LAJMI I FUNDIT:

Në Tiranë çelësin, në Sarajevë (as) varrin

Në Tiranë çelësin, në Sarajevë (as) varrin
Goran Bregoviqi dhe Edira Rama më 2006

Shkrim i publikuar më 8 prill 2006, në shtojcën analitike “Lajm-Plus” të ditores “Lajm”

***


Deklaratat e tij ndryshonin sipas politikës ditore, sepse, Brega – siç e quanin dikur në Sarajevë – gjithmonë e ka mbajtur anën e të fortit. Ai ndihej jugoslloven (si Tito), kroat (si babai), serb (si nëna), boshnjak (si gruaja), komunist, socialdemokrat, fashist … varësisht se kush dhe cila ideologji ishte më e forta! Ai i tradhtoi idealet e miliona adhuruesve të tij të dikurshëm, qindra-mijëra nga të cilët sot shtrihen në varrezat masive.

Para koncertit të Tiranës, Goran Bregoviqi e shpërngul Orkestrën … nga Rjeka në Zagreb. “Nata në hotelet e Rjekës ishte e shtrenjtë”, arsyetohet ai dhe i dërgon miqtë në motele të lira të Zagrebit. Bregoviqi fle në “Sheraton”, ndërsa për të mos e paguar tarifën, pranon intervistë në televizionin kroat.

Fat të njëjtë ka pasur një basist kosovar, para 20 vjetësh.

“Kur Gorani e angazhoi Alenin (Islamoviq) për këngëtar, ai kërkonte edhe basist. Menaxheri ia propozoi Japancin dhe mua. Por, Gorani ishte në gjendje të ma paguajë trenin e klasës të dytë dhe hotelin më të keq në Sarajevë. Prandaj, e refuzova audicionin …”.

Këto ngjarje na thellojnë në imazhin real të Goran Bregoviqit, ndryshe nga ai që ne e njohim nga koha e “Bijelo Dugme”-s; krejt ndryshe nga ai që adhurohet në Tiranë.

Pas viteve ’90, na ka rënë shpesh të dëgjojmë për frustrimet e kosovarëve në Shqipëri, kur në lokale apo taksi dëgjonin këngët serbe. Përgjigjja që merrnin ata bazohej në perceptimin banal të epërsisë kulturore, politike dhe shoqërore të Shqipërisë ndaj Kosovës: “Në muzikë nuk ka politikë”.

Kjo ishte përgjigjja e shqiptarëve. Çuditërisht, ajo vinte pas arsyetimeve të kosovarëve se këta këngëtarë po e mbështesin politikën gjenocidale të shtetit serb ndaj shumë popujve të Ballkanit – përfshirë neve, shqiptarëve!

I tillë mund të jetë sot reagimi ndaj koncertit të Goran Bregoviqit në Tiranë. Në Kosovë nuk tingëllon mirë pasqyra që ditorja serbe “Blic” i bën këtij koncerti: “Publiku i emocionuar vallëzoi që nga kënga e parë deri te e fundit, ndërkaq orkestra prej 42 anëtarësh, e veshur në veshje kombëtare serbe, u përshëndet me duartrokitje të gjata”.

Në Shqipëri ndoshta do të thonë se me këtë koncert kanë dëshmuar se “nuk janë pjesë e intrigave dhe e politikave që e dogjën Ballkanin në vitet ’90 (edhe pse Shqipëria e dogji veten); se kanë kulturë kosmopolite dhe se shqiptarët e Kosovës jetojnë ende në të kaluarën”!

Por, në të vërtetë, ata e kanë dëshmuar ndjenjën e inferioritetit dhe injorancën.

Para ardhjes në Tiranë, Bregoviqi mezi e mbush gjysmën e sallës në Rjekë. Thjesht, askush nuk e do më njeriun që i ka tradhtuar idealet e miliona adhuruesve të tij të dikurshëm, qindra-mijëra nga të cilët sot shtrihen në varrezat masive.

Një intelektual i huaj ka thënë: “Të mos jesh në anën e Sarajevës, në luftë, do të thotë të jesh bërllok”. Ndërkaq, Shqipëria “u kall” pas njeriut që – siç ka thënë vetë – nuk e ka derdhur asnjë lot për Sarajevën e kallur, për vendlindjen e tij, për qytetin që e rriti dhe e ngriti në piedestal dhe në fund ishte dhembja e botës.

Por, jo edhe e tij … Ai e braktisi Sarajevën. Frika për ta vizituar vendlindjen, pas luftës, tregon se Sarajeva në fund e braktisi atë.

Në zemrat e shqiptarëve të Kosovës Bregoviqi futet me albumin “Uspavanka za Radmilu M” dhe me këngën “Kosovska” (e njohur si “Rroka mandolinën”). Ky album incizohet në vitin 1983, në Londër, në studio të Pink Floyd-ve. Pos zhgënjimit kur – në mesin e profesionistëve – kupton se është roker-katundar (siç do të thotë vetë më vonë), ai përjeton edhe një zhgënjim tjetër: tirazhin “statik”!

“Pas editimit të albumit ‘Uspavanka…’, kuptova se atë e interesonte vetëm tregu në Kosovë dhe numri i albumeve që mund t’i shesë këtu. ‘Njeri, përqindja e shitjes së albumeve të mia në Kosovë nuk është shtuar’…”, kujton Luli Osmani, një nga basistët më të njohur në ish-Jugosllavi.

10 vjet pas incizimit të albumit “Uspavanka…”, Bregoviqi “arsyetohet” ndryshe për këtë këngë. “Nuk kam përgjigje pse e incizova”, thotë ai, për të vazhduar me një cinizëm perfid: “Më kujtohen byrekxhinjtë shqiptarë në Zagreb dhe në Shkup, të cilët nuk më lejonin ta paguaj byrekun. Kjo ndoshta ka lënë ndonjë gjurmë te unë”.

Deklaratat e tij ndryshonin sipas politikës ditore, sepse, Brega – siç e quanin dikur në Sarajevë – gjithmonë e ka mbajtur anën e të fortit. Ai ndihej jugoslloven (si Tito), kroat (si babai), serb (si nëna), boshnjak (si gruaja), komunist, socialdemokrat, fashist … varësisht se kush dhe cila ideologji ishte më e forta! Ishte anëtar i partisë komuniste që nga shkolla e mesme, por kur lëkunden themelet e kësaj partie, deklaron se do të votojë për “partinë myslimane”. Më vonë bashkohet me forcat reformuese të Ante Markoviqit, por – pas debaklit të reformatorëve – e ndien veten më të sigurt me forcat e Radovan Karaxhiqit.

Në kohën kur Sarajeva bombardohej nga serbët – nga malet që e rrethojnë – ai kërkon strehim te qendra e politikës agresore në Beograd. Aty deklaron: “Nuk e di pse këta lart gjuajnë dhe pse ata poshtë mbrohen”. Në Beograd Brega shpreh “nostalgji” për Sarajevën, sidomos për takimet e dikurshme me miqtë e tij poetë: Radovan Karaxhiqin dhe Rajko Petrov Nogon (koka e vdekur e të parit sot peshon 5 milionë dollarë, ndërsa i dyti e udhëheq komitetin për “zbardhjen e së vërtetës për Karaxhiqin”)!

“Shpesh është lëvduar për këtë shoqëri. ‘Ka qenë mirë kur takoheshim me poetët në Sarajevë, unë, Rajko Nogo, Karaxhiqi…’, më ka thënë ai”, kujton Kemal Monteno – këngëtar i njohur boshnjak – fjalët e Bregoviqit.

Kush është pra Goran Bregoviqi, idhulli më i madh rinisë së Jugosllavisë së dikurshme?

Në vitet ’70 e theu mitin se askush nuk mund të jetojë nga roku. Me tinguj të hardrok kitarës, muzikës folk dhe teksteve me përmbajtje rurale, e bëri “Bijelo Dugme”-n grupin më të madh në skenën muzikore jugosllave. Por, ai nuk ka mundur kurrë t’i kalojë kufijtë e Ballkanit, përndryshe do ta hante ndonjë padi – siç ndodh sot – për plagjiaturat e këngëve të grupeve “Beatles”, “Yes”, “Urgent”, “Van Halen”, “Dire Straits”…

Këtë traditë ai edhe sot e ka vazhduar. Por, derisa dikur i vidhte rok-grupet anglofone, tash vjedh nga romët.

“I kam thënë ashiqare: ma ke vjedh këngën”, thotë Shaban Bajramoviq, muzikant rom nga Nishi.

Këngën “Meseqina” Bajramoviqi e kishte incizuar në vitin 1982, me titullin “Dela Mara”. Por, Bregoviqin nuk e bren ndërgjegjja. “Jo, e kam dëgjuar në Rumani këtë këngë”, i thotë ai, duke na kujtuar reagimin e tij para 25 vjetësh në Prishtinë: “Derisa ti shoki më flet për vjedhje, unë i shes 1.000 disqe gramafoni”!

Ky ishte Gorani i dikurshëm – dallkauk dhe plagjiator. Gjithçka që ka bërë, ka bërë vetëm për vete. Prandaj, është e çuditshme kur i dëgjon rokerët e Kosovës tek e arsyetojnë pritjen që i është bërë në Tiranë. Sepse, ne nuk e kemi dëgjuar Goran Bregoviqin si individ, por “Bijelo Dugme”- n, një grup që ishte ikona e rinisë së një kohe të shkuar; e kemi dëgjuar me shpresën se ndoshta do të jemi pjesë reale e ideologjisë së vëllazërim-bashkimit – që propagandonte ai grup – e jo e urrejtjes që na bombardonte.

Pjesë e kësaj propagande – që e shkretoi në fund Kosovën – u bë më vonë vetë ai. Prandaj, a duhet të kemi nostalgji?!

Vështirë … Koha e tyre na kujton më shumë vuajtjet dhe pushtimin klasik. Pastaj, Brega i gënjeu, i mashtroi dhe i tradhtoi të gjithë. Ai ishte mik i Karaxhiqit, mik i propaganduesve të politikës së Milosheviqit; ai ishte kundër sulmeve ajrore të NATO-s, kundër humanizmit …

Këtë e dëshmoi edhe në Tiranë: Në emisionin “Zonë e lirë” të TV Klanit, Bregoviqi – kur është pyetur nëse Milosheviqi është “kasapi i Ballkanit” dhe Ibrahim Rugova “Gandi i Ballkanit” – s’pajtohet me definicionet e etabluara në tërë botën normale. “Ndoshta … nuk e di”, përgjigjet ai.

Por, kjo nuk lë përshtypje në Tiranë. Brega i bëri shqiptarët të kalojnë në trans, ndërsa Edi Rama ia dorëzoi “Çelësin e Tiranës” (në Sarajevë as varrin nuk ia japin)!

Ndoshta Rama e ka edhe një çelës tjetër për Cecën…!?

E tmerrshme!

Pikë.