LAJMI I FUNDIT:

Ngjarjet në futbollin kosovar gjatë vitit 2012

Ngjarjet në futbollin kosovar gjatë vitit 2012

Futbolli kosovar gjatë vitit 2012 ishte vërtet kompetitiv. Gjatë sezonit të dytë të edicionit 2011/12 të Raiffeisen Superligës, u zhvillua një garë e vërtetë mes Prishtinës dhe Trepçës ’89.

Me 3 qershor, pas fitores prej 4-2 në duelin kundër Vëllaznimit, klubi futbollistik Prishtina me 65 pikë të tubuara, është stolisur me titullin e kampionit të Kosovës për edicionin 2011/12. Kjo njëherit është hera e gjashtë që Prishtina shpallet kampione pas luftës. Kapitenit të skuadrës, Driton Krasniqi, titullin ia dorëzoi kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri.


Nga Superliga u larguan Gjilani dhe KEK-u , ndërsa mbetjen në shoqërinë elite në barazh e kërkoi Lepenci që u ndesh me Hajvalinë, e cila e fitoi këtë duel dhe u ngrit në Superligë. Anëtar tjerë të rinj të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll ishin, Feronikeli dhe Kosova e Vushtrrisë.

Me 7 qershor në Stadiumin e qytetit në Prishtinë në praninë e 5.000 tifozëve, u zhvillua finalja e Kupës së Republikës, ku u takuan Trepça ’89 dhe Ferizaji. Mitrovicasit shfrytëzuan përvojën dhe formën e mirë që e kishin në këtë edicion në rangun elitë për ta mposhtur anëtarin e ligës së parë, Ferizajin, me rezultat 3-0. Në këtë ndeshje u dallua Kastriot Rexha i cili shënoi dy gola dhe Festim Krasniqi që shtoi një tjetër. Ky triumf për Trepçën ’89 është i pari në histori të këtij klubi në garat e kupës.

Gjatë këtij viti, Federata e Futbollit të Kosovës mori si dhuratë nga Suedia stadiumin Rasunda, dikur stadiumin e ekipit kombëtar suedez. I ndërtuar në vitin 1937, Rasunda ishte skenë e ndeshjeve shumë të mëdha, më e njohura ishte finalja e Kupës së Botës e vitit 1958, kur Brazili fitoi 5-2 kundër Suedisë, ndërsa dy gola në këtë ndeshje i shënoi i famshmi Pele, i cili kishte vetëm 17 vjet.

"I gjithë stadiumi Rasunda do të jetë dhuratë për Federatën tonë. Është e vështirë të vlerësohet se sa kushton, por dhurata përmban 37 mijë karrige, ndriçimin që përmbush kërkesat e FIFA-s, sistem të zërimit, rrethoja alumini, katër porta, tridhjetë metra tunel për lojtarët, VIP lozhën, 12 arka për shitjen e biletave, sallën e konferencave për shtyp dhe tetë zhveshtoren", pati deklaruar, Albert Bunjaku, trajner i ekipit të përfaqësueses së Kosovës në futboll.

Edicioni i futbollit 2012/13 filloi me 22 gusht. Sezoni vjeshtor ishte shumë interesant pasi që shumë klube po luftonin për kreun e tabelës. Vlen të cekët gara mes Prishtinës dhe Trepçës ’89, ku pothuajse çdo xhiro i ndërronin pozitat, herë në të parën e herë në të dytën. Prishtina e nisi më mirë këtë stinor, por pastaj Trepça ’89 e mposhti në kryeqytet me rezultat 1-2 dhe nga këtu filloi një betejë e vërtetë mes këtyre dy palëve.

Pas xhiros së gjashtë të elitës së futbollit kosovar, Komiteti Ekzekutiv i FFK-së në bashkëpunim me Komisionin për Gjyqtarë vendosën që në një ndeshje të Superligës të inkuadrohet edhe gjyqtari i katërt. Kjo dëshmoi kualitet më të madh në ndarjen e drejtësisë. Gjyqtari i katërt vazhdon të jetë prezent në Superligë, e në një të ardhme edhe në Ligën e Parë.

Kur po i afroheshim javëve të fundit, Prishtina gjeti vazhdimësinë e duhur për ta marrë kreun dhe për t’u shpallur kampion vjeshtor. Në praninë e një numri të konsiderueshëm të tifozëve dhe një atmosfere fantastike, dy skuadrat më të forta të këtij sezoni në Raiffesien Superligën e Kosovës në futboll, ato të Prishtinës dhe Trepçës ‘89, kanë luajtur baras, 1-1, në stadiumin “Riza Lushta” për ta mbyllur sezonin vjeshtor duke i ndarë pikët.

Prishtina u zgjodh kampion vjeshtor i Kosovës me 34 pikë, ndërsa në sezonin pranveror do të ketë shumë të vështirë ta mbrojë titullin, pasi që është duke u ndjekur fuqishëm nga të dy ‘Trepçat’, që deri më tani kanë grumbulluar nga 30 pikë.

“Titulli i kampionit vjeshtor nuk është ndonjë e arritur e madhe për Prishtinën, por gjithsesi do të shërbejë si motiv për lojtarë, që të njëjtën rrugë ta ndjekin edhe në pranverë”, kishte deklaruar trajneri i Prishtinës, Afrim Tovërlani.

Skandali i vitit ndodhi në Ferizaj. Në ndeshjen Gjilani – KEK-u, që i takonte javës së fundit të Superligës. Futbollistët e Gjilanit kishin luajtur në bastore për të humbur ndeshjen ndaj KEK-ut. Krahas kësaj, ata për të mos ia lënë asgjë rastit, kishin shënuar dy autogola qëllimisht. Në fund fitoi KEK-u, 3-2.

Talenti më i madh i këtij viti ishte Enis Gavazaj. Erdhi në Prishtinë, por herë luajti për kampionët e herë jo për shkak të konkurrencës së madhe. Ndërsa, ‘bumin’ më të madh e bëri me Shqipërinë U-19. Ai realizoi një gol prej më larg se 30 metra ndaj Belgjikës në ndeshjet kualifikuese.

Goli më i mirë i vitit padyshim se është ai i Shpëtim Idrizit të Trepçës ’89, kur i shënoi Prishtinës nga gjuajtja e lirë në stadiumin e kryeqytetit.

Me 6 dhjetor filluan ndërtimet e gjashtë stadiumeve ndihmëse të futbollit në, Drenas, Gjakovë, Pejë, Gjilan, Mitrovicë dhe Ferizaj, që kapin vlerën prej 3.5 milionë eurove. Ata do të ndërtohen sipas standardeve më të larta të UEFA-s dhe FIFA-s.

“Më gëzon fakti që ndërtimi i këtyre gjashtë stadiumeve, po bëhet krahas renovimeve që kanë filluar në disa stadiume ekzistuese të futbollit, në 11 prej tyre, që është një investim milionësh i MKRS-së, që ka ndodhur për herë të parë. Bashkë me Komisionin Evropian, kemi nisur edhe një projekt tjetër shumë të rëndësishëm për sportin, siç është ndërtimi i Qendrës Multi-funksionale në Mitrovicë, ku do të ketë terrene për sporte të ndryshme, renovim të tërësishëm të palestrës Minatori por edhe hapësirë afariste. Ky projekt kap shifrën e investimeve mbi 20 milionë euro”, ka dekalruar ministri Memli Krasniqi, teksa ka falënderuar Komisionin Evropian për mbështetjen që i ka dhënë MKRS-së, në veçanti për sportin.

Padyshim lajmi që bëri më së shumti bujë për futbollin kosovar ishte ai i takimit të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-së, me 14 dhjetor, në Tokio të Japonisë, ku u mor vendimi që Kosova të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare.

“Konform vendimit të marrë më 21 maj 2012 për t’i lejuar asociacionet anëtare të FIFA-s të luajnë ndeshje miqësore ndërkombëtare me ekipet nga Federata e Futbollit të Kosovës, që nuk është anëtar i FIFA-s, ekzekutivi sot është pajtuar të implementojë këtë vendim për të rinjtë, amatorët, femrat dhe klubet”, thuhej në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të FIFA-s.

Ky lajm në fillim i gëzoi të gjithë krerët e futbollit kosovar, por disa ditë më vonë, më saktësisht me 20 dhjetor, në Sekretariatin e Federatës së Futbollit të Kosovës arriti shkresa zyrtare nga FIFA në lidhje me vendimin e fundit të KE të FIFA-s për modalitetet e zhvillimit të ndeshjeve miqësore ndërkombëtare për Kosovën. Informata në këtë shkresë ishte krejtësisht e ndryshme në përmbajtje, nga njoftimi i parë që ishte publikuar në faqen zyrtare të FIFA-së.

“Në këtë shkresë thuhej se Kosovës i lejohet zhvillimi i ndeshjeve me grup-moshat e reja(që nënkupton U-15- U-21-23), përfaqësuesen e femrave dhe klubet e futbollit, por vetëm jashtë Kosovës dhe pa simbole shtetërore (Himn e Flamur), por me himn e flamur të FIFA-s, e kjo për KE të FFK-së është plotësisht i papranueshëm. Heqja e atributeve shtetërore të Kosovës në asnjë mënyrë dhe rrethanë nuk janë të pranueshme për KE të FFK-së. Ndonëse nuk është e saktësuar, paraqitja me atributet e Kosovës vlen vetëm për ekipet përfaqësuese. Për aq më tepër për KE të FFK-së, është i papranueshëm edhe vendimi i KE të FIFA-s për moslejimin e zhvillimit të ndeshjeve brenda Kosovës pa konsultim paraprak me Federatën e Futbollit të Serbisë”, u tha në njoftimin e FFK-së.

Për këtë gjë kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, i ka shkruar një mesazh presidentit të FIFA-s, Joseph S. Blatter, duke ia shprehur pakënaqësitë rreth modaliteteve për zhvillimin e ndeshjeve miqësore ndërkombëtare për Kosovën.

“Federata Futbollit të Kosovës (FFK) shpreh kundërshtimin e plotë të saj rreth përmbajtjes së papranueshme të kësaj letre. Edhe pse ne e vlerësojmë vendimin për të lejuar shoqatat anëtare të FIFA-s që të kenë kontakte sportive me ekipet e futbollit të Kosovës, ne e kundërshtojmë ‘modalitetin’ e imponuar mbi FFK-në, që të kërkojë një ‘autorizim paraprak’ nga një subjekt i jashtëm jo-kosovar”, ka shkruar ndër të tjera Vokrri në letrën dërguar Blatterit. /Telegrafi/