LAJMI I FUNDIT:

Një 77-vjeçar mban gjallë legjendën e Kishës së Sinjës

Një 77-vjeçar mban gjallë legjendën e Kishës së Sinjës

Legjenda – thonë banorët e Sinjës së Beratit – flet për mure që ngriheshin ditën e shembeshin natën rreth 700 e kusur vite më parë, kur fshati ndërtonte një kishë, por themelet e saj nuk e mbanin. Kjo i detyroi banorët të ndryshonin herë pas here vendin, derisa një e moshuar – vazhdon legjenda – pa në ëndërr një zjarr poshtë shkëmbit në grykë të një shpelle. Kështu, themelet u vunë aty ku ndodhet sot Kisha e Shën Mërisë në fshatin Sinjë të Beratit.

E ndërtuar në shekullin XII-XIII në hyrje të një shpelle, në një terren mjaft të vështirë shkëmbor, Kisha e Shën Mërisë është shpallur monument kulture i kategorisë së parë dhe është vend pelegrinazhi për besimtarët ortodoksë të zonës dhe më gjerë. Megjithatë për vite me radhë, ajo ishte thuajse e harruar.


Kur u kthye nga emigracioni në vitin 2010, Jani Pjetri, sot 77 vjeç, e gjeti kishën të braktisur. Në çati kishin rënë gurë, ndërkohë që mungonte elektriciteti, shkallët dhe një tualet. Ai vendosi të riparonte me sa mundej ndërtesën, që për të është një vend i shenjtë.

Pjetri shkon çdo javë në fshat për t’u kujdesur për godinën, ndërsa përballet me mungesën e fondeve nga qeverisja vendore dhe qendrore, si dhe Mitropolia e Beratit, por edhe me vandalizmat.

Në një mëngjes nëntori, e takuam të shqetësuar në udhëtim e sipër drejt Sinjës, pasi kishin vjedhur arkën e dhurimeve dhe kabullin që furnizonte kishën me energji. Arka në të cilën mblidhen pak para nuk e shqetëson shumë 77-vjeçarin, por kabulli që furnizonte me energji ndërtesën ishte një çështje tjetër. Ai kishte blerë vetë të parin dhe këtë herë harxhoi pjesën e mbetur të pensionit për ta zëvendësuar.

Metropolia e Beratit ka nën administrim një numër të konsiderueshëm kishash të shpërndara në të gjithë qarkun dhe me fondet e saj mund të paguajë vetëm një person që e hap dhe e mbyll kishën çdo ditë. Jani thotë se u kishte kërkuar ndihmë atyre kur mbi çati kishin rënë gurë, por i kishin thënë se nuk kishin “mundësi ekonomike”.

Tani për tani, kishës i është gjendur vetëm Jani Pjetri dhe një grusht miqsh që janë listuar përkrah tij në një pllakë që tregon ata që ndihmuan për riparimet. Në qendër të fshatit, atë e ftojnë gjithmonë për kafe, ndërsa të tjerë banorë i japin qirinj apo të holla për t’i hedhur tek kisha, pasi nuk kanë kohë të shkojnë deri atje. Për ta ai është njeriu që i riktheu kishës vëmendjen e munguar.

Ilirjan Toska është kryeplaku i fshatit dhe sa herë mundet pret dhe përcjell Jani Pjetrin, për të cilin flet me admirim.

“Ky njeri bëri atë që as komuna, as Mitropolia, e askush nuk e ka bërë deri më sot”, thotë kryeplaku me besim mysliman, i cili shton se edhe për ta kisha është vend i shenjtë.

“Kjo kishë është e shenjtë, të gjithë banorët besojnë tek legjenda e saj dhe xha Jani po e mban në këmbë. Ne do t’i jemi mirënjohës gjithë jetën”, shton banori, Fatmir Sakaj. /Erjola Azizolli/BIRN/