LAJMI I FUNDIT:

Nisin punimet e Samitit VET, për dy ditë shpalosen mundësitë profesionale për punësim

Për të dytën herë në Prishtinë kanë nisur punimet Samiti i Arsimit dhe Aftësimit Profesional “VET Samit 2023”.

Në këtë samit, për dy ditë më radhë, 31 shkolla profesionale publike dhe private, janë duke u shpalosur mundësitë për trajnime për punësim.


Si nikoqir i Samitit VET, drejtori i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha tha se bota e punës po ndryshon fal zhvillimit teknologjik dhe se vendi ynë ka probleme me gjetjen e fuqisë punëtore.

“Bota e punës po ndryshon fal zhvillimit teknologjik. Emigrimi i fuqisë punëtore vazhdon të jetë shqetësues. Duhet ta pranojmë që Kosova ka probleme me fuqi punëtore të kualifikuar, prandaj edhe na duhet të mendojmë për automatizimin e prodhimit”, tha Panxha, raporton Telegrafi.

“Përveç kësaj, fokusi duhet të jetë edhe te rritja e produktivitetit të punëtorëve, duke investuar në aftësitë e tyre. Por edhe investimin në inovacion, sjell më shumë interesim tek punëtorëve e rrjedhimisht më pak punëtor lënë vendin e tyre të punës”, përfundoi ai.

Kurse, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama theksoi se kompanitë kosovare po rriten me trende shumë të larta, por që problem kryesor e kanë punësimin e punëtorëve të kualifikuar.

“Kryeqyteti po bënë shumë punë të madhe në ndërtimin e shkollave profesionale, në bashkëpunim me donatorët por po e shikon edhe mundësinë e angazhimit të diasporës që të jenë pjesë e këtij procesi. Jemi në proces të ndërtimit të shkollës profesionale, por në plan kemi edhe ndërtimin e shkollës së robotikës, hotelerisë, infermierisë e shumë profile tjera. Kjo tregon edhe qasjen tonë dhe rëndësinë që i japim aftësimit dhe arsimit profesional”, theksoi Rama.

Ndërsa, ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly ceku që shtylla kryesore e një shoqërie është edukimi dhe shëndeti publik.

“AAP është shtylla kryesore e ekonomisë së Zvicrës, shtyllë kjo që ka prioritet si në prodhim ashtu edhe në inovacion. Dy e treta e të rinjve zviceranë shkojnë në profile të AAP-së. Ku suksesi më i madh i këtij interesimi dhe angazhimi në AAP, është bashkëpunimi në mes të institucioneve publike dhe private”, ka pohuar Kolly.

Për ambasadorin Jörn Rohde, Gjermania nëpërmjet GIZ ka vazhduar ta mbështet Kosovën.

“Bashkëpunimi i afërt është shumë i rëndësishëm. Gjermania nëpërmjet GIZ ka vazhduar ta mbështet Kosovën”, tha Rohde.

Në fund Matthew Culinnane nga USAID pohoi se rritja e sektorit privat është shumë e rëndësishme.

“Kosova ka resurse te bollshme natyrore. Rinia është e ardhmja. Rritja e sektorit privat është shumë e rëndësishme”, përfundoi Culinnane.

Ky edicion mundësohet nga USAID Kosovo, IREX, Kosovo Compete, Kosovo Export Netëork, LuxDev – Luxembourg Development Cooperation Agency (LuxDev), Enhancing Youth Employment (EYE Project) – projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), GIZ Kosovo, Kosovo Challenge Fund dhe Komuna e Prishtinës.