LAJMI I FUNDIT:

Ngadalësohet inflacioni në Shqipëri, por rritja e çmimeve të ushqimeve nuk ndalet

Ngadalësohet inflacioni në Shqipëri, por rritja e çmimeve të ushqimeve nuk ndalet
Foto: Olsi Shehu/Anadolu Agency

Rritja e çmimeve është ngadalësuar ndjeshëm në muajin mars në Shqipëri.

Sipas të dhënave të institutit kombëtar të statistikave (INSTAT), ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit, që mat ndryshimin e çmimeve për një shportë mallrash të caktuar, në muajin Mars 2023 ishte 5.3 për qind, ndërkohë që një vit më parë ky ndryshim ishte 5.7 për qind.


Treguesi ka rënë ndjeshëm nga 7.1 për qind që ishte në shkurt dhe 8.3 për qind që arriti në tetor 2022, duke shënuar rekordin që nga viti 1998.

Rënia e inflacionit ishte e pritshme, për shkak të bazës së lartë të muajit mars të vitit të kaluar, kur filloi një valë shtrenjtimesh të mallrave e produkteve si rrjedhojë e pasojave që dha sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës në zinxhirin global të furnizimit. Për shembull, nafta në mars të vitit të kaluar arriti deri në 260 lekë për litër, ndërsa aktualisht është më pak se 190 lekë. Në mars 2022 filloi dhe shtrenjtimi I drithërave, vajit e produkteve të tjera ushqimore.

Ndonëse çmimet e karburanteve janë ulur, ushqimet vijojnë shtrenjtimin me ritme dy shifrore.

Sipas INSTAT, Rritja vjetore e çmimeve në muajin Mars është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +3,94 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,48 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0,47 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me +0,21 pikë përqindje.

Pavarësisht tendencës rënëse të inflacionit, Banka e Shqipërisë, e cila si objektiv kryesor ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, ka vijuar politikën shtrënguese monetare. Në mbledhjen e datës 23 mars, Banka rriti sërish normën bazë, instrumentin kryesor që ajo përdor për të rritur inflacionin, duke e çuar në 3 për qind.

Vitin e fundit norma bazë është rritur gjashtë disa herë, nga niveli minimal historik prej 0.5 për qind, që ishte në mars 2022.

Banka vlerësoi se megjithëse inflacioni ka ardhur në rënie, presionet e brendshme mbi çmimet, dhe veçanërisht ato që burojnë nga tregu i punës, vlerësohet të jenë të forta dhe në rritje. Sipas Bankës së Shqipërisë, pavarësisht rënies, niveli i inflacionit në dy muajt e parë të vitit ishte në kahun e sipërm të pritjeve. /Telegrafi/