Middlesbrough do ta zëvendësojë Southamptonin në finalen e “play-offit" të Championship ndaj Hull Cityt, pasi Liga Angleze e Futbollit (EFL) e përjashtoi Southamptonin dhe i hoqi katër pikë për shkelje të rregullave të mbikëqyrjes, raporton “The Guardian”.

Sanksionet u vendosën nga një komision i pavarur disiplinor, pas akuzave zyrtare të EFL-së për operacione mbikëqyrjeje të paautorizuara ndaj tre klubeve rivale.


Sipas autoriteteve, Southampton pranoi disa shkelje që lidhen me regjistrime të fshehta video të seancave stërvitore dhe përgatitore të kundërshtarëve.


“Klubi ka pranuar shkelje të shumta të rregulloreve të EFL-së në lidhje me filmimin e paautorizuar të stërvitjes së klubeve të tjera”, njoftoi EFL, duke sqaruar se këto veprime kanë ndodhur gjatë përgatitjeve për ndeshje të ndryshme.

EFL bëri të ditur se rastet lidhen me përgatitjet për ndeshjet kundër Oxford United në dhjetor 2025, Ipswich Town në prill 2026 dhe Middlesbrough në maj 2026.

Përjashtimi i Southamptonit përmbys edhe rezultatin e gjysmëfinales së play-off-it, ku skuadra kishte eliminuar Middlesbrough dhe kishte siguruar fillimisht biletën për në Wembley.

Tani, në finalen e planifikuar për të shtunën pasdite, do të përballen Middlesbrough dhe Hull.

Megjithatë, Southampton ka nisur menjëherë procedurat e apelit dhe pritet që çështja të shqyrtohet nga instancat ligjore përpara të enjtes. /Telegrafi/

telegrafi sport app