Nisin sot punimet e Kosova Finance Forum 2026!

Pas hapjes solemne të mbajtur mbrëmjen e kaluar, sot kanë nisur zyrtarisht punimet e Kosova Finance Forum 2026 (KFF 2026), duke e shndërruar Prishtina në një qendër të rëndësishme të dialogut financiar dhe ekonomik në rajon.
Forumi, i cili po konsolidohet si një platformë kyçe rajonale, mbledh vendimmarrës, drejtues institucionesh financiare, investitorë dhe ekspertë ndërkombëtarë me synimin për të forcuar bashkëpunimin dhe besimin në tregjet e Ballkanit Perëndimor.
Edicioni i këtij viti vjen me temën “Ndërtimi i besimit në tregjet e Ballkanit Perëndimor”, duke theksuar nevojën për më shumë transparencë, stabilitet dhe integrim financiar në rajon. Pas aktiviteteve të rrjetëzimit dhe pritjes zyrtare të zhvilluara më 27 prill, sot po zhvillohen sesionet kryesore dhe diskutimet tematike me pjesëmarrje të nivelit të lartë.
Në forum po marrin pjesë figura të rëndësishme të politikës ekonomike dhe institucioneve financiare, përfshirë:
- Hekuran Murati, Ministër i Financave i Kosovës
- Mimoza Kusari, Ministre e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë
- Besar Durmishi, Ministër i Ekonomisë dhe Punës i Maqedonisë së Veriut
- Ahmet Ismaili, Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës
Pjesëmarrja ndërkombëtare përfshin gjithashtu emra të njohur si:
- Yanis Varoufakis, ish-Ministër i Financave i Greqisë
- Sebastian Sosa, përfaqësues i FMN-së (IMF) për rajonin
- Marcelo Castellanos, drejtues për Evropën Juglindore në IFC
- Sergiy Maslichenko, drejtues i EBRD për Kosovën
- Stephen O’Malley, Koordinator i OKB për Zhvillim
Në fokus do të jenë gjithashtu drejtues institucionesh financiare europiane dhe përfaqësues diplomatikë, si Jonas Westerlund, ambasador i Suedisë në Kosovë, dhe ekspertë të bankave zhvillimore si Moritz Remé (KfW) dhe Kristina Kanapinskaite (EIB).
Diskutimet e sotme do të fokusohen në çështje kyçe për zhvillimin ekonomik të rajonit, si:
- përafrimi me standardet e Bashkimit Europian
- rritja e investimeve dhe mobilizimi i kapitalit
- partneritetet publike-private në infrastrukturë
- transformimi dixhital dhe fintech
- bashkëpunimi bankar rajonal
- ndikimi i demografisë dhe produktivitetit në rritje ekonomike
Paralelisht me sesionet kryesore, po zhvillohen edhe tryeza të rrumbullakëta dhe diskutime të specializuara mbi fintech, mikrofinancën dhe të ardhmen e bankimit dixhital.
I organizuar nga Kosova Business Forum, Kosova Finance Forum 2026 synon të jetë më shumë sesa një forum; një platformë konkrete për krijimin e partneriteteve dhe nxitjen e investimeve në rajon.
Me një agjendë të pasur dhe pjesëmarrje të gjerë ndërkombëtare, forumi pritet të forcojë më tej pozicionin e Prishtinës si një qendër në rritje e dialogut ekonomik dhe financiar në Ballkanin Perëndimor.



















































