjo të jetë e vërtetë, kam një arsye më shumë të ndiej se ia ka vlejtur vetmia e ndjellë nga shkrimëria. Kështu besoj ka ndodhur edhe me kolegë të mi të tjerë.

A e keni ndjerë tundimin e rrymave të tjera letrare? Autorët që ju lexoni vetë?

Qysh nga Homeri dhe Dante – njëri botën e gjallë përmes miteve, dhe tjetri botën e përtejme përmes të gjallëve – shkrimtarët vetëm sa risjellin kumtet e tyre të parathëna dikur. Është po ajo botë, me po të njëjtën përpikmëri, me po ato virtyte e vese, beteja e humbje, besëthyerje e besnikërira, ethesh e plogështie, egoje e pasigurie, si të atëhershme. Ndryshimi është se secili prej nesh i sjellim në mënyrën tonë, në stilin tonë, që na dallon nga të tjerët. E gjithë çështja është te shqyrtimi që i bën veprës. Unë dikur shkruaja romane më të shkurtër, më të ngjeshur dhe e kufizoja rrëfimin tim, leximi i veprave të mëdha ta heq drojën, të çliron nga disa thundra që nuk të lenë të ecësh. Me kohën e me përvojë, ti e kupton se në ç’ujëra duhet të notosh, dhe përtej eksperimenteve, ushtrime me të cilat letërsia është shumë bujare, ti je profili që ke ndërtuar, që ke shpallur dhe je pranuar. Dhe e shqyrtoj paprerë veprën time, siç thotë J. Irving: “Gjysma e jetës sime është një akt rishqyrtimi”. Mes prozës dhe poezisë, proza është e pamëshirshme në këtë pikë; nëse e humb njëherë lexuesin, e ke humbur përherë. “Proza është arkitekturë, jo dekoracion”, thotë Heminguej. Duke përgatitur arkitekturë solide, nuk më teproi koha për dekoracion, ndaj lexuesi nuk ka frikë në çdo prag të ri timin. /Mapo/

Në trend Kultura

Më shumë
“Një autograf për nipin tim - skllavin tuaj”!

“Një autograf për nipin tim - skllavin tuaj”!

Kulture
Binjaket magjepsëse dhe shkrimtarët e famshëm

Binjaket magjepsëse dhe shkrimtarët e famshëm

Kulture
KATËR GJËRA

KATËR GJËRA

Poezi
EZRA POUND

EZRA POUND

Poezi
DREJTËSIA!

DREJTËSIA!

Fjala+
DUART E NËNËS

DUART E NËNËS

Poezi
Kalo në kategori