Zyrtare: Etnik Brruti, futbollisti më i ri i Hajduk Splitit

Futbollisti kosovar Etnik Brruti është zyrtarisht lojtar i ri i Hajdukut të Splitit. 22-vjeçari u prezantua të premten, duke kaluar te një nga klubet më të mëdha të futbollit kroat si futbollist i lirë nga Malisheva.
Brruti ka nënshkruar kontratë afatgjatë me Hajdukun, e cila do ta mbajë atë në Split deri në vitin 2029, ndërsa ky transferim konsiderohet një hap i rëndësishëm në karrierën e tij drejt një niveli më të lartë garash.
Mesfushori e ka nisur rrugëtimin e tij në futboll te Prishtina, ndërsa në nivel senior ka qenë pjesë e Besës së Pejës dhe Malishevës, ku u afirmua me paraqitje të qëndrueshme.
Në edicionin e kaluar, Brruti zhvilloi 35 ndeshje, në të cilat shënoi nëntë gola dhe dhuroi pesë asistime, statistika që tregojnë ndikimin e tij në lojën ofensive të skuadrës.

Pas nënshkrimit të kontratës, Brruti u shpreh i entuziazmuar për kapitullin e ri në Kroaci, duke theksuar edhe lidhjen historike të Hajdukut me futbollistët nga Shqipëria dhe Kosova.
“Jam i lumtur dhe krenar që do të luajë për këtë klub me histori të pasur. Mezi pres ta nis rrugëtimin këtu, t’i takojë shokët e skuadrës, tifozët dhe njerëzit e tjerë në klub. I kam parë ndeshjet e Hajdukut dhe e di se këtu ka shumë kualitet”.
“Dua të kontribuoj për ekipin në të ardhmen. Jam i vetëdijshëm se shumë lojtarë nga Shqipëria dhe Kosova kanë luajtur për Hajdukun në të kaluarën”.
“Kam folur me disa prej tyre, më kanë thënë më të mirën për këtë skuadër, ambientin dhe tifozët. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e Hajdukut”, ka thënë Brruti pas nënshkrimit të kontratës./Telegrafi/














































