Nga rënia te ringjallja: Bursaspor ngjitet në Ligën e Parë me forcën e tifozëve - 39 mijë abonime, 12 milionë euro buxhet

Bursaspor siguroi kampionatin në Ligën e Dytë të Turqisë, duke përfunduar një sezon të suksesshëm, dhe me këtë u ngjit në Ligën e Parë.
Por kjo arritje nuk është vetëm një trofe, pasi klubi nga Bursa hyri në histori si skuadra e parë që ka fituar kampionate në të gjitha ligat profesionale të futbollit turk.
Klubi anadollas u themelua në vitin 1963 nga bashkimi i pesë ekipeve lokale: Akınspor, Acar İdman Yurdu, Demirçelikspor, İstiklalspor dhe Pınarspor. Ngjyrat e tij lidhen me simbolikën e zonës. E bardha nga bora e Uludag dhe e gjelbra nga rrafshi i Bursës.

Nga maja e Turqisë te rënia në ligat e ulëta - pastaj ngritja
Bursaspor u shpall kampion i Superligës së Turqisë në sezonin 2009/10 dhe përfaqësoi Turqinë në Ligën e Kampionëve. Por vështirësitë financiare e goditën klubin, duke sjellë rënie nga elita në sezonin 2018/19 dhe më pas një rënie të plotë deri në Ligën e 3-të. Problemet financiare dhe sportive u shoqëruan edhe me mungesë stabiliteti në drejtim.
Një pikë kthese erdhi nën udhëheqjen e Enes Çelik. Drejtuesit siguruan mbështetjen e tifozëve përmes fushatave të mbledhjes së fondeve dhe arritën të heqin ndalimin e transferimeve që kishte qenë në fuqi për një kohë të gjatë.
Përforcimet e bëra e ndryshuan realitetin sportiv të skuadrës.
Fitore të njëpasnjëshme dhe kampionati para kohe
Me transferimet e fundit, Bursaspor e mbylli sezonin në Ligën e 3-të në krye, 10 pikë përpara rivalëve, dhe më pas e nisi sezonin në Ligën e 2-të si një nga pretendentët kryesorë.
Me vrullin e krijuar dhe me mbështetjen e tribunave, ekipi siguroi titullin një javë para fundit dhe vulosi ngjitjen në Ligën e Parë.
Gjatë kësaj periudhe, Bursaspor u veçua edhe për një rekord unik: është i vetmi ekip që ka fituar kampionate në të gjitha ligat profesionale. Përveç triumfit në Süper Lig, klubi ka qenë kampion edhe i Ligës së 3-të (liga më e ulët), ndërsa në të kaluarën ka fituar edhe Ligën e Parë në sezonet 1966/67 dhe 2005/06.

Tifozët, arma më e fortë e Bursaspor - 39 mijë abonime, buxhet prej 12 milionë euro
Një nga elementët më të jashtëzakonshëm të këtij rikthimi ishte mbështetja e tifozëve. Edhe në ligat e ulëta, thuajse të gjitha ndeshjet në Bursa u luajtën para mbi 40 mijë tifozëve.
Ndeshja vendimtare ndaj Somaspor, ku u konfirmua kampionati i Ligës së Dytë, u ndoq nga 45,450 shikues.
Tani, klubi njoftoi se tifozët kanë blerë të 39 mijë biletat sezonale (abonimet) të nxjerra në shitje për sezonin e ardhshëm, menjëherë pas ngjitjes në Ligën e Parë.
“Timsah Arena”, stadiumi modern me formë krokodili, vazhdon të mbushet rregullisht, ndërsa nga këto të ardhura buxheti për sezonin tjetër pritet të jetë rreth 12 milionë euro, ku rreth 10 milionë euro vijnë nga biletat dhe abonimet e tifozëve. /Telegrafi/





















































