Nga muzeu te tapeti i kuq: Shpjegimi i temës “Costume Art” në Met Gala 2026

Met Gala 2026, ngjarja më e shumëpritur e modës, mbahet të hënën më 4 maj 2026 në Metropolitan Museum of Art në New York.
Tema e këtij viti është “Costume Art”, ndërsa kodi i veshjes është “Fashion Is Art”, një udhëzim i hapur që u lejon të ftuarve ta interpretojnë lirisht lidhjen mes trupit, veshjes dhe shprehjes artistike.
Met Gala është një mbrëmje bamirësie për Costume Institute.
- YouTube www.youtube.com
Vitin e kaluar u mblodh një rekord prej rreth 28.5 milionë eurosh, shuma më e lartë në historinë 77-vjeçare të eventit.
Ekspozita shoqëruese do të përfshijë piktura, skulptura dhe objekte që shtrihen në 5 mijë vite histori arti, të vendosura krah veshjeve historike dhe moderne nga fondi i 'Costume Institute'.
Qëllimi është të “shqyrtojë rolin qendror të trupit të veshur”, duke krijuar ndërthurje mes artit dhe veshjes për të nxjerrë në pah marrëdhënien e ndërlikuar mes përfaqësimeve artistike të trupit dhe modës si art i mishëruar.
Ekspozita do të inaugurojë edhe Conde M. Nast Galleries, një hapësirë e përhershme e dedikuar modës pranë Great Hall të muzeut.
- YouTube www.youtube.com
Ajo hapet për publikun më 10 maj dhe do të qëndrojë e hapur deri më 10 janar 2027.
Gjithashtu, do të prezantohen 25 manekinë të rinj të modeluar sipas tipave të ndryshëm të trupit (jo vetëm standardi tradicional), për të reflektuar më mirë diversitetin e trupave realë.
Kryesuesit e Met Gala 2026 janë Beyonce, Nicole Kidman, Venus Williams dhe Anna Wintour.
Sponsorët kryesorë Jeff Bezos dhe Lauren Sanchez Bezos do të jenë edhe kryetarë nderi; ndërkohë, në ditët para eventit janë shfaqur postera kundër Bezosit në rrugët e New York-ut.
- YouTube www.youtube.com
Po ashtu, kryetari i bashkisë së New York-ut, Zohran Mamdani, konfirmoi se ai dhe bashkëshortja e tij nuk do të marrin pjesë këtë vit.
Lista zyrtare e të ftuarve mbahet sekret, por pritet të shihen emra të mëdhenj si Rihanna dhe ASAP Rocky, Kylie dhe Kendall Jenner, Hailey Bieber, Lady Gaga, Zendaya, Dua Lipa, Anne Hathaway, Emma Stone, Bad Bunny, Jacob Elordi, Jenna Ortega e të tjerë.
- YouTube www.youtube.com
Transmetimi zyrtar live do të bëhet në Vogue.com dhe në kanalet sociale të Vogue (Instagram, TikTok, YouTube), ndërsa tapeti i kuq hapet në 18:00 sipas orës së Bregut Lindor (ET). /Telegrafi/


























































