Një klub i madh evropian dëshiron të përfitojë nga kriza e Alonsos

Xabi Alonso ndodhet nën presion të madh nga drejtuesit e Real Madridit dhe, sipas burimeve të brendshme, një humbje sot ndaj Manchester Cityt në “Santiago Bernabeu” mund t’i kushtojë postin e trajnerit.
Pas performancës së dobët kundër Celta Vigos dhe fishkëllimave të forta të tifozëve, durimi i klubit është drejt fundit. Pikërisht për këtë arsye, sfida ndaj skuadrës së Pep Guardiolës shihet si testi i tij vendimtar në stolin madrilen.
Pas ndeshjes me Celtan, drejtuesit janë mbledhur urgjentisht për të diskutuar shkarkimin e mundshëm, por vendosën t’i jepnin Alonsos një shans të fundit.

Nëse ekipi nuk tregon përmirësim të qartë sonte, gjithçka mund të marrë fund për trajnerin. Ndërkohë, situata e tensionuar te Real Madridi ka bërë që Liverpooli të mbajë nën vëzhgim zhvillimet.
Në Angli, të kuqtë po kalojnë krizë dhe e ardhmja e trajnerit Arne Slot nuk është e sigurt, pavarësisht fitores së fundit në Milano.
Sipas “Caught Offside”, Liverpooli po e ndjek nga afër Xabi Alonson, të cilin në të kaluarën tentuan ta bindnin kur u largua nga Leverkuseni.
Ai gëzon respekt të madh te tifozeria angleze, ndërsa filozofia e tij e lojës përputhet mjaft mirë me stilin e klubit.

Opsioni tjetër për stolin e Liverpoolit, Jurgen Klopp, duket i pamundur, pasi ai është shprehur i lumtur me rolin e tij të ri në strukturën e Red Bull.
Kjo e bën kandidaturën e Alonsos edhe më të fortë.
Ndërkohë, Real Madridi, pas 16 javësh kampionat, renditet i dyti në La Liga me 11 fitore, 3 barazime dhe vetëm 2 humbje, duke shënuar 32 gola dhe pësuar 15. /Telegrafi/


















































