Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, mund të rikthehet sërish në futbollin turk gjatë afatit kalimtar veror.

Sipas raportimeve të gazetarit të njohur italian Nicolo Schira, Fenerbahçe ka nisur negociatat për transferimin e 'bomberit' kosovar nga Mallorca.


Raporti thekson se klubi turk tashmë ka arritur marrëveshje personale me Muriqin për një kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2029, ndërsa bisedimet mes dy klubeve po vazhdojnë për të finalizuar shumën e transferimit.

Një rikthim te Fenerbahçe do të ishte një kapitull i njohur për “Piratin”, i cili kishte veshur fanellën e gjigantit turk gjatë sezonit 2019/20, duke lënë gjurmë me paraqitjet dhe golat e tij.

Pikërisht forma e tij me Fenerbahçen i hapi rrugën transferimit të madh në Serie A te Lazio.

Edhe pse Mallorca ra nga La Liga sezonin e kaluar, Muriqi zhvilloi një edicion individual mjaft pozitiv.

Sulmuesi 32-vjeçar realizoi 23 gola në 37 ndeshje në të gjitha garat, duke qenë lider absolut i skuadrës spanjolle në repartin ofensiv.

Që prej transferimit te Mallorca, reprezentuesi kosovar ka regjistruar 58 gola dhe 12 asistime në 155 paraqitje, duke u shndërruar në një nga futbollistët më të rëndësishëm në historinë e fundit të klubit.

Drejtuesit e Fenerbahçe po kërkojnë të forcojnë repartin ofensiv për sezonin e ri dhe e shohin Muriqin si profil ideal, falë eksperiencës, fuqisë fizike dhe njohjes së kampionatit turk.

Në ditët në vijim pritet të ketë zhvillime të reja rreth marrëveshjes, ndërsa tifozët e Fenerbahçes kanë nisur tashmë të reagojnë pozitivisht në rrjetet sociale për mundësinë e rikthimit të sulmuesit kosovar në Stamboll. /Telegrafi/

telegrafi sport app