LAJMI I FUNDIT:

Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për krime lufte kundër popullatës civile në Kosovë

Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për krime lufte kundër popullatës civile në Kosovë

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit J.C i dyshuar për shkak të veprës penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.

Sipas njoftimit, të pandehurit J.C i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.


“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit J.C i dyshuar për shkak të veprës penale penale Krime lufte kundër popullatës civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Kodit Penal të Republikës Socialiste Federative ë Jugosllavisë (KP i RSFJ), lidhur me nenin 3 të Konventës së Katërt të Gjenevës dhe po ashtu e penalizuar me nenin 144 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër  të pandehurit J.C e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.  Të pandehurit J.C paraburgimi i është caktuar në harmoni me nenin 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 e 1.2 pika 1.2.1 dhe 1.2.2 të KPPRK-së”, thuhet në njoftim.

Tutje sipas njoftimi, gjykata ka konsideruar se caktimi i ndonjë mase më të butë për sigurimin e prezencës së të pandehurit J.C në procedurë penale do të ishte e pa mjaftueshme.

“Andaj dhe caktimin e ndonjë mase më të butë e konsideron si jo të bazuar dhe faktuar, e posaçërisht kur dihet se hetimet janë në fazë fillestare, gjithashtu duke konsideruar faktin se i pandehuri është shtetas edhe i Republikës së Serbisë dhe ka vendbanim jashtë Kosovës, ekziston rreziku real se i njëjti mund ti shmanget ndjekjes penale. Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Telegrafi/