“Një mijë arsye pse s’mund të më kishe” - Madonna thumbon ish-partnerin në këngën e re


Madonna duket se i është rikthyer së kaluarës në albumin e saj të 15-të në studio, "Confessions II", i cili publikohet më 3 korrik.
Albumi përmban 16 këngë dhe një bashkëpunim me Sabrina Carpenter, ndërsa vëmendjen më të madhe e ka marrë kënga "Bizarre", që besohet se i kushtohet ish-bashkëshortit të saj, Sean Penn.
Në tekstin e këngës, Madonna lë të kuptohet se Penn ndihej në hije nga fama e saj dhe nuk ishte rehat gjatë paraqitjeve të tyre të përbashkëta në tapetin e kuq.

Ajo këndon se ai ndihej i kërcënuar nga suksesi i saj dhe se kjo ndikoi në marrëdhënien e tyre.
Këngëtarja përmend gjithashtu një makinë klasike Shelby GT500 të vitit 1968, që thuhet se ia kishte dhuruar gjatë martesës, si edhe problemet ligjore të aktorit për drejtim të pakujdesshëm në vitin 1987.
Një nga vargjet më të komentuara është: "Ke pasur një mijë arsye pse s’mund të më kishe", që shumë e kanë interpretuar si një mesazh të drejtpërdrejtë për ish-bashkëshortin e saj.
Madonna dhe Sean Penn u martuan në vitin 1985 dhe u divorcuan në vitin 1989.

Më vonë, ajo u martua me regjisorin Guy Ritchie.
Pas divorcit, Sean vazhdoi një karrierë të suksesshme në kinematografi, duke fituar çmime të shumta, përfshirë tre çmime 'Oscar'.
Së fundmi, ai u vlerësua për rolin e tij në filmin "One Battle After Another", ku luan përkrah Leonardo DiCaprio. /Telegrafi/



















































